“Do ta përdorim mandatin katërt si fuqi vetëkorrigjuese”. Këtë mesazh u përcolli kryeministri Edi Rama socialistëve në festën për fitoren e 11 majit, ku kjo forcë politike mori 83 mandate në Kuvend.
Në fjalën e tij kryesocialisti theksoi se sa më shumë të vetëkorrigjohet PS, aq më shumë do përmirësohet Shqipëria, do të përfitojnë shqiptarët, por dhe do garantohet anëtarësimi ynë brenda kësaj dekade. Ai paralajmëroi edhe ndryshime në udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe në qeveri.
“Urime dhe falënderime të gjithëve bashkë për fitoren e arritur bashkarisht dhe faleminderit për vlerën e shtuar që solli secili dhe secila këtu në këtë arritje historike për PS. Partia nuk është qëllim, por mjet për të luftuar për qëllimet as fitorja nuk është qëllim . Por për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet. Fitoret nuk na duhen për të mundur të tjerët. Ky nuk është sport, edhe pse ngjan shumë me sportin, për të përmbushur misionin historik që kemi për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë duke zhvilluar ekonominë, garantuar drejtësinë përmirësuar arsimin e shëndetësisë, forcuar sigurinë, rritur reputacioni ndërkombëtar të atdheut dhe bërë histori me anëtarësimin ën be brenda kësaj dekade.
Na duhet një punë me veten në radhë të parë. Edhe këtë herë do ta nisim nga vetja për ta ndarë mendjen si duhet me disa gjëra që duhen parë, kuptuar e bërë ndryshe në nivelin e udhëheqjes së partisë, grupit parlamentar dhe qeverisë padyshim. Na duhet mirëkuptim i plotë brenda nesh për të siguruar popullin shqiptar dhe familjen europiane me fjalë të përputhura me veprat s ene do përdorim mandatin katër si fuqi e madhe vetëkorrigjuese. Jemi ngjitur aq lart sa askush nuk e ka besuar dhe duke u përpjekur të reflektoj unë besoj se mbi të gjitha kjo ka ndodhur sepse kemi arritur të nxjerrim më shumë nga vetja pas çdo fitoreje. Sa më shumë të vetëkorrigjohemi ne aq më shumë do përmirësohet Shqipëria, do të përfitojë shqiptarët dhe do garantohet anëtarësimi ynë brenda kësaj dekade”.
Në festën që zhvillohet në Pallatin e Brigadave janë të ftuar janë kandidatët e PS në listat zgjedhore të 11 majit, por jo vetëm. Në këto zgjedhje, PS fitoi një mandat të katërt, historik, duke siguruar plot 83 vende në Kuvendin e Shqipërisë. m.p.