SIMON HADAJ – Kur ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh në shkallët e PD-së se “nëse zgjidhni të ndiqni Sali Berishën, do të hani bar”, ajo u bë objekt i linçimeve dhe sulmeve të padrejta.
Një lukuni gojëprishurish, të udhëhequr nga Sali Berisha dhe nga tabori i tij mediatik e ekonomik, sulmuan diplomaten e lartë amerikane me një gjuhë rrugaçërore, duke mos i lënë gjë pa thënë e përmendur.
Në fakt, që nga ajo deklaratë, Partia Demokratike, që zgjodhi të ndjekë verbërisht një të shpallur ‘non grata’, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbatuar “profetësinë” e Yuri Kim, duke vazhduar të hajë bar. Rezultati i 11 majit nuk është gjë tjetër veçse dëshmia më e qartë e kësaj.
Ndërkohë që Berisha ka paguar miliona dollarë për lobim në SHBA dhe solli në fushatë një “strateg” amerikan që, sipas tij, do t’i dhuronte fitoren dhe do ta lidhte me Trump, propaganda e tij se me administratën e re “mjerë Edi Rama dhe Sorosi në Shqipëri”, u përball shumë shpejt me realitetin postzgjedhor.
Ajo që pritej, erdhi: përmes një mesazhi konçiz dhe pa asnjë nënkuptim, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka uruar popullin shqiptar për zgjedhjet e 11 majit dhe ka theksuar vijimin e partneritetit me Shqipërinë, duke e vaditur edhe më tej barin në oborrin e PD-së.
Sigurisht, kjo mbështetje është për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo hedh në erë të gjithë propagandën e gënjeshtërt të Berishës dhe njerëzve të tij, të cilët edhe këto ditë ngrinin pyetjen në media: pse SHBA nuk po i uron zgjedhjet?
Ky urim, ndërkohë, dëshmon edhe një herë se Yuri Kim kur përmendi atë punën e barit nuk ka folur nga vetja. (Publikura nga Tema) m.p.