Post Covid/ Bare shumë, klientë pak, vështirësia e biznesit të vogël

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas dy muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë së koronavirusit, baret dhe restorantet nisin punë. Rrëfimi për gazetën “Fjala” i katër pronarëve të lokaleve: Ekonomia është dëmtuar, vështirë të rimëkëmbemi

Ina Allkanjari

Dy muaj lokali ishte i mbyllur, dy ditë ka që e ka hapur, por vetëm dy tavolina janë të zëna, në njërën prej tyre qëndron vetë pronari. Jemi në një bar-kafe me 30 tavolina, por klientët mungojnë, me përjashtim të dy burrave me nga një kafe përpara. Ndodhemi në një nga zonat e “frekuentuara” të kryeqytetit, në “Komunën e Parisit”, ku kafeja sigurisht kushton shumë më lirë se në Paris…

Baret dhe restorantet janë rihapur këtë të hënë, pas 2 muaj mbylljeje si pasojë e masave kundër përhapjes së COVID-19. Për këtë kategori biznesi realiteti i ri është krejt i ndryshëm nga ai që lanë pas në momentin kur u mbyllën. Pandemia nuk kaloi pa pasoja dhe, siç pohojnë pronarë të ndryshëm të lokaleve dhe restoranteve në Tiranë për gazetën “Fjala”, dëmi më i madh që ka shkaktuar virusi ka qenë ekonomik. Megjithatë, edhe pse janë rihapur me rregulla strikte, sfida për baret dhe restorantet nis tani, me një klientelë të pakët, si pasojë e rënies ekonomike në vend dhe frikës që virusi ka shkaktuar te njerëzit.

Ndodhemi në hyrje të Komunës së Parisit, një ndër zonat më të populluara të kryeqytetit, ku rinia shpesh vendos të kalojë kohën e lirë, duke shijuar një pije apo biseduar me shoqërinë në baret e kësaj zone. Futemi në njërin ndër lokalet që gjendet në hyrje dhe mban emrin e zonës “Te Komuna”. Ndonëse tavolinat janë përgjysmuar, për të siguruar distancën e parashikuar nga qeveria, si një ndër rregullat për rihapjen e lokaleve, duket se njërëzit kanë vendosur t’i braktisin kafenetë, duke e lënë ambientin të zbrazur. Një braktisje ndoshta e detyruar, po kursejnë…!

Pronari i lokalit, Ervin Pallaveshi, tregon për gazetën “Fjala” se realiteti i ri është i hidhur, dhe faktorë të shumtë po e çojnë biznesin drejt pamundësisë për t’u rimëkëmbur.

“Kjo është situata më e keqe që kam parë në 15 vjet punë që merrem me lokalet. Ky ambient është i hapur prej 7 vitesh, por mendoj se mbyllja për rreth dy muaj na penalizoi shumë. Rihapja e lokalit pas COVID-19 u nis me rreth 10 milion lekë (të vjetër) minus. Me atë çfarë kam parë këto ditë, nuk mendoj se do të rimëkëmbemi shpejt, edhe nëse shtohet klientela, njerëzit kanë rënie në ekonomi dhe nuk shpenzojnë më me të njëjtin volum si më parë. Edhe nëse vijnë klientë në lokal, produkti që konsumohet më së shumti është kafeja, ndërkohë më përpara xhiroja ishte më e lartë. Tashmë nuk është më e njëjta gjë, për mua kjo situatë është shumë e vështirë”, u shpreh pronari i barit “Te Komuna”.

Tavolina plot, klientë pak

Më tej Ervin Pallaveshi theksoi se këtë periudhë ka munguar mbështetja për këtë kategori biznesi, dhe këto dy muaj pandemie ku të ardhurat e biznesit ranë, i është dashur të paguajë taksat, energjinë elektrike, punëtorët, sigurimet dhe tatimet. Gjithashtu, nuk lë pa përmendur faktin se kjo ishte goditja e dytë për biznesin e tij, pasi u përball me një humbje të madhe ekonomike edhe gjatë dhjetorit, kur tërmeti goditi vendin tonë.

“Situata është shumë e vështirë, pasi kjo erdhi direkt pas tërmetit, i cili u shoqërua gjithashtu me humbje të mëdha. Një pjesë të investimit unë e kam bërë pak para se të binte tërmeti, dhe pas tërmetit një lokal që bën 500 mijë lekë (të vjetër) xhiro ditore, pas tërmetit ne kemi dalë për rreth një muaj e gjysmë me 50-70 mijë lekë (të vjetra) xhiro ditore, sepse njerëzit u larguan nga Tirana”, tregon Pallaveshi.

Lexo edhe :  Shqiptarët hyjnë në borxh për të blerë pajisje dhe shtëpi, rekord kredish në fundvit

Ndërsa largohemi prej tij, duke i konstatuar dukshëm pezimizmin, ndalemi përsëri në Komunën e Parisit, kësaj here te bar-kafe “Kika 2”. Në ambientin e jashtëm të lokalit ndodhet administratori Taulant Hysenaj, i cili teksa na përshëndet tregon ambientin ku klientela mungon, pavarësisht masave të marra për të plotësuar kriteret e vendosura për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Ka pak rënie klientele, mendoj se kjo vjen pasi njerëzit janë shumë të frikësuar dhe të panikosur nga virusi. Kjo vihet re edhe nga porositë që kërkojnë, duke e specifikuar që kafen e duan me gotë kartoni. Besoj se do të duhet pak kohë deri sa të rikthehemi në normalitet. Një tjetër problem që ka shkaktuar rënien e klientës mendoj se vjen ngaqë gjatë kohës që ishim mbyllur, shumica e qytetarëve janë pajisur me ekspres në shtëpi. Tashmë mund të bëjnë dhe pa lokalin”, u shpreh Hysenaj, teksa thekson se lokali i tij është një biznes i vogël me klientelë të njëjtë, por me humbje më të lartë po përballen lokalet e mëdha.

Lokalet nuk mund ta kenë më fluksin e dikurshëm, në një tavolinë lejohen vetëm dy persona dhe në distancë 2 metra nga tavolinat e tjera.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qëndër të kryeqytetit, konkretisht në zonën e Pazarit të Ri. Adrian Kërçiku, pronar i “Ardi Kafe”, shpreson që rihapja e lokalit të ndihmojë në rimëkëmbjen e biznesit.

“Kemi qëndruar rreth dy muaj pushim, por besoj se tashmë që u rihapëm do jetë më ndryshe. Si të gjithë, kemi pasur problem prej mbylljes për një periudhë kohore të gjatë. Ndaj është pak e vështirë të them se kur mund të rimëkëmbemi. Një ndër arsyet që e vështirëson rimëkëmbjen është ana ekonomike e njerëzve”, tregon Kërçiku, teksa thekson se klientela e vjetër e lokalit të tij janë tregtarët e Pazarit të Ri, të cilët ende nuk e kanë frekuentuar lokalin, ndonëse qëndron i hapur prej dy ditësh.

Në lëmin e “ankesave” Kërçiku vlerëson vendimin e Bashkisë Tiranë për mospagimin e hapësirës publike.

Zhvendosemi në një zonë tjetër, në rrugën “Bardhyl”, për të pasqyruar situatën e lokaleve të cilat janë biznese familjare, ku të ardhurat dhe mbijetesa sigurohet nga vetë lokali. Ndodhemi te bar-kafe “Gabri”, që gjendet mes pallateve dhe klientela e vjetër duket se mungon. Pronari i ambientit, Pëllumb Gaçi, shprehet se epidemia dhe izolimi për rreth 2 muaj ka shkaktuar probleme ekonomike te qytetarët dhe kjo pasqyrohet te lokalet, ku klientela nuk është më si më parë.

“Ky është biznes familjar, punoj së bashku me gruan dhe kam dy punëtorë. E vetmja ndihmë që mora nga shteti ishte 260 mijë lekë pagë lufte për gjithë këtë periudhë, ndërkohë për këta muaj kam paguar 960 mijë lekë (të vjetër) vetëm sigurime. Jemi drejt falimentimit dhe është thuajse e pamundur të kthehemi siç ishim para pandemisë. Klientela ka rënë, ndoshta nga pamundësia ekonomike e njerëzve, shumë prej të cilëve kanë mbetur pa punë”, tregon Pëllumb Gaçi./Fjala.al

Të fundit

Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse pini shafran të Indisë çdo ditë!

Shafrani i Indisë është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të marrë të gjitha përfitimet e mahnitshme...

Ja cilat janë universitetet më të mira në Europë

36 nga 100 universitetet më të mira globale janë në Europë, një rritje disi e konsiderueshme në krahasim me 28 universitetet që kishte Europa...

Po afron 14 shkurti dhe ti je single? Ja 5 arsye për të festuar

14 shkurtin zakonisht çiftet e kalojnë bashkë, por kjo datë është gjithashtu dita më e mirë që ju të dashuroheni me veten. Është koha...

FOTO/ Familjarët e Loredanës ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre

Nuk ndalen familjarët e Loredanës/ Pas largimit të Jozit nga shtëpia, ata e ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre Ata kanë publikuar një imazh të saj...

Donald Trump planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën

Presidenti Donald Trump po planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën, duke shënuar herën e parë që një president...

Lajme të tjera

Web TV