Pas protestës të mbajtur ditën e hënë, pritet që pasditen e sotme ashtu siç është paralajmëruar të mbahet protesta e dytë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Protesta është thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe pritet të nisë rreth orës 17:30.
Me thirrjet “Lironi aktivistët, duam drejtësi, jetojmë për Liri!”, përfaqësia e artistëve, njoftojnë mbajtjen e protestës tek hyrja e pedonales.
Ashtu si dhe në protestën e kaluar, edhe sot pritet që të bashkohet edhe opozita e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Megjithatë njëlloj si në protestën e parë, në podium do të ngjiten për të folur vetëm artistët dhe ata aktivistë të shoqërisë civile, që për më shumë se dy vite luftuan për ta mbrojtur godinën historike dhe që një pjesë e mirë e tyre ishin brenda në ndërtesë kur filloi shembja nga fadroma e INUV-it.
Kujtojmë se godina e Teatrit Kombëtar u shemb rreth orës 04.00 të mëngjesit të së dielës, në një moment kur ende s’kishte zbardhur dita.
Qëndroni në “Fjala.al” për të rejat më të fundit./b.b/Fjala.al