Presidenti Ilir Meta zbulon dhuratën që ka marrë mbrëmjen e kaluar nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, ku ndodhej për të uruar Natën e Shenjtë të Kadrit.
Përmes një mesazhi në Facebook, Meta thekson se ka marrë dhuratë një foto nga rihapja në 16 nëntor 1990, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
Mes të tjerash, Kreu i Shtetit citon Myftiun e Shkodrës, Muhamed B. Sytari, se “gurët dhe muret i shembën, por shpirtrat jo”, ku ky vjen edhe si një mesazh i koduar për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Shumë i lumtur që në këtë vit jubilar të 30-vjetorit të rikthimit të lirisë fetare, të merrja dje dhuratë një foto nga rihapja në 16 nëntor 1990, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
2169 faltore, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit u shkatërruan nga barbaria e diktaturës komuniste. Dhjetëra klerikë u martirizuan, u burgosën dhe u internuan.
Por siç me të drejtë thotë edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari: “Gurët dhe muret i shembën, por shpirtrat jo”.”, shkruan Meta.