Smeralda Çaça/ Me agjërim, nga protesta në komisariat

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfimi i nënës së 3 fëmijëve për shoqërimin në polici gjatë protestës së 17 majit

Nga Alessia Selimi

Ndërsa pret “iftarin”, Smeralda Çaça, 35 vjeç, vijon të protestojë për Teatrin Kombëtar. Ka veçse një pirg gërmadhash, jo më një godinë, por nuk stepet shpirti luftarak i kësaj gruaje të besimit islam. Mëngjesin e së dielës u shoqërua nga forcat policore, ndërkohë që ishte me agjërim. Megjithatë, Smeralda mban të njëjtin qendrim.

Si bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, si mësuese dhe përkthyese nga gjuha gjermane e disa veprave letrare e teologjike, Smeralda beson se shteti i së drejtës ndërtohet veçse me përpjekje dhe se kultura dhe prosperiteti vijnë më pas.

Ajo iu bashkua kauzës së artistëve verën e vitit të kaluar, pavarësisht se jetonte larg qendrës së kryeqytetit dhe se i duhej të ecte në këmbë me orë të tëra, për t’u rreshtuar krah qëndrestarëve. Me një shami të gjelbër sot e shohim po krah tyre.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Smeralda rrëfen momentin e shoqërimit dhe vështirësitë që e kanë shoqëruar që nga momenti kur vendosi të protestonte për ndërtimin e një teatri të ri. Duke e parë të pashmangshme, ajo ndien nevojën të ndalet edhe te besimi islam, që jo rrallëherë paragjykohet si fanatik dhe shtypës në raport me liritë shoqërore të grave.

Si ju lindi dëshira për t’u përfshirë në kauzën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar?

Iu bashkova artistëve mbas natës së parë, kur u bënë thirrje qytetarëve që t’i bashkoheshin në qëndrim. Asokohe doja thjesht të isha krah tyre, duke mos qenë aspak e ndërgjegjshme për vlerën e godinës. Por me kalimin e kohës, kuptova që nuk bëhej fjalë vetëm për teatrin. Në fakt, është një revoltë, një protestë për shumë ngjarje, për shumë padrejtësi që ndodhin në vendin tonë, duke filluar nga plaçkitja e pronës publike.

Keni ju një lidhje shpirtërore me teatrin, skenën, aktin shoqëror të pranisë dhe të përcjelljes së një shfaqjeje?

Jam njohur me fuqinë dhe magjinë e teatrit gjatë kohës kur ndiqja studimet për gjuhën gjermane. Shfaqjet që viheshin në skenë i ndiqja rregullisht. Por, pasi përfundova studimet, u largova nga Tirana. Rrjedhimisht edhe nga teatri. Për shumë vite kam jetuar e punuar si mësuese së bashku me bashkëshortin tim nëpër qytete të vogla që nuk kanë teatro (Kavajë, Cërrik etj.)  Kur e mendoj, kjo është një tjetër arsye se përse u jam bashkuar artistëve. Në mangësi të godinave të këtij lloji, merret përsipër të shembet një e tillë, kur fare mirë mund të mendohet bashkëjetesa e së resë me të vjetrën.

E kundërshtuat deri në fund prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nuk vonoi shumë kur u shoqëruat së bashku me një pjesë tjetër protestuesish. Çfarë mbani mend nga ai moment?

Isha dëshmitare e prishjes së godinës së dytë, pasi e para ishte shembur pothuajse e gjitha. Kur po shihja atë sjellje barbare dhe të pamëshirshme, jo vetëm ndaj historisë dhe kulturës, por edhe ndaj përpjekjeve titanike të një numri jo të pakët njerëzish, nuk po arrija dot t’u besoja syve. Isha e lënduar dhe doja të çaja me çdo kusht kordonin policor. Kuptohet, me dëshirën për të ndaluar prishjen e godinës së dytë. Dhe arrita ta bëja diçka të tillë, gjeta një hapësirë, u futa brenda. Ishte pikërisht ky momenti kur më rrethoi një grup policësh.

Lexo edhe :  Rama thirrje për t’iu bashkuar aksionit të pastrimit: Do zhvillohet në 10 parqe

Disa protestues deklaruan për mediat se efektivët ushtruan dhunë ndaj tyre. Mund të thoni të njëjtën gjë?

Për të qenë e sinqertë, efektivët nuk ushtruan dhunë ndaj meje. Ndoshta sepse turma po bërtiste, duke u thënë se isha me agjërim. Besoj se kjo më shpëtoi nga dhuna. Ata që deklaruan se janë goditur dhe rrahur, nuk kanë mashtruar. I kam parë me sytë e mi se si janë plandosur në tokë, se si janë shkelmuar, se si disa gra u përpoqën të mbronin një djalë nga shkelmat e policëve. Kur isha në komisariat, pashë një tjetër djalë të dhunuar dhe të gjakosur keqazi; e kishin shqyer nga rrobat.

Ka qenë e vështirë për ju, si praktikante e besimit islam, që të angazhoheshit në iniciativën për të mbrojtur kauzën e Teatrit Kombëtar?

Në momentin kur u ndalova dhe u shoqërova nga efektivët, isha me agjërim. Nuk kisha konsumuar kurrfarë ushqimi gjatë gjithë ditës, prej lindjes së diellit. Siç mund të kuptohet, nuk ishte aspak e lehtë për mua e gjithë ajo situatë. Megjithatë, nuk e prisha agjërimin, ndonëse islamizmi e lejon në rast se ndodhesh në vështirësi, apo kur ndihesh keq fizikisht. Arsyeja? Fare e thjeshtë! Nuk doja të ndihesha e mposhtur. Ata na morën teatrin, e shembën, hodhën poshtë sakrificën e një numri të lartë aktivistësh. Nuk doja kurrsesi të ndihesha e gjunjëzuar, më e lenduar nga ç’isha. Për t’iu rikthyer vështirësive, kam hasur edhe kur u komunikova prindërve të mi në moshë të hershme se doja të vendosja shami dhe të isha pjesë e besimit islam. Si fëmijë e dy prindërve intelektualë që fatkeqësisht kanë shembur xhami në kohֻën e komunizmit nga frika për jetën, hasa rezistencë tepër të madhe. Por edhe si dy njerëz mendjehapur, e pranuan vendimin tim. Dua të dal te kjo, që vështirësitë na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Keni krijuar miqësi në rrethin e aktivistëve të Teatrit Kombëtar?

Kam lidhur shumë miqësi. Përpara se të shembej godina e Teatrit Kombëtar, aktivistët mblidheshin çdo ditë dhe arrinin të krijonin një atmosferë shumë interesante, një atmosferë që nuk e kisha hasur kurrë më parë. Fillimisht isha e ndrojtur, edhe për shkak të besimit tim. Por në këtë kauzë pak rëndësi kishte besimi. U krijua një atmosferë pa dallime kulturore, fetare, intelektuale. Të gjithë u bënë bashkë, jo vetëm për teatrin, por edhe duke ndarë shqetësime të së përditshmes.

Përse ndodheni sot këtu, në protestën e dytë të zhvilluar pas shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar?

Për të njëjtën arsye që janë mbledhur sot të gjithë: Teatri Kombëtar duhet të rikthehet siç ishte, për identitetin, kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Teatri Kombëtar duhet të rindërtohet për ata artistë që kanë larë me duart e tyre çdo hapësirë të godinës, si dhe për një të ardhme jo të zymtë për fëmijët tanë. Teatri duhet të rikthehet për një politikë që u mëshon vlerave demokratike, jo diktaturës.

Të fundit

Gusht 1814, kur Uashingtoni u dogj dhe Shtëpia e Bardhë u shkatërrua nga britanikët

Ngjarja ndodhi gjatë Luftës së vitit 1812, një konflikt mes Shteteve të Bashkuara dhe Perandorisë Britanike. Lufta kishte shpërthyer...

Vrau gruan, avokati i shqiptarit: U zemërua nga sjellja e saj provokuese

Avokati mbrojtës i Pandeli Nakolecit, 40-vjeçarit shqiptar i cili vrau gruan e tij 36-vjeçare pas një konflikti të rëndë mes tyre, ka folur për...

Jahti i tij u zhduk rrugës për në Mykonos, gjendet pas 19 ditësh trupi i biznesmenit turk

Pas 19 ditësh kërkimesh intensive, autoritetet turke kanë gjetur në një thellësi prej 68 metrash trupin e biznesmenit Halit Yukay, varka e të cilit...

Kush i zotëron të drejtat e autorit për punën e krijuar nga Inteligjenca Artificiale?

Inteligjenca Artificiale (AI) gjeneruese ka ngritur dy dilema kryesore mbi të drejtat e autorit. E para ka të bëjë me kompensimin për veprat që...

“Përplasja” me gazetarin/ Lul Morina: Nuk kam përfituar asnjë tender publik

  Të nderuar bashkombas, miq e dashamirës! Desha t’ju percjell në respekt tuajin një ndjesë të thellë publike lidhur me një reagim timin të irrituar...

Lajme të tjera

Web TV