Çfarë do ndodhë në politikën shqiptare? Ja parashikimi i Luan Ramës

Opozita vazhdon ta cilësojë qeverisjen e Edi Ramës një regjim diktatorial. Po si e rrëzon opozita atë që ajo e quan regjim? Luan Rama bëri parashikimin e tij lidhur me atë që pritet të ndodhë në politikën shqiptare, në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU”

-Dua një përgjigje koncize të asaj që ju parashikoni se çfarë do ndodhë më tej me këtë situatë.

– Unë nuk di të bëj orakullin por di të them këtë gjë, dhe këtë e them me bindje që Shqipëria shumë shpejt do shpëtojë nga thundra e një regjimi që të të tërë parametrat e qeverisjes është antipopullor, siç është regjimi i Edi Ramës. Shqipëria do shpëtojë, nuk thashë që do ikë vetë. Regjimet nuk ikin vetë. Në të gjithë historinë e zhvillimeve politike në mbarë botën, regjimet rrëzohen me bashkimin e vullnetit të të gjithë qytetarëve kundër të keqes.

-A ka frymë për ta rrëzuar Edi Ramën?

-Fryma për ta rrëzuar Edi Ramën ka qenë më e hershme sesa sot.

-Na thuaj konkretisht si do ikë Edi Rama. Sepse “regjimet rrëzohen” është shumë poetike.

-Nuk është poetike, është historike. Është reflektimi i një përvoje historike dhe ju siguroj për një gjë, keni për të parë shumë shpejt që situata ekonomike, kriza e ashpër ekonomike, ka për ta zënë për fyti qeverinë e Edi Ramës dhe ai nuk do ketë rrugë tjetër përveç se të ikë nga qeveria duke marrë mbi vete kostot dhe përgjegjësitë e këtij realiteti që ka krijuar.