Yuri Kim, ambasadorja që po tremb politikën shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, “tmerron” elitën politike shqiptare dhe protagonistët e dy dekadave të fundit.

Cili është qëllimi i ambasadores që ka vetëm katër muaj në detyrë si kryediplomate e SHBA-së në vendin tonë?

Reforma në drejtësi dhe sistemi zgjedhor, dy pikat kyçe që mund të “vrasin” një kastë politike. Togfjalëshi: “SHBA-ja dhe qytetarët” përballë të gjithëpushtetshmëve! Kim nuk erdhi për të dështuar…!

Nga Sebi Alla

Në fillim dëgjoi të gjitha palët, dhe iu deshën katër muaj e 11 ditë për t’u dhënë një mesazh të fortë politikanëve tanë: “larg duart” nga reforma në drejtësi; ulni kokën dhe punoni për reformën zgjedhore!

Ra si bombë deklarata e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, se ka zëra për “marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”. Vetëm pak orë para këtij reagimi, kishte nisur edhe një e-mail në grupin e reformës zgjedhore, ku u kërkonte të shihnin mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Dy qëndrime të forta që i trullosën protagonistët e politikës sonë, të cilët deri më tani e konsideronin veten të gjithëfuqishëm dhe tërësisht të paprekshëm.

Presidenti Ilir Meta  regoi: “Nuk e pengoj unë reformën në drejtësi”, kryeministri Edi Rama gjithashtu nënkuptoi se nuk ishte ai që luante fijet për të “vrarë reformën”, nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha e kishte më të lehtë të thoshte se kur nuk janë ata të dy – unë s’jam e s’jam… Ambasada amerikane e di kush janë, (vetëm ajo nuk flet me hamendje), madje edhe si po luajnë, me dyshimin e fortë se ata kundërshtarë të sotëm politikë në Shqipëri që mbajnë vendin të turbulluar dhe në zgrip të destabilizimit, e kanë fort të lehtë të bëhen bashkë për të mos pasur një drejtësi, e cila të japë provat se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Korrupsioni, shkeljet ligjore, lidhjet me elementë të botës së errët të krimit, përfshirja në afera, apo tjetërsimi i votës, janë mëkati i madh i tri dekadave në vendin tonë. A ka ardhur koha të japin llogari ligjore?

Qytetarët e kërkojnë, ndërkombëtarët gjithashtu. Duhet një zë i fortë, nevojitet një figurë e fuqishme që ta artikulojë dhe, mbi të gjitha një superfuqi, për t’ia ulur fuqinë një breznie politike që ka qeverisur me mentalitetin e autokratit dhe të korrupsionit. Superfuqia është SHBA, (me përfaqësinë e saj diplomatike në Tiranë), njeriun gjithashtu e ka gjetur, Yuri Kim, e cila me staturë të kultivuar personale, i ka mundësitë për të ndarë në vendin tonë një epokë, ku thelbi është krijimi i drejtësisë së pavarur dhe profesionale.

Kushtet ngjajnë se janë pjekur, por nevojitet një dorë për të plotësuar pazëllin që shpesh shkatërrohet nga elita jonë politike, pikërisht në momentin kur vendoset elementi i fundit…!

Reforma në drejtësi

22 korrik 2016, temperaturat e larta të verës ishin telashi më i vogël para asaj që pritej të ndodhte. Shënohej dita e fundit që elita politike dhe deputetët e parlamentit të votonin ndryshimet e nevojshme kushtetuese për nisjen e reformës në drejtësi.

Natë historike! 140 deputetë ngritën përpjetë kartonët jeshilë, me dhe pa dëshirën e tyre, (me gjasë, shumë pa dëshirën e tyre), por ishte një kusht që duhet të plotësohej. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, u përqafuan në lozhën e parlamentit, fort të lehtësuar pas një pune të jashtëzakonshme dhe takimeve të shpeshta sa në një zyrë të mazhorancës, në një tjetër të opozitës.

Teksa dy përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së dhe BE-së ndanin suksesin, poshtë në “teatrin politik” deputetët duartrokisnin “veten” për këtë “të mirë” që do t’i jepnin shoqërisë! Korriku po vjen, por jemi katër vite më larg.

Ku është reforma e pompuar kaq shumë? Ku janë “peshqit e mëdhenj” që aq shumë i përmendi ambasadori Lu? Po politikanët tanë që u bënë “engjëj” për një natë dhe “djaj të kamufluar” për katër vite, duke sjellë sot një produkt gjysmak të drejtësisë së re dhe, mbi të gjitha, nën akuzën për kapjen e saj.

Ambasadorja amerikane nuk mund të kuptonte për katër muaj në detyrë atë që politika jonë bëri për katër vjet 2016-2020, për çështjen e drejtësisë, por ajo duket se ka qenë më se e qartë para se të zbriste në aeroportin e Rinasit.

Veprimet e saj janë mjaft interasante për t’u deshifruar sot. Në fillim shkoi në çdo zyrë të politikanëve të rëndësishëm të vendit, më pas priti, heshti për të kuptuar! Me siguri nuk është “surprizuar” pasi e ka pasur një parandjenjë që po luhej diçka me reformën në drejtësi, por edhe atë zgjedhore, si dy shtyllat ku politika jonë është mbajtur fort për të mos i lëshuar, për interes të saj dhe në dëm të shoqërisë.

Ambasadorja amerikane bëri lëvizjen e radhës dhe pikërisht bash e në zemër të dy institucioneve elitë të vetting-ut. Anëtari i KPA-së (Kolegjit të Posaçëm të Apelimit), Luan Daci, u pezullua nga detyra pak ditë më parë, i dyshuar për “falsifikim dokumentesh”, gjithashtu ka lëvizje edhe në KPK, (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), në shkallën e parë të vetting-ut. Para se të zgjidhej në pjesën elite, tre vjet më parë, për Dacin kishin dalë shumë shkrime, madje edhe denocime nga opozita, por “e vendosën” në atë post duke ia kthyer “falsifikimin e dokumenteve” si fletë nderi…!

Po përse u vendos në lëvizje KAP-i bashkë me SPAK-un, pikërisht tani? Sigurisht që ambasada e di mirë… Së pari, po synohet t’u kthehet besimi institucioneve të reja të drejtësisë, për të pastruar atë pjesë që realisht e bën pis, si me të shkuarën e tyre, ashtu edhe me dyshimin se janë të “dërguarit” e një pjese të politikës.

Vetë ambasada amerikane para disa kohësh financoi një sondazh mbi perceptimin publik për reformën në drejtësi, pa dyshim nuk janë ndier mirë kur besimi i publikut kishte rënë ndjeshëm, krejt ndryshe nga tre apo katër vite më parë.

A mund të pranohej ky dështim nga sponsorizuesit kryesorë të reformës në drejtësi? Ambasadorja Kim, të paktën deri më tani, po na tregon se kjo kurrsesi nuk mund të pranohet. Jo më kot në frazat e deklaratave të shkurtra, por aq të kuptueshme, ajo përmend dy fjalë: “Qytetarët e Shqipërisë dhe ambasada…”!

Nuk ka nevojë të jenë kaq të shumtë në numër “qytetar + ambasadë” për të vënë poshtë një grup politikanësh, por është momenti të luhet edhe diplomatikisht, pa arritur deri në përdorimin e “shkopit made in USA”. Ambasadorja e re në Tiranë vjen si zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shetit.

Lexo edhe :  Ekipi i PS për 11 majin! Drejtuesit politikë do jenë në listat e sigurta

Është profili mes një teknicieneje dhe diplomateje, që duket se suskesin e ka pikërisht në thënien copë të problemeve dhe bash e në sy. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim e duhet të vazhdojë”, – shkroi Kim në mesditën e 21 majit.

Janë vetëm tre rreshta “deklaratë”, për të trembur realish politikanët që kanë 30 vite në pushtet, por edhe ata të opozitës, në një rotacion strikt matematikor mes tyre në ndarjen e pushtetit. Emrat kanë ndryshuar, por fatkeqësisht përmbajtja qeverisëse mbetet po ajo.

Reforma Zgjedhore

Është shumë i largët marsi i vitit 1992, momenti kur për herë të parë nuk janë kundërshtuar zgjedhjet. Ironikisht ato zgjedhje u organizuan nga sistemi komunist dhe presupozohej që tashmë Shqipëria ishte futur në demokracinë përfaqësuese. Në letra po, në realitet aspak. Shunë zgjedhje që pasuan janë kundërshtuar nga secila palë që e shihte veten në opozitë. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar që merrej me mbikëqyrjen dështoi. “Zgjedhjet ishin të lira dhe ndershme, por me disa probleme teknike.”

– Kjo ishte fraza që u përdor kaq dendur nga OSBE/ODIHR-i, sa gati dukej si “copy paste” në çdo raport, pavarësisht se vitet iknin. Nga frika e ndonjë katrahure si ajo e vitit 1997, faktori ndërkombëtar më shumë anoi nga “stabilokracia” sesa demokracia, ndonëse zgjedhjet e lira dhe ndershme janë një nga elementet kyç të demokracisë.

Koha duket se nuk pret më! Zgjedhjet e ardhshme janë në prag, viti vjen shpejt, drejtësia gjithashtu është në grahmat e fundit, Gjykatë Kushtetuese nuk ka, Gjykata e Lartë gjithashtu jofunksionale, ndërsa për shkak të vetting-ut mund të bjerë edhe ajo e Apelit.

Nëse reforma në drejtësi merr udhën që ia tregon SHBA-ja, atëherë pika tjetër janë zgjedhjet. Palët deri tani kanë diskutuar e në një pjesë edhe dakordësuar mbi detaje teknike, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por thelbi nuk është prekur.

Këtu vjen një propozim në një e-mail, por “postëdërguesja elektronike” kishte tjetër staturë dhe fuqi, ambasadorja Yuri Kim. Ndryshimi i sistemit zgjedhor do t’u jepte mundësi subjekteve të reja politike që të dilnin në skenë, jo vetëm si emra të “papërlyer” apo në moshë të re, por shpresohet se do të jetë hapi i parë për të larguar butësisht një establishment politik shqiptar, protagonist të këtyre dy dekadave, majtas, djathtas apo në qendër.

Zhgënjimi i fundit…!

Ka një mbingarkesë kolektive që ecën bashkë me zhgënjimin masiv të qytetarëve ndaj shumë prej drejtuesve politikë apo të pushteteve që përfaqësojnë. Kjo është e dukshme, por zhgënjimi ka kthyer kah.

Shqiptarët deri më tani e kanë parë Evropën dhe SHBA-në si të vetmen shpresë që mund të sjellë ndryshimin, pasi janë përpjekur ta bëjnë ndryshimin me votë, por, fatkeqësisht, vota e tyre është tjetërsuar. Mjaft qytetarëve u mohohet një e drejtë në zyrat e shtetit, sorollaten, përbuzen dhe shkatërrohen dyerve të gjykatës për një drejtësi që kurrë nuk e gjetën.

Pasi ezauruan edhe fijen e fundit të nervit dhe humbjen e shpresës, po “hakërrehen” ndaj ndërkombëtarëve. Pa dhunë, pa anatemim të hapur, por shprehja që vret më tepër, e cila fatkeqësisht është masive mbetet se “edha ata janë në një thes”, vijnë e ikin, por nuk po japin ndryshimin e madh, duke mbështetur gjithnjë pushtetet për hir të ruajtjes së stabilitetit.

Shpresën te BE-ja apo përfaqësuesit e tyre në Tiranë e kanë humbur, por po venitet disi edhe ajo te SHBA-ja. Nëse edhe këtë herë faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ja dështon, ky nuk është më lajmi që duan të dëgjojnë në Departamentin amerikan të Shtetit, prandaj sot kanë të drejtë të tremben, madje edhe ta shfaqin frikën politikanët tanë!

YURI KIM

GJENERALITETET: Lindi më 1971

STATUSI DIPLOMATIK: Ambasadore e SHBA në Tiranë

QËNDRIMI NË KRYE TË AMBASADËS: Nga 10 janari 2020

DETYRA PARAARDHËSE: Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore në Byronë e Departamentit të Shtetit për Euroazinë

PËR T’U MBAJTUR MEND: Merr detyrën në një moment kur Shqipëria është përfshirë nga një krizë e thellë politike

Pasi ambasada amerikane u drejtua nga e ngarkuara me punë Leyla Moses Ones nga 19 shtatori 2018-10 janar 2020, në krye erdhi ambasadorja e re, Yuri Kim.

Kishte një simbolikë të veçantë që teksa betohej më 9 janar si ambasadore e SHBA-së, Kim kishte edhe dy të ftuar specialë: Chris Hill, diplomatin e parë amerikan në vitin 1990, pas më shumë se gjysmë shekulli mungesë marrëdhëniesh diplomatike si dhe Elez Biberajn, drejtorin e “VOA” për Euroazinë.

Të dy miqtë specialë ia thanë pothuajse në një zë diplomates Kim: Mikpritja shqiptare është një legjendë. Dhe sapo vuri këmbë në Tiranë, ajo e pa me sytë e saj këtë legjendë. Aq sa në takimin me politikanë dhe gazetarë vetë Kim tha: “Tani e kuptoj që legjenda për mikpritjen shqiptare është thjesht pohim i një fakti”.

Por mikpritja shqiptare është pjesa romantike e ndjesisë shqiptare në punën e ambasadores. Për tri vite në krye të ambasadës amerikane Kim ka disa sfida për të kaluar. Por mes të gjithave ka një bast mbi bastet, teksa ka marrë detyrën në Shqipëri.

Dhe kjo është reforma në drejtësi, prej afro 4 vitesh nga miratimi në Parlament. Skeptikët janë shtuar shumë, ndërsa kritikët më të ashpër të saj thonë se kjo reformë po fut shumë ujë. Sipas opozitës, institucionet e saj që po ngrihen janë bërë si shtojcë e qeverisë, ndërsa kreu i shtetit e përkufizon vetëm me një emër, Ramaformë.

Por, ndërkohë, gjatë këtyre katër viteve nuk ka munguar asnjëherë mbështetja që ambasada amerikane i ka bërë kësaj reforme. Një reformë që, duke u cilësuar si ekskluzive e SHBA-së, për diplomaten Kim merr një rëndësi të veçantë.

Për shkak të pandëshkueshmërisë ndaj abuzuesve në këta 30 vjet tranzicion, pyetja e madhe e opinionit publik është: A do të arrestohen ata politikanë që kanë vjedhur paratë publike? Nëse kjo do të arrihet dhe politika shqiptare do të tronditet, pa dyshim që Kim do të quhet një histori suksesi.

Shënim: Marrë nga shkrimi i Roland Qafokut me titull: “Ambasadorët amerikanë që ndikuan në tranzicionin shqiptar”

Të fundit

Ulja e çmimit të energjisë, OSHEE: Familjet kursejnë deri në 100 euro në vit

Duke nisur nga 1 shkurti 2025 qytetarët do të paguajnë një çmim më të ulët të energjisë elektrike me...

Si asnjëherë më parë/ Ledion Lico ‘shpërthen’ në ofendime ndaj banorit të BBVA

Prime i mbremjes se sotme nisi me videon e bujshme te Loredanes dhe Jozit qe qarkulloi ne rrjet. Ne kete video shfaqet Jozi ku tenton...

76% e shqiptarëve mbështesin SPAK, Vangjeli: “Karamelja” e hidhur e 9 viteve më parë

Instituti Ndërkombëtar Republikan ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë për drejtësinë, partitë politikë, qeverinë dhe liderët. Në të dhënat e nxjerra nga 1200 të...

Ekonomia e klikimeve: Çfarë humbet Shqipëria me mbylljen e TikTok?

Në fundin e muajit dhjetor, kryeministri Rama lajmëroi mbylljen e platformës TikTok në territorin e Shqipërisë për një vit, duke i atribuar kësaj platforme...

Meloni për marrëveshjen e energjisë së gjelbër: Prodhimi në Shqipëri, eksporti në Itali

Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni ishte pjesë e takimit në Abu Dhabi ku u nënshkrua marrëveshje trilaterale Shqipëri-Itali-Emiratet e Bashkuara Arabe për prodhimin e...

Lajme të tjera

Web TV