Ndërsa COVID-19 po shuhet gradualisht, masat ekstreme po dëmtojnë bizneset. Flet për gazetën “Fjala” kreu i Shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahaj: Duhen 2 vjet për të rimarrë veten. Të hapen me protokoll sigurie.
Rreth 4 mijë biznese, bare e restorante, që nuk kanë ambiente jashtë, por janë struktura të mbyllura, nuk janë hapur. Ndërkohë që baret dhe restorantet e hoteleve që janë në të njëjtat kushte kanë nisur punën që më 18 maj, njëkohësisht me baret e restorantet që kanë ambiente jashtë.
Për përfaqësuesit e këtij sektori, ky vendim është i pakuptimtë. Bizneset kërkojnë të rinisin aktivitetin dhe të ndjekin protokollin e sigurisë që është tashmë në fuqi për strukturat e të njëjtit lloj. Sektori i shërbimeve, bareve dhe restoranteve është një nga sektorët më të dëmtuar nga mbyllja për më shumë se dy muaj, si pasojë e pandemisë COVID-19.
Këtij sektori do t’i duhen të paktën 2 vjet për ardhur në pikën që ishte në kohën kur me vendim qeverie mbylli dyert për klientët e tij. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Enri Jahaj, kreu i shoqatës së restoranteve, bareve dhe klubeve të natës, pohon se pandemia e ka kthyer këtë sektor të paktën 2 vjet prapa në investim dhe strategji, ndërkohë që pret t’i rikthehet normalitetit vetëm në vitin 2022.
Jahaj pohon se paketat që janë miratuar deri tani nga qeveria për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19 kanë qenë ndihmë emergjente për të punësuarit, ndërsa për bizneset nuk është marrë asnjë masë lehtësuese.
Jahaj rekomandon një ndërhyrje me grante për rimëkëmbjen e sektorit, siç mund të jetë dhënia e kredive pa interes, rimbursimi i qirave të humbura, ulja e TVSH-së në masën e hoteleve 6% dhe shtyrja e të gjitha taksave, pasi ky sektor rrezikon përgjysmimin.
Si e vlerësoni vendimin e qeverisë për hapjen e bareve dhe restoranteve vetëm për ambientet jashtë?
Vendimi i qeverisë për hapjen vetëm jashtë na gjeti pak të papërgatitur, pasi u hapën qendrat tregtare 1 javë më parë dhe pritej hapja e bareve dhe e restoranteve, kuptohet me distancim social, por në tërësi dhe jo të ndarë. Dhe sot ende nuk e kuptojmë riskun që sjellin ambientet e brendshme.
A keni statistika, sa bisnese bare e restorante nuk kanë ambiente jashtë? A e rekomandoni hapjen e tyre?
Sipas statistikave jozyrtare, janë rreth 20 deri 30 për qind e bareve dhe restoranteve që kanë ambiente brenda, i bie diku te 3000 ose 4000 biznese, por mendohet se e kanë spostuar aktivitetin në delivery.
Si ka ndikuar pandemia në këtë sektor?
Pandemia na ka kthyer të paktën 2 vjet prapa në investim dhe strategji. Pritet që sektori do të fillojë t’i rikthehet normalitetit vetëm në vitin 2022.
Çfarë masash duhen marrë për t’i dhënë frymëmarrje këtij sektori?
Duhet një strategji konkrete kombëtare sot, para se të jetë shumë vonë nesër. Rekomandimi ynë do të ishte ndërhyrja me kapital, me grante për rimëkëmbjen e sektorit, dhënia e kredive pa interes, rimbursimi i qirave të humbura, ulja e TVSH-së në masën e hoteleve 6%, si dhe shtyrja e të gjitha taksave, pasi ky sektor rrezikon përgjysmimin.
Si i vleresoni paketat e qeverisë për sektrorin tuaj?
Paketat kanë qenë ndihmë emergjente për të punësuarit tanë dhe jo për sektorin. Ky sektor nuk ka marrë asnjë ndihmë.
A duhen hapur baret dhe restorantet e mbyllura, dhe me çfarë masash sigurie?
Baret dhe restorantet e mbyllura duhet të hapen me të njëjtat masa që kanë edhe restorantet e hoteleve, kuptohet duke respektuar distancat, pasi në këtë realitet të ri ne nuk duam për asnjë moment t’i anashkalojmë masat e distancimit social, por nëse restorantet e hoteleve brenda janë të hapura, gjithashtu dhe qendrat tregtare, atëherë nuk kuptohet pse baret dhe restorantete që kanë ambiente të mbyllura, nuk duhet të hapen.
Raportet e BB-së, FMN-së dhe BERZH-it
Pasoja nga COVID-19/ Shqipëria, një nga vendet me varësinë më të lartë nga turizmi në botë
Shqipëria vlerësohet si një nga shtetet që do ta vuajë më shumë pandeminë e COVID-19 në ekonominë e saj, me një rënie që varion nga -5% sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, deri në -9%, sipas BERZH-it. Varësia e lartë nga turizmi është një prej arsyeve kryesore, që i bën pesimiste parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.
Visual Capitalist, duke përpunuar të dhënat nga Organizata Botërore e Turizmit, ka përpiluar një hartë që rendit shtetet me varësi më të lartë nga turizmi. Mes tyre renditet dhe Shqipëria, së bashku me Malin e Zi dhe Kroacinë.
Në hartë janë përfshirë shtetet, ku industria e turizmit dhe e udhëtimeve kontribuon direkt dhe indirekt në më shumë se 15% të punësimit. Shqipëria renditet në vendin e 30 në botë, për sa i përket peshës së turizmit në punësimin total, me 22%. Kroacia e ka këtë tregues në 25% dhe Mali i Zi në 33%.
Në mbarë botën, 44 shtete varen nga industria e turizmit dhe e udhëtimeve për më shumë se 15% të peshës së kësaj industrie në punësimin total. Nuk është surprizë që shumë nga shtetet që do të vuajnë dëmin më të madh ekonomik, janë nga vendet ishullore. P.sh., në Antigua & Barbuda, rreth 91% e vendeve të punës gjenerohen nga turizmi.
Sipas raportit, pa një fluks të qëndrueshëm nga të ardhurat nga turizmi, shumë shtete mund të përballen me efekte të rënda në ekonomi. Teksa industria globale e udhëtimeve dhe e turizmit ka ngecur, efektet në ekonominë globale janë me shtrirje të gjerë.
Në gjithë botën, rreth 330 milionë vende pune mbështeten nga turizmi, dhe ai kontribuon në 10%, ose 8,9 trilionë dollarë, të Prodhimit të Brendshëm Bruto global çdo vit. Operatorët turistikë kanë kërkuar vazhdimisht hapjen e kufijve dhe fillimin e aktivitetit të turizmit, përndryshe pasojat për sektorin do të jenë shumë të rënda.
Kryeministri Rama tha të dielën se hotelet do të hapen nga 1 qershori dhe plazhi për popullatën nga 10 qershori. Pesha e lartë e turizmit në ekonomi vlerësohet si një nga arsyet e rënies së fortë të pritshme këtë vit.
Sipas raportit të fundit të BERZH-it, “ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë që të goditet fort nga epidemia, për shkak të varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe eksportet me vlerë të ulët të mallrave ndërmjetëse me destinacion industrinë e modës në Itali.
Një reduktim i mundshëm i remitancave do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritje. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave që janë marrë për të frenuar virusin dhe nga një kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.