Të flesh me frikën e vdekjes, familja nga Kruja kërkon ndihmë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryefamiljari Bujar Karraçi tregon për gazetën “Fjala” se fëmijët e mitur flenë nën një strehë të pasigurt. “Nuk kemi ku të shkojmë, bonusi i qirasë nuk na del”

Nga Kevin Sinani

Krujë- U kanë shpëtuar dy tërmeteve, të shtatorit dhe nëntorit të 2019-s, por autoritetet lokale nuk janë kujdesur që familja Karraçi në Krujë të shpërngulet nga banesa e shkatërruar. Bujar Karraçi duhet të kujdeset çdo ditë për gjashtë anëtarët e familjes, të cilët nuk e kanë jetën e sigurt në atë godinë që detyrohen ta quajnë shtëpi.

Lexo edhe :  Arrestohet 47-vjeçari/ Grabiti me armë banesën në Krujë, policia gjen edhe…

Ai tregon për gazetën “Fjala” se nuk i del koha për të ndjekur udhëzimet e bashkisë së Krujës, që ndryshojnë vazhdimisht, dhe që i kanë pamundësuar gjetjen e një banese të re.

“U përpoqa dy javë për të gjetur shtëpi të re, por në Krujë shtëpitë po jepen 25 mijë lekë me qira, ndërkohë që bonusi që unë marr nga bashkia është 20 mijë lekë”, tregon Bujari, i cili sqaron se autoritetet lokale nuk kanë gjetur një zgjidhje për familjen e tij, edhe pse janë në dijeni të faktit se jeta u rrezikohet çdo ditë në atë ngrehinë ku jetojnë prej 7 vitesh.

Baba i tre fëmijëve, Bujari, niset çdo ditë në punë i frikësuar për jetën e të vegjëlve. “Fëmijët janë të moshës 4, 6 vjeç dhe 8 muajsh. Në familje punoj vetëm unë, ndërsa gruaja qëndron në shtëpi me fëmijët dhe me dy pleqtë. Përveç pleqve, edhe gruaja është invalide, pasi u është nënshtruar katër operacioneve”, tregon ai.

Tërmeti i shtatorit shkaktoi dëme të shumta në shtëpi, por ai i nëntorit e ka kthyer në të pabanueshme. Bujari ndihet fatlum që nuk ishte një prej 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, por, siç thotë edhe ai, në atë shtëpi nuk ka asnjë garanci për fëmijët, pasi godina është në gjendje të rënduar, sa mund të shembet në çdo minutë, pa qenë e nevojshme të ndihen lëkundjet e tokës.

Ende sot Bujari nuk e di pse bashkia e Krujës e ka refuzuar kërkesën e tij për t’u strehuar diku tjetër. “Unë nuk kam kohë të shkoj çdo ditë te bashkia, pasi rrezikoj të humbas punën. Me atë rrogë jetojmë 7 veta”, thotë ai.

Pamjet brenda banesës janë të frikshme. Muret janë çarë pothuajse plotësisht dhe në videon që ka dërguar në ‘Fjala.al’, në anën tjetër mund të shihet lehtësisht oborri. Të shtrirë në tokë flenë fëmijët, me çatinë që i rrezikon në çdo moment. Duket se ajo shtëpi është “bombarduar” sot dhe vetëm një mrekulli ka bërë të mundur që kjo familje të gëzojë shëndet.

Për sa u përket ndihmave që mori pas tërmetit shkatërrimtar, Bujari tregon se autoritetet i dërguan dy çadra dhe dy pako me ushqime. Por ai shprehet se është e pamundur të jetosh kaq gjatë në çadër, kur fëmijët janë ende shumë të vegjël.

Shpresa e vetme e Bujarit ka mbetur bamirësia dhe donacionet, pasi autoritetet përgjegjëse kanë dështuar ta ndihmojnë për të siguruar jetën e fëmijëve.

Edhe pas 6 muajsh nga tërmeti i 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe u shkatërruan mijëra banesa, mijëra qytetarë vijojnë të jetojnë nëpër çadra, ose janë rifutur në shtëpitë e dëmtuara duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Plani i rindërtimit të banesave u ngadalësua, për shkak të epidemisë së COVID-19, që përfshiu vendin tonë duke e futur 2 muaj në izolim.

s.k

Të fundit

A ke përdorur drogë? Ja si u përgjigj Rama për gazetën gjermane

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Die Ziet” ku ka folur për fëmijërinë dhe arritjet e tij...

7 persona vdiqën nga kequshqyerja në Gaza brenda 24 orëve

Shtatë persona të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, tha Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga...

Real Madrid gjen mbrojtësin perfekt, luan në La Liga!

Pavarësisht 4 transferimeve të bujshme që ka bërë tani, përfshi edhe qendërmbrojtësin Dean Hujisen, Real Madrid nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe planifikon...

Rama: Kemi bërë reforma që nuk kanë ndodhur që prej 1912

Në një intervistë për revistën gjermane ZEITmagazin, Kryeministri Edi Rama është ndalur te lufta kundër korrupsionit. I pyetur nëse korrupsioni është i përhapur në radhët...

Xhepat bosh, bankat plot, paradoksi shqiptar i kursimeve

Të varfër, por me kursime në banka. Në një kohë që gati 42 për qind e popullsisë kanë në xhepa më pak se 550...

Lajme të tjera

Web TV