Reforma Zgjedhore/4 orë negociata, sistemi danez kalon provën e parë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Takimi i mbrëmshëm i Këshillit Politik nuk sjell marrëveshje të re, por OSBE-ja pranon ta shqyrtojë sistemin zgjedhor danez si mundësi. Palët ndahen për qeveri trazitore para zgjedhjeve dhe ndryshimin e kryepolicit. Ambasada amerikane, e vetmja e kënaqur nga takimi

Nga Blerina Gjoka

Takimi i gjatë u mbyll mbrëmjen e djeshme pa një marrëveshje mes përfaqësuesve politikë të reformës zgjedhore, por me piketa të hedhura me pretendimet e secilit, duke lënë për sot raundin tjetër të bisedimeve. Përveç këtyre pretendimeve, ka një “lajm të ri” që lidhet me diskutimin për një sistem të ri zgjedhor.

Propozimi i ambasadës amerikane për një sistem të ri zgjedhor që garanton një demokraci më përfaqësuese, duket se po fiton terren në Këshillin Politik të ngritur për reformën zgjedhore, edhe pse akoma nuk ka dakordësi të gjerë politike.

Pas 4 orësh bisedime në Pallatin e Kongreseve 4 anëtarët e këtij këshilli, përkatësisht PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdari e grupimit opozitar parlamentar, kanë rënë dakord që ODIHR-i të sjellë një pasqyrim të detajuar të funksionimit të këtij sistemi. Kërkesa e bërë nga Hajdari u pranua me konsensus nga palët, ndërsa në mbledhjen e radhës çështja do të shtrohet për diskutim.

“Bëra një kërkesë ndaj ekspertëve dhe ODIHR-it që të bëjnë një pasqyrim të sistemit danez dhe patëm një konsensus për këtë. Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës, pasi të tjerat do të jenë arnime të vogla”, pohoi deputetja Hajdari pas mbledhjes. Edhe përfaqësuesi i mazhorancës la të hapur derën për ndryshim sistemi. “Çështja e sistemit do të lihet pas miratimit të Kodit Zgjedhor.

Nëse të gjitha partitë bien dakord për një system, atëherë jemi dakord”, pranoi Damian Gjiknuri. Megjithatë, mbledhja e djeshme nuk shënoi ndonjë progres në arritjen e konsensusit politik mes dy forcave kryesore, opozitës dhe mazhorancës, për disa nga çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.

Mazhoranca refuzoi kërkesën për qeveri tranzitore 3 muaj përpara zgjedhjeve, si dhe propozimin për një drejtor policie të ri 100 ditë para zgjedhjeve. Por, pavarësisht kësaj, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, e cila është investuar personalisht prej disa ditësh për nxitjen e palëve në arritjen e një marrëveshjeje, u duk e kënaqur me ecurinë.

Përmes një postimi në ‘twitter’ diplomatja amerikane theksoi se i vjen mirë që ky Këshill po përparon, ndërsa vlerësoi faktin se palët po vendosin për të ardhmen e Shqipërisë.

“Më vjen mirë që dëgjoj se Këshilli Politik për reformën zgjedhore po përparon shumë. Kam takuar të gjithë anëtarët, Rudina Hajdarin, Damian Gjiknurin, Oerd Bylykbashin, Petrit Vasilin dhe besoj se ata do të marrin vendime të mençura. Faleminderit që keni vendosur të ardhmen përpara”, shkruan Yuri Kim.

Përparim i vakët i reformës

Tryeza e gjatë nuk shënoi ndonjë progres, siç ndodhi me takimin e mëparshëm të Këshillit Politik, ku u dakordësuan 3 çështje, që ishin propozime të opozitës, periudha zgjedhore, kuotat gjinore dhe financimi i partive.

Debati ka ngecur në një pikë shumë delikate, që ka të bëjë me thelbin e kritikave që i adresohen problematikës zgjedhore në vend, siç është administrimi i tyre, roli i policisë së shtetit dhe besueshmëria e procesit të votimit. Mes palëve nuk pati dakordësi për sa i takon çështjes për numërimin biometrik, një nga kushtet e vendosura për këtë reformë.

Damian Gjiknuri i PS-së detajoi debatin e gjatë, duke bërë me dije se palët kanë rënë dakord për votim elektronik, por kërkohet plan implementimi.

U trajtua roli i policisë, parandalimi i krimit zgjedhor, masat ekstreme që kërkon opozita përfshirë edhe kamerat. Kemi debat edhe për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.

Ne kemi rënë dakord për votim elektronik në zgjedhje. Kërkohet identifikimi i zgjedhësve dhe përfshirja ku është e mundur të votimit dhe numërimit elektronik. Ne duam, por ODIHR-i thotë se teknologjia duhet të përfshihet gradualisht dhe në mënyrë të qartë. Zgjedhjet nuk mund të vihen në diskutim, është apo jo teknologjia”- tha Gjiknuri.

Duket se mazhorancës në pushtet i kërkohet garanci për ndershmërinë e zgjedhjeve të reja. Ai shtoi se u ra dakord për hapje të kutive normalisht, monitorimi i qendrave të votimit me kamera, por shtoi se “ne nuk kemi dhënë dot garanci 100 për qind”. Në lidhje me depolitizimin e zgjedhjeve, Gjiknuri u shpreh se mazhoranca ka rënë dakord për këtë pikë, por opozita kërkon përfaqësues politikë.

Lexo edhe :  Sfida e mazhorancës për zgjedhjet e 2025

“Ne jemi për depolitizim të administratës zgjedhore. Mirëpo, opozita u tërhoq”, bëri të ditur ai. Ndërsa për sa i përket kërkesës së opozitës që të ndryshohet drejtori i policisë para zgjedhjeve dhe emri i tij të jetë i pranuar dhe nga opozita, Gjiknuri e cilësoi kërkesë absurde. “Për praninë e policisë në zgjedhje, nuk ka model që të ketë drejtor policie për zgjedhje. Kjo nuk njihet në asnjë vend të botës”.

Presioni i OSBE-së para takimit: Të arrihet dialogu sa më shpejt

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, me anë të një deklarate publike krijoi shtytje për partitë politike të përfaqësuara në Këshillin Politik, që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për reformën zgjedhore.

Deklarata e tij u bë disa orë para mbledhjes së rëndësishme të së enjtes, ku palët do të diskutonin disa prej çështjeve më të nxehta të kësaj reforme.

“Përgëzoj partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për reformën zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare.

Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE-ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme.” – shkruan kreu i prezencës së OSBE-së.

Sipas tij, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.

“Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për reformën zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim.” – tha ai. Sipas Borchardt-it, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike.

“Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor.” – përfundoi ai, duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të sistemit, edhe pse kjo nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për reformën zgjedhore.

Lëvizjet diplomatike që i paraprinë tryezës për reformën

Ditët e fundit të majit dhe pikërisht dita e djeshme ka qenë e ngarkuar me takime, deklarata dhe lëvizje diplomatike që synonin nxitjen e partive politike në gjetjen e një konsensusi politik për reformën zgjedhore.

Duke pritur takimin e darkës së Këshillit Politik, përfaqësuesit ndërkombëtarë intensifikuan takimet dhe mesazhet drejtuar palëve politike, me qëllim gjetjen e “kompromiseve konstruktive”. Pas deklaratës së zyrës së OSBE-së në Tiranë, që vëzhgon nga afër negociatat, zyra diplomatike më e interesuar për këtë reformë duket se është ajo e Rrugës së Elbasanit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionin, ndërsa janë angazhuar ndjeshëm për t’i inkurajuar palët politike në vend drejt konsensusit për ligjin zgjedhor. Gjatë javës që po lëmë pas ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, zhvilloi takime intensive me aktorët politikë, me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Ajo, gjithashtu, të mërkurën thirri në takime të ndara anëtarët e Këshillit Politik. Gjatë ditës së djeshme shefja e diplomacisë amerikane u takua edhe me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku reforma zgjedhore dhe çështjet e integrimit kanë dominuar bisedën, e cila ka zgjatur rreth 60 minuta.

Kim është takuar përsëri dje me Damian Gjiknurin e PS-së, Rudina Hajdarin e opozitës parlamentare dhe Oerd Bylkbashin e PD-së dhe Petrit Vasilin e LSI-së, të gjithë anëtarë të Këshillit Politik për reformën.

Kjo reformë duket se po vëzhdohet dhe nga Bruskeli, pasi komisoneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, telefonoi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me të cilin ka diskutuar për integrimin dhe rëndësinë e reformës zgjedhore. Përmes një postimi në twitter, Basha tha se falënderoi komisionerin për mbështetjen dhe përpjeket për të kontribuar në reformën zgjedhore./Fjala.al

 

 

 

Të fundit

A beson Arjan Çani në Zot?

Të "Pashoq" vjen në këtë atmosferë Krishtlindjeje, me një puntatë speciale dhe një të ftuar po kaq special. Arian Çani...

Sa herë e ka tradhtuar? Blendi Fevziu çudit: E kam humbur gruan 11 vite vetëm se..

Gazetari i njohur i emisionit ‘Opinion’ Blendi Fevziu ditën e sotme ka qenë pjesë e një interviste për revistën ‘Class’. Ai i është përgjigjur ‘100...

Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike! Flet Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Intervistën e Ditës nga Ermal Peçi në Dritare TV tha se Sali Berisha nuk mund ta kushtëzojë Edi...

Eksperti i sigurisë ushqimore: Shqiptarët po helmohen me pesticide

Eksperti i sigurisë ushqimore Ervin Resuli ka folur për problematikat me ushqimet dhe debatin e ditëve të fundit me pesticidet në fruta. Ai ka vlerësuar...

“Shqipëria, Maldivet e Evropës”/ Kumbaro: Reklama më e mirë, turistët!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë intervistës për “Real Story” foli gjithashtu edhe për cilësimin që shpesh po i bëhet Shqipërisë si...

Lajme të tjera

Web TV