Kryeministri Edi Rama është një i çmendur politik me pushtet”, tha sot nënkryetari i LSI Petrit Vasili.
Vasili deklaroi se Rama vepron thellësisht si i paditur, ndërsa shtoi se e trajton qeverisjen dhe vendin si pronë private.
“Edi Rama është një i sëmurë politik. Vendi sot është pa udhëheqje qeveritare. Ne vazhdojmë të jemi në një krizë dhe vend i dëmshëm ekonomikisht për të tjerët”, theksoi Vasili i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”.
“Kemi krizë, mjerim e destabilitet. Ju pyesni gjithmonë se si do të shkëpusim një të çmendur nga pushteti? Unë them se nuk mund të vazhdohet me këtë keq-qeverisja. Duhet të bëjmë sërish zgjedhje për të pasur zgjidhje”, – u shpreh më tej numri dy i LSI.
“Pushteti nuk mund të jetë si pronë private”, tha ai më tej. – “Ne kemi parë qeveri që kanë rënë, kemi parë kryeministra që kanë ikur, duke trajtuar vendin jo si pronë. Edi Rama nuk është pronar i qeverisë. Edi Rama është shumë i qetë në paaftësinë e tij. Ju e keni parë si mbron koncesionet në shëndetësi. Shëndetësia është zanati im. Kushdo q ë e dëgjon, gajaset. Rama është thellësisht i paditur. Rama i jep alibi hajdutërisë”, shtoi Petrit Vasili.
Petrit Vasili theksoi se Edi Rama ia ka dhuruar koncesionet miqve të tij dhe kriminelëve e horrave me damkë në vend.
I pyetur nëse ka besim se do të funksionojë SPAK-u, Vasili tregoi se do të ketë besim tek e ashtuquajtura “drejtësi e re” vetëm kur të dënohen krimet e maxhorancës, ndër të tjera përgjimet që kanë dalë nga BILD, që sipas Vasilit, përfshin zyrtarët më të lartë të shtetit në korrupsion.
“Më ka pyetur një gazetar që a beson tek SPAK dhe i kam thënë se besoj në rast se SPAK merret me përgjimet që janë publikuar nga BILD, ku janë përfshirë politikanë, janë përfshirë shefa policie, të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit që bashkëpunojnë me krimin. Kur të veprojë drejtësia në këto raste, atëherë do besoj i kam thënë. Kemi parë se vota shitet e blihet dhe pa i dhënë zgjidhje kësaj, nuk mund të vazhdohet tutje. Bundestagu i ka vënë vulën krizës në vend”, u shpreh ndër të tjera në reagimin e tij, Petrit Vasili.