Kryeministri Edi Rama, i pranishëm sot në prezantimin që iu bë projektit të Hidrocentralit të Skavicës, theksoi se “Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i Hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit”.
Kryeministri ka deklaruar gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, se ‘Qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit”.
“Ne e kthyem Skavicën në tavolinë dhe në 2017, në Samitin e Trestes, HEC i Skavicës u miratua si një nga projektet prioritare të procesit të Berlinit”- tha Rama, duke shtuar se “garantohet jo thjesht financimi i studimit, por cilësia e tij”.
Sipas Ramës, “hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit”.
Kryeministri theksoi se “me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, Kantieri i Madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm”.
“Më kujtohet shumë viteve më parë një nga inxhinieret e njohur të energjisë në vend më pat thënë që kaskada e Drinit pa Skavicën është si një tufë delesh pa bariun dhe pikërisht edhe për faktin se Skavica ka një rol vendimtar në menaxhimin e gjithë burimit të energjisë duke parandaluar permbytjet kur ndodhin shkarkimet masiove si rezultat i mbingarkeses se reshjeve, meriton kete perkufizim”- tha ai./b.b/fjala.al