Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik dhe arritjes së marrëveshjes për kodin e ri zgjedhor, përfaqësuesi i opozitës jashtëparlamentare Petrit Vasili ka dhënë detaje nga ajo se çfarë u dakordësua ditën e sotme.
Ai tha se kryeministri Edi Rama kërkonte kapjen e komisioneve zgjedhore, nuk e arriti këtë gjë dhe refuzoi depolitizimin.
“U arrit një dakordësi e qartë për administrimin zgjedhor, e cila përfshin në radhë të parë identifikimin biometrik në masën 100%, një komision zgjedhor qendror i cili riformatohet tërësisht, pas një formule tërësisht të re.
Sot ne propozuam një formulë shumë të qartë për depolitizimin e Komisioneve zgjedhore me përjashtimin e administratës publike nga administrimi zgjedhor, formulë depolitizimi e cila u refuzua nga Edi Rama dhe PS, megjithatë për këto zgjedhje që vijnë dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale komisionet zgjedhore mbeten ashtu siç janë, depolitizimi i administratës do të kryhet vetëm pas tyre dhe kjo tashmë është shumë e qartë për të gjithë shqiptarët si dritë e diellit.
Edi Rama donte të kapte komisionet zgjedhore, nuk i kapi dot dhe refuzoi depolitizimin tërësisht.” tha Vasili./E.B./Fjala.al