Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha ka konfirmuar të ardhmen e tij me klubin italian Lazio dhe rikthimin në Serie A. Por përkundër zërave se do të jetë si një “mall” shkëmbimi për marrëveshje të tjera, ai mohoi gjithçka. . Berisha që nga muaji janar ishte i huazuar në klubin gjerman, Fortuna Dusseldorf, dhe me këtë skuadër kishte vetëm një qëllim, sigurimin e mbijetesës edhe për një sezon në kampionatin gjerman, diçka që skuadra nuk e arriti.
Në ditët e fundit mediet italiane kanë shkruar se kartoni i Berishës do të përdoret nga Lazio për të siguruar transferimin e mbrojtësit shqiptar, Marash Kumbulla. Këtë e ka mohuar fantazisti nga Kosova, duke deklaruar se ka kontratë me bardhekaltërit.
“Kam kontratë me Lazio edhe për tre vite. Nuk e di çfarë është raportuar, jam i qetë. Tani jam në pushim pasi sezoni përfundoi këtë fundjavë. Jam i zhgënjyer pasi nuk arritëm qëllimin tonë me Fortunën, që ishte sigurimi i mbijetesës” tha Berisha.
Berisha me Fortunën zhvilloi 13 ndeshje në Bundesligë, duke dhuruar një asist. Fortuna Dusseldorf nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Bundesliga 2.