Vrasja e ish-policit Arben Bilali/ Prokuroria pushon çështjen për Gjergj Cukalin

Prokuroria ka pushuar çështjen penale për Gjergj Cukalin, i cili dyshohej si autor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali në janar të vitit 2019.

Cukali qëndroi disa muaj në burg dhe u lirua më pas nga Gjykata e Apelit pasi e konsideroi të papërdorshme analizën e ADN.

Pas rrëzimit të provës shkencore prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin në atentatin ndaj Arben Bilali. Vendimmarrja e prokurorisë pritet të kontrollohet nga gjykatësi paraprak.

Ngjarja: 

Arben Bilali u vra në datën 30 Janar 2019. Pas vrasjes së dy vëllezërve, Bujar Bilali në vitin 1997 dhe Leonard Bilali në 2010-ën, në fillim të vitit 2019 në zonën e Selitës u ekzekutua me tre plumba, Arben Bilali ish-punonjës policie, duke e çuar në tre numrin e vëllezërve të vrarë. Ndonëse ishte ruajtur prej vitesh duke u ngujuar, ishte 14:30 kur ndaj Arben Bilalit, 50-vjeç u hap zjarr vdekjeprurës nga një automjet tip “Mercedens Benz” me ngjyrë të zezë dhe me targa të huaja.

/En.Br./Fjala.al