Rubrika “Shihemi në Gjyq” ka sjellë sot historinë e dhimbshme të zonjës Deliko. Ajo ka rrëfyer në studio se gjatë martesës së saj 15-vjeçare është dhunuar vazhdimisht dhe me metoda çnjerëzore nga bashkëshorti i saj.
Dhunë kjo që ka vazhduar edhe pas ndarjes. Nga martesa e tyre ata kanë 4 fëmijë, të cilët sipas saj, gjithashtu janë dhunuar nga bashkëshorti.
Ish-bashkëshorti e mbyllte në një dhomë, nuk e linte të shihte fëmijët, madje e kërcënonte që ajo të mos e denonconte. Për hir të fëmijëve, Deliko ka pranuar gjithçka që bashkëshorti i bënte, por një ditë ajo vendosi të merrte guximin dhe të ndahej prej tij.
“Jam martuar në vitin 1985 dhe deri në 2001 nuk funksioni më martesa. Por gjatë kësaj martese unë kam 4 fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Po, ish-burrin e kisha shumë të dhunshëm, më dhunonte, më rrihte fëmijët, çfarë nuk punonte mbi mua, më mbante mbyllur.
Megjithatë për hatër të fëmijëve e duroja. Hajt sot, hajt nesër, ai sa vinte dhe më keq. E durova aq shumë sa s’kishte më. Rreth 15 vjet! Se të ndahet një nënë me 4 fëmijë nuk ndahet kollaj. Se ai ka qenë edhe me punë shteti, polic, dhe vinte i dehur aty, na rreshtonte aty, na drejtonte armën. Neve nuk flisnim, se unë nuk kisha kujt t’i drejtohesha, as njerëzve të mi se e kisha marrë dhe me dashuri. Sa vinin fqinjët dhe na shpëtonin dhe thoshin: Aman ore çfarë bën.
Po s’ishte një ditë, pothuajse ishte e vazhdueshme, sa dhe fëmijët u bënë me hije kur vinte Rahmani në shtëpi. Nuk mbante më, sa filloi pastaj më mori, më mbylli në një dhomë dhe nuk i linte fëmijët të flisnin me mua.
Unë nuk flisja dot, le që nuk më linte të dilja jashtë porte. Por nuk dija. Se dhe po të shkoja të ankohesha ai ishte me polici, kishte dy shokë, nuk dija kujt t’i drejtohesha. Se kam qenë gjithmonë e mbyllur. Nuk kishte rrugëzgjidhje, bëmë divorcin. Të katërt fëmijët erdhën me mua. Po ai prapë më dhunonte, më futi në një kasolle.
Më jepte bukë njëherë në 24 orë. Unë s’kisha njeri në Levan të Fierit. Më rrihte në mënyrat më çnjerëzore. Mua arriti sa më rrihte me dru poshtë këmbëve, që mos dilja jashtë të bëja denoncim.
Fëmijët ishin të vegjël, vajza e madhe ishte 13 vjeç. Ku do shkonte fëmija? Dhe i pranoja të gjitha dhe jo do të vras, jo do të pres, do vras fëmijët. Do të pres një këmbë ty. Fëmijët nuk m’i linte t’i shikoja”, rrëfeu në Tv Klan zonja Deliko.