Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një padi ndaj homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj.
Padia e Ramës, për të cilën “Express” raporton se e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, është dorëzuar të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur në deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.
Në padinë e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendohet se Haradinaj ka shpifur ndaj tij, për deklaratat që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.
Aty përmenden një numër i madh deklaratash ku Haradinaj vazhdimisht i ka bërë thirrje kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Pjesë e këtyre deklaratave është edhe ajo ku Haradinaj, sipas padisë, i referohet edhe aferave korruptive, për ta jetësuar idenë e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, Rama nuk e ka cekur shumën e dëmit që pretendon se i është shkaktuar.
Por, me padi, ai ka kërkuar që përveç kompensimit të dëmit, të detyrohet Haradinaj t’i përgënjeshtroje ato.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, si liderët që kanë ideuar dhe punuar në drejtim të realizimit të shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë.