Reportazh/ Pak fjalë dhe disa foto për ish-kombinatin e tekstileve “Stalinit”. Jeta dhe prodhimtaria para dhe pas viteve ’90 e veprës më e rëndësishme të Planit të Parë Pesëvjeçar
Nga Leonard Veizi
Stalini na dhuroi një kombinat. Ne i vumë emrin e tij, e për t’i bërë nderin deri në fund mikut të largët, i ngulëm një statujë bronzi që bashkë me bazamentin prej betoni shkonte nja 10-12 metra lartësi.
Monumenti i Stalinit, me dorën e shtrirë, dhe pamja e tij solemne e kompozuar tërësisht brenda stilit totalitar, jepte një mesazh: Të vazhdojmë vendosmërisht rrugën e socializmit.
Dhe kështu u bë edhe për 40 vjet të tjera.
Më 8 nëntor 1951, ditën “Kur lindi Partia”, Kombinatin e tekstileve “Stalin” e inauguroi “Enver Hoxha”.
Sot Stalinin e shohim si armik, ndaj dhe sheshin në mes të Kombinatit, që mbante emrin e tij prej muzhiku gjeorgjian, ia dhamë një italiani. I njëjti vend, por pa monumentin, sot quhet “Garibaldi”. Ndërsa kombinatin që na e bënë dhuratë, e çmontuam tërësisht dhe e shitëm për skrap. Thuhet se nuk ishte rentabël. Dhe kjo padyshim është e vërtetë, sepse Kombinati mbahej me makineri të vjetra, dhe ajo çka prodhohej prej kohësh nuk gjente më treg. Ndërkohë, pas viteve ‘90 në tregun shqiptar vërshoi malli i huaj, shumë më i lirë dhe më i mirë estetikisht, një gjë që i kishte munguar shumicës absolute të shqiptarëve. Ndaj në subkoshiencën e secilit prej nesh, Kombinati i Tekstileve “Stalin” ishte instrumenti që për 40 vjet me radhë na kishte ngopur me dok e terital aq sa kush kishte fatin e mirë t’i sillnin ndonjë palë pantallona xhins nga jashtë shtetit, kishte dhe fatin e keq, se futej me rreth të kuq për tendenca të “shfaqjeve të huaja”.
Impresion
Sot kohët kanë ndryshuar, por reminishenca është ende shumë e fortë.
Në një fundjavë të zakonshme, lagjja Kombinat gëlon nga gjallëria. Si kudo në Shqipëri njerëzit i gjen në kafe dhe në tregje duke bërë pazaret e javës. Se ku punojnë njerëzit tanimë, kur kombinati që mbante peshën më të madhe të punësimit, është kthyer në një gërmadhë, atë e di veç kryeministri dhe Perëndia. Por njerëzit ia kanë dalë të mbijetojnë e të investojnë, përgjithësisht falë krahut të lirë në emigracion.
Tendenca e njerëzve që kërkojnë të shkojnë nga periferia drejt qendrës, i bën dhe autobusët e linjës të mbushen plot. Dhe kjo linjë, që para viteve ’90 ka ekzistuar si Kinostudio-Kombinat, duke kapur në këtë mënyrë dy ekstremet e kryeqytetit, ka qenë plot me udhëtarë, aq sa duhet të prisje të kalonin dy dhe tre “Shkodra fizarmonikë” që të mund të hipje në të. Por në fakt, në tërësinë e zakonshme, kombinatsit e kanë bërë jetën në lagjen e tyre. Dhe për këtë mund të themi se kanë qenë lokalistë.
Por dhe të merrje rrugën nga qendra për në kombinat, nuk është se ndodhte rastësisht. Duhej të të lidhte diçka pa të shkoje aty.
Rrallëherë më qëllonte të merrja autobusin përballë Bankës, për të shkuar në Kombinat. Zakonisht shokët e mi nga kjo zonë e Tiranës e kishin më të lehtë t’i drejtoheshin qendrës. Por dhe praktikat mësimore për shkollat e mesme bëheshin deri tek “Pajisjet Mësimore”, pra ca më sipër tregut të sotëm ushqimor. Kështu që rruga për në Kombinat të dilte ose kur shkojë në Varrezat e Sharrës, ose kur merrje rrugën për në Plepat e Durrësit.
Tanimë duket sikur Kombinati është dy hapa larg Tiranës, dhe rruga për të mbërritur atje është e zhurmshme e me një trafik të rënduar.
Por një herë e një kohë, pas shkollës Teknologjike ndërtesat ishin të rralla, dhe deri në Kombinat vetëm stacioni me emrin “Misto Mame” më ka mbetur i fiksuar, për shkak se në këtë vend ishte ndërtuar Kombinati i Drurit me të njëjtin emër. Aty zbriste një pjesë e mirë e punonjësve që hipnin në autobusin urban, pasi kishin lënë pak më parë, punonjësit e Kombinatit Ushqimor, të Kombinatit të Mishit, e të ca ndërmarrjeve të tjera rreth e rrotull.
Për të shkuar deri te stacioni i fundit, ku duhej të rrethrrotulloheshe me Stalinin, të duhej të kaloje përmes një fushe ku të hante syri gjelbërim. Kështu që Tirana me Kombinatin nuk ishin të lidhura organikisht me njëra-tjetrën. Dhe rruga dukej e gjatë.
Ndaj Kombinatin, në mënyrë tërësore e njoha vonë.
Kombinati
Nëse do të gërmosh te Fjalori Enciklopedik, do të informohesh se ndërtimi i Kombinatit të Tekstileve ishte vepra më e rëndësishme e Planit të Parë Pesëvjeçar dhe se emri “J.V. Stalin” iu vendos me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes së tij. Kombinati gjithashtu ka mbajtur titullin “Hero i Punës Socialiste”.
E për më shumë kuriozitet, Kombinatin e ndërtuar në zonën ish-kënetore të Yzberishtit, e inauguroi Enver Hoxha, ndërkohë që në 31 korrik 1949 ishte po ai që vendosi tullën e parë.
Kombinati konsiderohej si një lagje periferike në jug-perëndim të Tiranës, rreth 6 kilometra larg nga qendra e qytetit. Përpara viteve ‘50 vendi ishte pothuajse i pabanuar. Ndërtimet e para filluan më 1948. Më shumë se një lagje e Tiranës, ai u kompozua si një qytet industrial.
Aty kishte gjithçka: shkolla fillore, të mesme dhe profesionale kopshte dhe çerdhe, qendra shëndetësore, kinema, biblioteka, fusha sportive dhe më pas u ndërtua dhe një Pallat Kulture. Në pjesën veriore gjendeshin edhe dy fabrika: ajo e qelqit dhe fabrika e tullave silikate. Kombinati i Tekstilit kishte edhe një termocentral, që siguronte energji dhe ujë të ngrohtë si për funksionimin e fabrikave edhe për banorët.
Në këtë mënyrë lagjja e Kombinatit u shndërrua në një lagje tipike socialiste punëtore. Një sërë ndërtimesh të stilit rus, të cilat vazhdojnë të jenë të banueshme, të kujtojnë mënyrën komuniste të jetës në Shqipëri, të implementuar tërësisht sipas standardit në Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1953 Kombinatit iu shtua Fabrika e Prodhimeve të Leshta. Ndërsa në vitin 1956 u ndërtua Fabrika e Kadifes. Kombinati kishte tre fabrika kryesore: filatura, tezgjahu, ngjyrosja. Fillimisht prodhoheshin 100 mijë metër linear tekstil në 24 orë.
Kombinati, i cili shtrihej në një sipërfaqe prej 40 hektarësh përbëhej gjithsej nga10 fabrika, ku punonin nga 8-12 mijë punëtorë. Në fund të viteve ‘80 ai prodhonte rreth 60 milionë metër linear tekstile. Këto ishin fanellatë, basma, kambrik, doke pune, kadife, teritale, etj.
E me gjithë larmishmërinë e mundshme, pas viteve ‘80 prodhimet e Kombinatit të Tekstileve nuk shtyheshin, për shkak të uniformalitetit. Por për këtë nuk kishin faj punonjësit, por drejtuesit partiakë që kishin vendosur standardet e prodhimit. I vetmi mall që tërhiqej me shpejtësi nga raftet e MAPO-ve ishte copa kadife me vija të ngushta. Për të tjerat, malli qëndronte stok.
Aktualitet
Sot Kombinati njihet si Njësia Bashkiake nr.6. Edhe pse vazhdon të jetë lagjja më periferike e Tiranës, nuk është më një zonë e shkëputur.
Për ata që e kanë parë filmin artistik “Stola në park” u kujtohet fare mirë sekuenca e xhiruar në ambientin e Kombinatit të Tekstileve, në oborrin e tij plot lule e stola.
Sot, pamja e brendshme e ish-Kombinatit është edhe më “mbresëlënëse”. Baltë dhe godina të rrënuara. Në sheshin para godinës së administratës së Kombinatit, aty ku qëndronte “Tavarish Stalin”, tanimë është një lulishte, dhe një pjesë e saj është rrethuar me llamarina, gjë që tregon se brenda tyre po punohet për ngritjen e një objekti të ri.
Pas vitit 1990 të gjitha fabrikat u mbyllën. Në faqen e Njësisë Bashkiake thuhet se në disa kapanonë u morën nisma për disa aktivitete prodhuese e tregtare shumë modeste: të tjera ambiente të ish-Fabrikave u bënë banesa për të migruarit nga zona të tjera të Shqipërisë, që zunë edhe pjesë të vjetra dhe i rimëkëmbën pa asnjë rregullator: kjo ka modifikuar rrënjësisht përbërjen sociale dhe strukturën urbanistike të kësaj zone.
Shkolla simbol e Kombinatit quhej “50 vjetori” me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, dhe për një periudhë ka qenë shkollë 8-vjeçare dhe e mesme njëkohësisht. Sot, kjo shkollë 9-vjeçare quhet “Musine Kokalari”, pasi emri “50 Vjetori” është shfuqizuar në 14 shkurt të vitit 1997 nga Këshilli Bashkiak i kohës që udhëhiqej nga Orhan Sakiqi.
Tanimë, edhe pse nuk ka punonjës kombinati, Njësia Bashkiake numër 6 ka një popullsi prej rreth 77.000 banorësh. Përndryshe, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e minibashkisë, në këtë zonë jetojnë më shumë se 26.100 familje.
Ndërkohë, shumë nga banorët e zonës janë në dilemë për shtëpitë e tyre, pasi tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, veç Durrësit e Thumanës, kërcënoi dukshëm dhe ish-zonën kënetore ku janë ndërtuar pallatet e Kombinatit.
Në këtë lagje, një seri pallatesh janë vlerësuar si të pabanueshëm dhe banorëve u është kërkuar të largohen. Sipas kryetarit të kësaj Njësie Bashkiake, Adriatik Merko “Numri total i objekteve të dëmtuara është 1600 ku përfshihen edhe dëmtimet e lehta, nga këto, 55 janë të pabanueshme”.
E megjithatë, vitet e fundit Bashkia e Tiranës po synon ta kthejë zonën nga Kombinati në Vaqarr, në perëndim të Tiranës, në një zonë industriale.
Leonard Veizi/ Fjala.al/