Konflikti SHBA-Iran zbret edhe në Shqipëri në betejën jo vetëm diplomatike dhe politike, por edhe në akte të mundshme terroriste. SHISH dhe Antiterrori në gatishmëri, gati dëbimi i dy irakianëve të dyshuar për lidhje me regjimin e Iranit, që kanë si qëllim sulmet ndaj 2700 muxhahedinëve që ndodhen në vendin tonë. Flet për gazetën “Fjala” eksperti i sigurisë, Pëllumb Nako: Irani do të tentojë akte të lidhura direkt me MEK.
Nga Sebi Alla
“Një vend i vogël evropian, shumë i vogël dhe shumë djallëzor ka bërë komplot me SHBA-në dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit”. Kjo ishte deklarata e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Khamenei, ndërsa gishti ishte ende në butonin e raketave balistike në dy vendet, SHBA dhe Iran. Politika jonë, më shumë se kërcënim e mori për “kompliment”, duke nisur një histerizëm reagimesh dhe duke treguar se ne jemi të përgatitur për t’i bërë ballë çdo sulmi apo se jemi vend që “mbrojmë” demokracinë nëpër botë… Përtej qëndrimeve periferike të zyrtarëve shqiptarë, situata SHBA-Iran ishte në pragun e një konflikti lufte të vërtetë, pas vrasjes së gjeneralit iranian Kasem Sulejmani nga forcat e ushtrisë amerikane. Nisja e kësaj lufte do të sillte padyshim fund të trishtë. Kokat e nxehta kanë filluar të ftohen dhe ftillohen, por Shqipëria mban një kosto të madhe, ku 2700 anëtarë të MEK ose muxhahedinë, që njihen si opozitarë të regjimit të Iranit, ndodhen në vendin tonë prej katër vitesh. Një nismë e madhe për një shtet të vogël si yni, por më shumë se një “gjest human”, ishte një lëvizje politike e Shqipërisë për të treguar vetofrim për partnerin strategjik, SHBA-në. Përtej vlerësimit ndërkombëtar, pasojat e një nisme të tillë sot kanë ngritur disa pikëpyetje. A do të jetë Shqipëria vendi nën fokusin e regjimit të Iranit për sulme? A ka kapacitete sigurie vendi ynë për të përballuar akte terroriste? Është fakt se muxhahedinët nuk erdhën të vetëm, pasi bashkë me ta, agjenci ndërkombëtare ligjzbatuese të SHBA-së dhe partnerët evropianë u angazhuan për të krijuar sigurinë. Nëse sulmet direkte për momentin konsiderohen si të pamundura, vëmendja nuk duhet shpërqendruar, pasi regjimi i Iranit përdor forma të ndryshme, deri edhe në lidhje me krimin e organizuar për të tentuar akte të mundshme terroriste. Pas situatës së krijuar, nuk jemi kurrsesi imunë nga akte të tilla, ndaj është shtuar aktiviteti i agjentëve në terren. Në vëmendje janë edhe qytetarë irakianë, të cilët jetojnë në Shqipëri, por që ka dyshime se janë infiltruar nga elita ushtarake e Iranit për të marrë çdo informacion nga Shqipëria, kryesisht mbi aktivitetin e anëtarëve të MEK. Nga ana tjetër, lufta diplomatike dhe politike është e pashmangshme. Brenda një viti, autoritetet shqiptare kanë dëbuar nga vendi katër diplomatë të atashuar në Ambasadën e Iranit në Tiranë. Ata dyshohet se ishin të lidhur me strukturat drejtuese të Gardës Republikane të Iranit, që e informonin në lidhje me veprimtarinë e MEK në Shqipëri. “Shqipëria ka bërë disa gabime dhe ne ndiejmë se ngjarjet në rajonin tonë kanë krijuar disa keqkuptime për Shqipërinë; ne rekomandojmë që ata të mos i lidhin marrëdhëniet tona të mira me një vend të tretë… Shqipëria duhet të kthehet në rrugën e duhur dhe rruga e tyre e tanishme nuk është konstruktive”,-deklaroi tri ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, AbbasMusavi. Një qëndrim më i butë dhe disi korrekt, krahasuar kjo me deklaratën e parë të ashpër të Ajatollah Khameneit, i cili e cilësoi Shqipërinë si vend djallëzor. Vendi ynë është një pikëz e vogël para politikës së madhe ndërkombëtare, por me strehimin e 2700 muxhahedinëve është kthyer si një “fletë sallate” në sanduiçin që shtyn nga dy anët, SHBA dhe Iran. Në rastet e një konflikti të hapur, pasojat në Shqipëri mund të konsiderohen si “dëme anësore”, por duke nisur nga partneriteti i drejtpërdrejtë me SHBA-në në këtë çështje, një tentativë sulmi, qoftë edhe me pasoja në dukje të vogla mbi Shqipërinë, do të konsiderohet si sfidë për SHBA-në.
Manza, si fshati i muxhahedinëve
Katër vite më parë, banorët e Manzës u shtuan përnjëherësh me 2700 frymë. U ndërtua kampi për strehimin e muxhahedinëve me financime direkte nga SHBA-ja dhe Franca. Kalimi i tyre u bë pas disa marrëveshjeve politike të nisura nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe të përfunduara nga Kryeministri Edi Rama. Megjithatë, kjo nismë ka kaluar edhe në Parlament, ku ka marrë miratimin e të gjitha forcave politike. Anëtarët e MEK jetojnë në Manzë nën masa të forta sigurie, ku krahas vëzhgimit nga agjentë janë edhe vetë komuniteti që organizohet për sigurinë e tij. Çdo lëvizje jashtë kampit shoqërohet me masa shtesë, ndërsa aktiviteti i tyre monitorohet edhe nga zyra e inteligjencës së SHBA-së në vendin tonë apo edhe në vende të tjera partnere. Pjesa më e madhe e anëtarëve të MEK janë në moshë disi të thyer, ku mes tyre ka edhe gra, por më shumë se rrezik real për sistemin e Iranit, ata konsiderohen si armiq dhe terroristë, sipas tyre, duke i pasur gjithnjë në fokus të sulmeve. Nuk kanë munguar as atentatet dhe eliminimet e tyre edhe në vende shumë më të zhvilluara, si në Gjermani, Holandë apo edhe Francë. Shpesh ka pasur tentativa për akte terroriste, por që janë parandaluar në kohë. Në këtë kuadër masash ishte edhe ndërhyrja e agjentëve të Antiterrorit dy vite më parë pranë selisë së Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë. Dy shtetas iranianë u arrestuan dhe më pas u dëbuan nga Shqipëria. Ata dyshoheshin se po siguronin informacione dhe të dhëna të tjera që do të shërbenin për të kryer akte terroriste.
Kërcënimi i Iranit, SHISH dhe Antiterrori në gatishmëri, gati dëbimi i dy irakianëve
Shërbimi Informativ Shqiptar dhe struktura Antiterror në vendin tonë kanë shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare. Kjo lëvizje ka ardhur pas kërcënimeve të fundit të bëra nga liderët iranianë në drejtim të Shqipërisë. Kjo situatë ka bërë që shërbimet e inteligjencës të vihen në gatishmëri të plotë që prej ditëve të para të janarit 2020, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e çdo rasti të mundshëm të veprimeve kriminale ndaj rendit dhe qytetarëve shqiptarë nga forca të jashtme, kryesisht nga elementë të ardhur nga Lindja e Mesme, raporton “Fjala.al”. Vizitorët që vijnë nga shtetet e Lindjes së Mesme u nënshtrohen procedurave dhe rregullave të imtësishme në pikat kufitare shqiptare, ku u merren edhe shenjat e gishtave. Aktualisht nga Shqipëria janë dëbuar disa zyrtarë të Ambasadës Iraniane në Tiranë si dhe janë shpallur në kërkim si pjesë e celulës terroriste Alireza Naghashzadeh dhe AbdulselmanTurgut. Drejtuesi i celulës terroriste rezulton një person i njohur me emrin Peyman, operativi i Forcave QUDS, krahut operacional të Gardës Revolucionare Islamike, përgjegjëse për sulme terroriste në vende të ndryshme, që dyshohet se ka rreth 20 mijë anëtarë dhe që varet direkt nga lideri iranian, Ajatollah Khamenei. Por, Drejtoria e Migracionit dhe Kufirit mësohet se ua ka hequr lejen e qëndrimit në Shqipëri edhe dy shtetasve nga Iraku, konkretisht Thamer Ali Radhi Zaidawi dhe Odai Mohammad Saleem Albeik, raporton “Fjala.al”. Ata e kanë kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën Administrative në Tiranë. Të dyja këto padi civile janë duke u shqyrtuar nga gjyqtaret Elda Vrioni dhe Elvana Çiçolli. Por, autoritetet shqiptare nuk do të ndalen me kaq, pasi pritet që në ditët në vijim të marrin vendime për dëbimin e disa zyrtarëve të tjerë me origjinë nga Lindja e Mesme. Një ndër ta është dhe iraniani Ehsan Bidi, dezertor nga kampi i muxhahedinëve në Manzë. Mësohet se Ehsan Bidit i është refuzuar leja e qëndrimit dhe aktualisht po mbahet ne qendrën e mbyllur të Karecit derisa të përfundojnë procedurat e largimit të tij. Ehsan Bidi mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontigjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinëve nga kampi i lirisë në Irak./Fjala.al
Intervista/ Flet për gazetën “Fjala” eksperti i sigurisë, Pëllumb Nako
Irani do të tentojë akte të lidhura direkt me MEK
Përplasja midis dy vendeve do të jetë edhe në nivelin politik, por edhe atë diplomatik, në formën e një armiqësie të ftohtë.
Konflikti SHBA-Iran duket se indirekt ka përfshirë edhe Shqipërinë, si vendi i cili strehon anëtarët e MEK, kundërshtarë të sistemit politik aktual në Iran. A ka rrezik direkt ose indirekt që Shqipëria të jetë në fokusin e sulmeve? Nëse po, të çfarë karakteri mund të jenë ato, kibernetike apo sulme direkte terroriste?
Fillimisht duhet sqaruar fakti sesi opozita iraniane është e përbërë nga shumë korente dhe e vendosur në mjaft vende të botës, e cila koordinohet nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës Iraniane. Fjala “rezistencë” përcakton qartë karakterin aktiv të opozitës së këtij vendi, si një lëvizje për çlirimin e Iranit nga regjimi i mollahëve. Këshilli Kombëtar me qendër në Francë ka për synimin kryesor bashkimin dhe centralizmin nën një autoritet të vetëm të të gjitha rrymave kundër regjimit të mollahëve. Pjesë e këtij grupimi është Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit me një profil luftarak, e cila nga vendqëndrimet e saj në Irak, siç dihet nga mbarë opinioni publik, ka ardhur për t’u strehuar në vendin tonë. Në këndvështrimin e Shqipërisë kemi të bëjmë thjesht me konceptin e azilit. Pra, një sasi individësh të organizuar në formën e një organizate opozitare të regjimit të mollahëve që kërkojnë mbrojtje në formën e azilit. Kurse në këndvështrimin e regjimit iranian, kemi të bëjmë me strehimin e një organizate armiqësore aktive kundër Iranit. Nëse do të bënim një krahasim, është situatë e njëjtë me mërgatën shqiptare të Brukselit të pas-Luftës Dytë Botërore, që synonte rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Të gjithë e dimë ndërkohë se sa shumë përpjekje bëri regjimi komunist për të bërë të mundur kontrollin e ndoshta po të kishte mundësi atentate ndaj kokave të tyre. E njëjta logjikë ndiqet edhe nga Irani me muxhahedinët në Shqipëri. Sepse, është logjika e diktaturave ajo që përngjason me dy rastet. Pra, në raport me pyetjen, regjimi i Iranit ka më shumë interes të krijojë direkt raporte për të kontrolluar organizatën, gjë që është e vështirë,ose të përplaset me opozitën e tij në territorin tonë në formën e atentateve ndaj krerëve dhe vendndodhjes së tyre, gjë që është akoma më e vështirë. Pra, nuk ka leverdi të synojë direkt vendin tonë me akte terroriste. Kjo edhe për faktin se muxhahedinët janë strehuar në Shqipëri nën kujdesin dhe mbi bazën e një statusi të njohur nga UNHCR – Komisariati i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara. Përveç përkrahjes amerikane, muxhahedinët me qendër në Shqipëri mbulohen edhe nga një organizatë e njohur ndërkombëtarisht, edhe nga vetë Irani.
Qeveria shqiptare, vetëm brenda një viti, ka dëbuar katër diplomatë të Ambasadës së Iranit në vendin tonë.Si e konsideroni këtë nismë dhe a kemi ne kapacitete sigurie për të parandaluar akte terroriste? Vetëm një vit më parë agjencitë tonë në bashkëpunim me partnerët parandaluan një sulm të mundshëm në vendin tonë.
Dëbimi i katër diplomatëve iranianë është brenda logjikës që shpjeguam pak më sipër. D.m.th. që Irani do të tentojë akte të lidhura direkt me organizatën. Dhe kjo ishte dhe vazhdon të jetë e pritshme. Përplasja midis dy vendeve do të jetë edhe në nivelin politik, por edhe atë diplomatik, në formën e një armiqësie të ftohtë. Sulmet kibernetike ndaj vendit tonë do të ishte një reprezalje falas për ne, por që nuk do të krijonte asnjë problem për muxhahedinët. Nuk e di se sa përfitues mund të ishte ky akt për ta. Kurse në rastin e parandalimittë një akti terrorist vite më parë dhe që ka pasur të bëjë me ndeshjen e futbollit me Izraelin me duket se jemi në një kontekst tjetër. Me këtë rast janë shumë gjëra që ndryshojnë dhe jemi larg kontekstit që po flasim. Aty synohej ekipi i Izraelit dhe kemi të bëjmë me dy tiparet themelore të terrorizmit: goditja duke shkaktuar viktima të pafajshme (siç janë sportistët) dhe lajmi të përbëjë zhurmë të madhe: shtetas izraelitë. Shqipëria me siguri është zgjedhur si vend më i dobët për të parandaluar aksionin.
Duke ndjekur situatën e krijuar jo vetëm kohët e fundit, por që nga periudha e mbërritjes së anëtarëve të MEK në Shqipëri, a është i nevojshëm shtimi i bashkëpunimit të agjencive tona ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë?
Vendi ynë nuk e ka thjesht domosdoshmëri, por e ka jetik bashkëpunimin me organet partnere të sigurisë. Në sfidat që ka ai përballë rreziqeve të sigurisë kombëtare e publike që e kërcënojnë, vendi ynë nuk i ka kapacitetet e duhura për parandalim duke vepruar jashtë territorit të vendit tonë. Kjo, sepse nga njëra anë vendi ynë rreshtohet në aleanca me interes global dhe që kapërcejnë dukshëm kapacitetet e tij për të parandaluar kërcënimet që vijnë në raste të tilla dhe nga ana tjetër, duke mos u fokusuar në interesa e strategji rajonale, rreziqet që i kanosen sigurisë së tij kombëtare dhe njëkohësisht publike i kanë rrënjët shumë larg mundësive të tij gjeografike, njerëzore e materiale për parandalimin e kërcënimit. Fjala.al