Nga Bardhi Quku/Zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit të kaluar do të mbahen mend gjatë, jo vetëm për faktin që Partia Socialiste garoi e vetme me kandidatët e saj, por edhe se si erdhën në krye të bashkive të vendit njerëz me rekorde kriminale në të shkuarën.
Në 6 vjet të drejtimit të vendit, Kryeministri Rama është akuzuar jo pak herë nga opozita se ka promovuar në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë.
Situata komplikohet më tej në zgjedhjet lokale, ku PS mori gati të gjitha Bashkitë, duke qenë se opozita i bojkotoi. Me kalimin e kohës PD hodhi akuza dhe nxori dokumente për disa figura me të shkuar të errët, duke nisur nga Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku, Mark Babani, Qerim Ismailaj, etj.
Deri më tani, kryebashkiakët si Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku gjenden jashtë drejtimit të bashkive, përkatësisht Shkodrës dhe Vorës. I pari dha dorëheqjen pasi u provua se ishte i dënuar.
Ndërsa ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, gjendet në arrati i kërkuar nga policia. Por, kjo nuk e pengon bashkëshorten e tij të fitojë një tender në Ministrinë e Brendshme. Emrat e kryebashkiakëve me një të shkuar problematike duket se nuk do të ndalen këtu.
Sipas burimeve të besueshme të gazetës “Fjala”, në Partinë Demokratike ka akoma dosje të tjera, që presin në radhë për t’u denoncuar. Një ndër to është ajo e kryebashkiakut të Kamzës, Rakip Suli. Mbetet për t’u parë nëse dokumentet që posedon PD janë aq inkriminuese sa për t’u publikuar. Kjo do t’i mbetet kohës.
Bashkia e Shkodrës/Valdrin Pjetri- I dënuar për drogë në ItaliIsh-kryebashkiaku i Shkodrës,Valdrin Pjetri, ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Italia i dërgoi një letërporosi Prokurorisë Shqiptare, ku Pjetri rezulton i dënuar nga Gjykata e Firences. Pjetri është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë për veprën penale “Shpërndarje, prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike”. Valdrin Pjetri nuk e kishte deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit kur kandidoi për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Sipas ligjit për dekriminalizimin, ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës,Valdrin Pjetri, rrezikon të dënohet deri në 4 vite burgim. “Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal”. Kjo vepër, sipas Kodit Penal, “dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, – thuhet në nenin 5 të ligjit të dekriminalizimit. Prokuroria nisi hetimet ndaj tij. Pak ditë pasi mori mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës, Pjetri dha dorëheqjen.
Bashkia e Vorës/ Agim Kajmaku alias Jorgo Toto-U dënua në Greqi, sot në arratiAgim Kajmaku, ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, i cili tashmë ndodhet në arrati, ka qenë i arrestuar dhe në kërkim ndërkombëtar nga Greqia. Agim Kajmaku ka mbajtur më parë edhe një emër tjetër. Ai quhej Jorgo Toto, gjë të cilën e ka deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit. Kajmaku kishte fshehur në formular arrestimin në shtetin grek dhe që kërkohej nga Interpoli deri në shtator të vitit 2019 për një vepër të rëndë penale. Prokuroria Shqiptare vërtetoi arrestimin e tij në Greqi në vitin 2003 për “Vënie në qarkullim të monedhave të falsifikuara” në Artë. Duke krahasuar shenjat e gishtërinjve, rezultoi se Agim Kajmaku ishte i njëjti person me emrin Jorgo Toto. Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kajmaku ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij. Duke u ndodhur para këtyre fakteve, Agim Kajmaku që u zgjodh në krye të Bashkisë së Vorës, mori arratinë dhe deri më sot nuk është vënë para drejtësisë. Ndërsa çuditë në këtë vend vazhdojnë të ndodhin, teksa Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ndodhet në arrati, gruaja e tij ka fituar një tender në Ministrinë e Brendshme.
Bashkia e Matit/ Agron Malaj, Ish-gardisti i 21 Janarit në krye të BashkisëIsh-komandanti i seksionit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit, Agron Malaj, ishte pjesë e grupit të zjarrit, ku mbetën të vrarë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, të cilët Rama i kishte thirrur në protestën e tij në vitin 2011. Sipas formularit të dekriminalizimit, Malaj rezulton se është dënuar me 10 muaj burg me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje. Ligji për dekriminalizimin nuk ia lejon kandidimin për funksionet publike, por Malaj çuditërisht nga gardist i 21 Janarit, ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm, përfundoi kryetar bashkie në radhët e PS-së. Tani pritet veprimi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ-së për t’i hequr ose jo mandatin kryetarit të Bashkisë së Matit, Agron Malaj.
Bashkia e Bulqizës/ Lefter Alla-Konsumon drogëKryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, është fotografuar dhe filmuar teksa konsumon drogë në një ambient publik. Rasti është denoncuar në media. Ndërsa vetë kryetari i Bashkisë e mohon të ketë pirë drogë, duke thënë se videoja është e montuar. Përdorimi i lëndëve narkotike nuk përbën vepër penale dhe nuk e pengon kryebashkiakun në mbajtjen e postit. Megjithatë, konsumimi i lëndës narkotike është bërë në një ambient publik, gjë që e rëndon situatën e kryebashkiakut. Në formularin e dekriminalizimit, kryebashkiaku rezulton i pastër. Ndërsa ka deklaruar se ka jetuar si emigrant rreth 2 vite në Kopenhagen të Danimarkës. Në nëntor të vitit 2019, djali i Lefter Allës u arrestua nga ana e Policisë në Tiranë me një sasi droge në makinën e tij, por ngjarja u mbajt e fshehtë dhe ai u lirua.
Bashkia e Mallakastrës/ Qerim Ismailaj- I dënuar për rrahjeQerim Ismailaj, kryetar i Bashkisë së Mallakastrës, është denoncuar nga opozita se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim të mëparshëm në shtetin grek. Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës, Qerim Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios më datë 25 shkurt të vitit 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek. Ligji i dekriminalizimit e ndalon atë të ushtrojë funksion publik, veçanërisht kur është kandidat për kryetar bashkie. Sipas formularit që ka plotësuar Ismailaj, kryebashkiaku ka jetuar në Greqi nga viti 1994 deri në vitin 1999. Ndërsa nuk përfshin pjesën kur është dënuar në vitin 2000.
Bashkia e Lushnjës/ Fatos Tushe- Sulm me granatëKryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, dhe sekretarja e tij mbetën të plagosur në ditën e Vitit të Ri kur ish-shoferi i kryebashkiakut hodhi granatën në zyrën e kryetarit. Kryebashkiaku Tushe arriti të mbijetonte bashkë me sekretaren e tij. Në formularin e dekriminalizimit, Fatos Tushe rezulton i pastër në ato që ka deklaruar. Megjithatë, në denoncimet publike ai është akuzuar se incidenti i tij me ish-shoferin ka ndodhur për prishje pazaresh, pasi ky i fundit thuhet se ishte dhe financuesi i fushatës së kryebashkiakut. Tushe vazhdon detyrën, ndërsa autori i ngjarjes ndodhet ende në arrati.
Bashkia e Vaut të Dejës/Mark Babani-I dënuar për vjedhjen e makinaveKryetari i Bashkisë për Vaun e Dejës, Mark Babani, rezulton i dënuar në Itali për vjedhje makinash. Mark Babani është arrestuar më datë 4 prill 1994 në zonën e Sicilisë, me emrin e rremë Marq Babaj. Sipas dokumentit të nxjerrë nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali, Mark Babani është arrestuar më datë 4 prill 1994, në zonën e Sicilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga Policia Italiane pasi u kap duke vjedhur makina. Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti italian. Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës i ka fshehur faktet e mësipërme në formularin e dekriminalizimit, ndërsa ka deklaruar se ka jetuar në Itali në vitet 1991-1995.
Bashkia e Vlorës/ Dritan Leli- I djegin makinënMakina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u dogj vitin e kaluar nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Makina e tij u dërgua për ekspertizë në Tiranë për të përcaktuar shkaqet e djegies, por asgjë nuk është bërë publike deri më sot. Sipas opozitës, kjo ngjarje lidhet me luftën mes bandave për të marrë prona në zonat bregdetare të Vlorës. Në 24 janar të vitit 2012 i dogjën po ashtu makinën kryetarit të Bashkisë së asaj periudhe, Shpëtim Gjika.
Bashkia e Krujës/Artur Bushi alias Kastriot Cakoni – I akuzuar për trafik drogeKryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, është akuzuar për trafik droge dhe prostitucion. Ai ka përdorur emrin Kastriot Cakoni gjatë qëndrimit në Itali, ku ka dalë para gjykatës si i akuzuar për trafik droge dhe prostitucion. Sipas formularit të dekriminalizimit, në vitin 1996 është liruar nga gjykata. Ndërsa ka deklaruar se nuk i kujtohet vepra penale për të cilën është hetuar apo verifikuar në Itali, në vitin 1996, njësoj Elvis Roshi i Kavajës. Nga qershori i vitit 2010 e deri në mars 2011 ai ndalohet në Busto Arsizio të Italisë, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Bushi shkruan se çështja është pushuar dhe arkivuar. Ndërkohë, Artur Bushi ka fshehur emrin e tij të mëparshëm Kastriot Cakoni. Ndërsa dyshohet se me emrin Kastriot Cakoni ai ka kryer një tjetër dënim në Itali./Fjala.al/