Historian, folklorist i hershëm, publicist. Ibrahim Daut Hoxha, shëmbëlltyra e njeriut të palodhur, të etur për dije dhe të atdhetarit të papërkulur
Nga Alessia Selimi
Vuajtjen dhe sakrificën e bashkëkombëseve të tij, të cilët përjetuan golgotën e një gjenocidi të pashpirt, e përkujton ngaherë. Me një shekull mbi supe, Ibrahim Daut Hoxha s’resht së luftuari për të vërtetën, pikërisht atë zbrazëti të pikasur nëpër vepra të huaja, ku përmendet thekshëm Çamëria. Ai ofron së fundmi për lexuesit një vepër prej 1100 faqesh, pas 12 vjetësh punë këmbëngulëse, e cila mund të quhet pa frikë një hartë orientuese për trevën çame, ku hulumton prejardhjen që nga lashtësia, gjuha e kultura deri në ditët e sotme.
Babai i tij, Daut Hoxha, u vra pabesisht në Konispol prej një grupi banditësh më 15 qershor të 1940-ës, duke shërbyer më tutje si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Greqisë, si dhe për fillimin e luftës italo-greke. Kuptohet qartazi se pas penës së Ibrahimit fshihet një arsye e fortë, por edhe një qëllim i qartë: të lartësuarit dhe të ndriçuarit e çështjes kombëtare shqiptare kudo në botë.
“Fjala” ndodhet në promovimin e veprës më të fundit të Ibrahim Hoxhës, “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”. Mund të cilësohet fare thjesht si vepra e jetës së Ibrahimit, po të marrim parasysh se mban sot mbi supe plot 97 vite. E megjithatë, eleganca dhe rregullsia e tij tërheqin vëmendje. I veshur me një palë pantallona të zeza, pulovër të kuqe dhe një kollare që kombinon me këtë të fundit, Ibrahimi të bën të besosh fort se mosha në fund të ditës s’është veçse një numër. Ky burrë i madh me shtat të vogël, i përndjekur egërsisht nga regjimi komunist, mund të cilësohet një enciklopedi në vetvete. Jo më kot!
“Unë isha 18 vjeç kur u vra im atë. Ai vinte nga familja e njohur Bejdeshati, e cila, në luftën kundër grekëve, kishte flijuar 3 përfaqësues të saj të rëndësishëm dhe të njohur në atë kohë në të gjithë zonën e Çamërisë. Ai krijoi në vitin 1913 çetën e vet, me pjesëtarë të fisit, për të zmbrapsur ushtrinë greke. Në 1925, ndonëse pushteti u mor nga Ahmet Zogu, i cili nuk donte ngatërresa me Greqinë, Dauti s’hoqi dorë nga lufta. Kështu, shteti grek vuri një çmim prej gjysmë milioni dhrahmi për të shtënë në dorë tim atë. Vrasja e tij bëri që barra e familjes së përbërë prej gjyshes, nënës, 3 vëllezërve dhe dy motrave , njëra 6-7-muajshe, të binte mbi mua, ende 17-vjeçar” – rrëfen Ibrahimi, si për t’i mëshuar gjurmëve historike.
Në të njëjtën mënyrë, paçka se pa një fund tragjik, Ibrahimi u ndal edhe te përpjekjet për të mbijetuar, por mbi të gjitha për t’u dëgjuar. “Thellësisht i pakënaqur, u shfaqa kundër reformës agrare dhe shoqërizimit të detyrueshëm të ekonomisë bujqësore, kundër rregullave sovjetike lidhur me gradat dhe përgjegjësitë në ushtri, sidomos kundër shndërrimit të këshilltarëve sovjetikë në urdhërdhënës. Kështu, u përjashtova nga Partia për mendime antisovjetike dhe kokëfortësi në zbatimin e urdhrave të eprorëve. Ndonëse ata gjendeshin lart meje dhe unë poshtë tyre, ky fakt nuk më stepi në asnjë moment. Më detyruan të shkëputesha nga karriera ushtarake, më lanë pa kurrfarë pune, s’u qasja më asgjëkund. Duke qenë një oficer artilerie, kisha një përgatitje të mjaftueshme edhe si topograf. Kjo punë më siguroi për disa vite bukën e gojës. Mirëpo, edhe kjo udhë m’u pre, për shkak se u padita sikur vërvitesha poshtë e lart vendit për ngritje grupesh çame kundër Partisë dhe shtetit” – tregon Ibrahimi, duke shtuar se spiunët i ishin qepur keqazi, deri në atë pikë sa ta mbyllnin në një birucë të llahtarshme. “Në një rast dëshpërimi kulmor, më rrëshqitën fjalët drejt një personi gjoja të besueshëm. “‘Duro! Ky pushtet do të rrëzohet’. Pikërisht këto fjalë dhe përmbajtja e vjershës ‘Luani një egërsirë’, ashtu sikurse edhe mosparaqitja në qendrën e zgjedhjeve për të votuar, shërbyen si pretekst për të më rrëmbyer lirinë përreth 8 muaj”.
Mizoria e regjimit komunist arriti deri në atë pikë sa t’i ndalohej edhe shkelja në vendlindje. Por, pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht se jetonte me hijen e Sigurimit mbi kokë, Ibrahimi qëmtonte dokumente historike dhe vlera artistiko-folklorike, si për t’i ardhur në ndihmë për arsye ekonomike edhe “atyre që e kishin lidhur qerren”.
“Duke u mbështetur në ndonjë mirëdashës timin, arrita mes shumë mundimeve të paraqisja librat e mi të parë, ndonëse u gjymtuan dhe u cunguan keqazi”, – thotë Ibrahimi përmbi podiumit, përballë të cilit e dëgjonin pak bashkëkohës të tij e më shumë fëmijë e nipër të çamëve që morën udhën prej terrorit drejt kufirit të Çamërisë. “Me një fat si të Sizifit, rrugëtimi i Ibrahimit është rrugë e përshkuar e çdo çami. Kjo është arsyeja madhore se përse ky burrë është një ndër frymëzuesit e mi, se përse vepra e tij tregon dimensionet e Çamërisë, si një pjesë të jashtëzakonshme që plotëson hartën e kombit shqiptar”-shprehet kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Idrizi nuk ngurron të përçojë edhe një mesazh për të gjithë ata që mendojnë të kundërtën për tokën çame. “Enver Hoxha shkruante librin ‘Dy popuj miq’, ndërsa shqiptarët e Çamërisë mundohej t’i stigmatizonte duke i lënë qytetarë të dorës së dytë. Fatkeqësisht, kjo strategji e komunistëve për lënien e Çamërisë vetëm, për ta tradhtuar atë, vazhdon edhe sot e kësaj dite midis nesh. Vazhdojnë sërish pashallarët dhe rilindasit e kuq, që Çamëria të mbetet vetëm dhe mënjanë. Unë ju them rilindasve të kuq: Mos bëni të njëjtin gabim për 75 vjet që keni bërë ndaj shqiptarëve të Çamërisë, se ne kërkojmë shtëpitë tona, të kthehemi në shtëpitë tona. Nuk do të anashkalojmë më asnjë tradhti. Unë jam i bindur se nuk mund të ketë dot shqiptarë në pushtet ose jo, individë që nga një anë të hanë me lugën e Abedin bej Dinos dhe nga ana tjetër me lugën e Napoleon Zervës. Çamëria ka burra dhe gra që i dalin për zot”-thotë Idrizi, duke iu referuar edhe Ibrahimit, të cilit në moshën më të bukur iu desh të përballej me gjak, lot e vuajtje.