Dashnor Kaloçi/ Publikohet një dokument i panjohur i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, që për vite ka mbajtur siglën “Tepër sekret” dhe tashmë i deklasifikuar, i cili i përket vitit 1987, dhe bën fjalë për një letër që Ministri i Punëve të Jashtëme, Reiz Malile, i dërgonte ambasadës shqiptare në Paris.
Letra i dergohej personalisht titullarit të saj, Maxhun Peka, ku i kërkonte që ai personalisht dhe gjithë stafi i përfaqësisë sonë diplomatike në atë vënd perëndimor, do të merrte një detyrë të veçantë sipas porosive që ai u kishte shkruar.I gjithë personali i asaj ambasade duhej të angazhohej menjëherë dhe të ndante detyrat në mënyrë të preçizuar duke filluar hulumtimet, kërkimet dhe takimet zyrtare apo private me individë të ndryshëm dhe autoritetet e shtetit francez e atij belg, në mënyrë që të evidentohej dhe të gjendeshin dokumente, regjistra, fjalime, gazeta, libra dhe filmime të ndryshme, të cilat kishin të bënin me gjithë veprimtarinë e Enver Hoxhës gjatë viteve 1930-1935, që ai kishte qenë në Francë “me studime” dhe në Belgjikë si sekretar i Konsullit të Nderit të Mbretërisë Shqiptare në atë vënd, z. Maroth de Marthoy dhe kryekonsullit, Albert Calmes…
Fundi i viteve ’70-të, kur Enver Hoxha filloi të shkruante librat e tij me kujtime, si: “Kur lindi partia”, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë, “Titistët”, “Vitet e vegjëlisë”, “Mes njerëzve të thjeshtë”, etj., në disa prej tyre ai ndalej dhe fliste gjatë për periudhën kur kishte qenë me studime në Francë nga viti 1930 e në vijim dhe atë periudhë të shkurtër kohe në 1935-ën, kur kishte shërbyer për pak kohë si sekretar i Konsullit të Nderit të Mbretërisë Shqiptare në Belgjikë, z. Maroth de Marothy dhe kryekonsullit, Albert Calmes.
Gjë të cilat jo se ishin fakte të panjohura për shqiptarët, pasi ato ishin thënë në disa biografi të shkurtra që nga viti 1945 kur Enveri kishte kandiduar për deputet në Kuvendin Popullor dhe më pas, por në ato libra me kujtime, tashmë kishte vendosur të shkruante historinë e rinisë së tij, duke dhënë të zgjeruara kujtimet e tij. Kjo gjë, pra periudha e Enver Hoxhës në Francë e Belgjikë, ngjalli jo pak kureshtje në atë kohë, pasi ato bëheshin për herë të parë publike dhe të shkruara nga vetë ai.Por nisur nga fakti se për Enver Hoxhën ishte krijuar një mit, (si në popull ashtu dhe tek udhëheqja e lartë), se ai ishte i pavdekshëm, vdekja e papritur e tij në prillin e vitit 1985-ës, duket se e kapi në befasi të gjithë udhëheqjen e lartë me në krye Ramiz Alinë, të cilin vetë Enveri e kishte lënë si pasardhës së tij.Midis shumë “problemeve” të tjera, tashmë shtrohej edhe ai i dokumentimit të jetës së tij në Muzeun “Enver Hoxha” (Piramidën) që “Partia” vendosi ta ndërtonte pak kohë pas vdekjes së tij.
Dhe gjithashtu edhe plotësimit të fondit të tij personal arkivor, si dhe një dokumentari që do realizohej nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, (me titull “Vitet e rinisë”), sipas kujtimeve që vetë Enveri kishte lënë për periudhën kur ai kishte qenë në Francë.
Nisur edhe nga ky fakt, në pranvera e vitit 1987-të, ministri i Punëve të Jashtëme, Reiz Malile, i dërgoi një letër të gjatë prej gjashtë faqesh, ambasadës shqiptare në Paris, me adresë tituallarin kryesor të saj, ambasadorin Maxhun Peka.
Në letrën në fjalë që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ministri Malile jepte udhëzime dhe porosi të detajuara për përfaqësinë tonë diplomatike në Paris, e cila duhej të mobilizohej menjëherë duke u angazhuar në një punë të madhe për të gjetur dhe dokumentuar gjithçka Enveri kishte shkruar në kujtimet e tij për periudhën që kishte qenë në Francë.
Që do të thotë se: duheshin gjetur regjistrat dhe amzat e universiteteve ku kishte studjuar, klasat, auditorët, gazetat që kishte shkruar, librat në bibliotekat që ai kishte frekuentuar, lokalet, hotelet, konviktet dhe të gjitha vendet e tjera që ai kishte jetuar dhe frekuentuar.
Po kështu, sipas porosive të dhëna nga Tirana, ambasada shqiptare duhej të hulumtonte e gjurmonte për të dokumentuar edhe periudhën gusht-shtator të vitit 1946, kur Enver Hoxha kishte kryesuar delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris.
Krahas gjithë këtyre, siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë (me faksimilet përkatëse) ambasada shqiptare në Paris duhej të angazhohej edhe në shtetin fqinj, në Belgjikë, ku në vitin 1935, Enveri kishte shërbyer disa kohë si sekretar i Konsullit të Nderit të Mbretërisë Shqiptare, z. Maroth de Marothy dhe kryekonsullit, Albert Calmes.
Dhe sipas gjithë kërkesave e porosive të ardhura nga Tirana, (gjë e cila nuk mund të bëhej thjesht nga një dëshirë e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe titullarit të saj, por me vendim dhe porosi të veçanta nga vetë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha), ambasada shqiptare filloi menjëherë nga puna dukë u angazhuar dhe mobilizuar të gjithë stafin e saj për të përmbushur detyrat që kishin ardhur nga titullari i ministrisë, të cilat kishin dhe një afat?!
Por çfarë rezultati dhanë ato kërkime që bëri ambasada shqiptare në Paris, ashtu dhe në Belgjikë? Lidhur me këtë nuk ka asnjë dokument që të japë një përgjigjie të qartë, apo më saktë ne nuk kemi mundur që të gjejmë një dokument të tillë, ku të jepet një përgjigjie nga ambasada shqiptare e Parisit për Ministrinë e Jashtëme në Tiranë, lidhur me porositë e dhëna nga ana e titullarit të saj, Malile!
Por lidhur me këtë, na jep një përgjigje ekskluzivisht për Memorie.al, vetë ish-ambasadori, z. Maxhun Peka, i cili dëshmon se: “Pas asaj letre që na erdhi nga Minsitria e Punëve të Jashtme në Tiranë me firmën e ministrit Reiz Malile, unë personalisht ndava detyrat për gjithsecilin nga stafi i ambasadës që drejtoja dhe, pas disa muaj kërkimesh, rezultati ishte zero.
Pra, edhe pse autoritetet zyrtare franceze i pritën me mjaft korrektesë dhe dashamirësi punonjësit tanë të ambasadës që u angazhuan në përmbushjen e detyrave të dhëna nga Tirana, për Enver Hoxhën nuk u gjet asnjë dokument dhe asgjë tjetër, nga të gjitha ato që na porosiste ministri Malile në letrën e tij që po e publikoni dhe ju te Memorie.al.
Dhe për këtë, mund të flasë dhe Nexhmije Hoxha, e cila erdhi vetë në Paris dhe ka qenë dëshmitare në të gjitha rastet kur ne na është dhënë përgjigje negative, pra që: për Enver Hoxhën nuk ekzistonte asnjë dokument nga ato që na kërkohej”.
Kështu e mbyll dëshminë e tij ekskluzive për Memorie.al, ish-ambasadori Peka, (nga të paktit që nuk ishte në atë detyrë si rezultat i klaneve të nomenklaturës së lartë të PPSH-së).
Dokumenti arkivor në fjalë, mbetet një nga dokumentet më me vlerë, pasi ai ka “vetëdemaskuar” jo vetëm Enver Hoxhën për gjithë ato kujtime që ai kishte lënë të shkruara me dorën e tij për periudhën e “studimeve” në Francë, por edhe vetë udhëheqjen e lartë me në krye Ramiz Alinë?! Jo pse i kishin besuar ato, por pse kërkonin t’i besonin ende edhe kur Enveri tashmë kishte vdekur. Më shumë se një naivitet, ajo gjë mendojmë se ishte një servilizëm ndaj Nexhmije Hoxhës.
Letra e ambasadorit Malile për ambasadën shqiptare në Paris
REPUBLIKA POPULLOR SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTEME Tiranë, më 16. 3. 1987
Nr.909
AMBASADES SE RPS TE SHQIPERISE
(Shokut Maxhun Peka)
P A R I S
Qëndrimi në Francë zë një vënd të veçantë në jetën e shokut Enver Hoxha, në edukimin dhe formimin e tij revolucionar.
Në kuadrin e punës për pasurimin e plotësimin me dokumente të fondit të tij arkivor, dalin një sërë detyrash urgjente, të cilat duhet të ndiqen dhe të realizohen nga ana juaj.
Në koefidencë po ju themi se shoku Enver Hoxha ka lanë të shkruara një cikël të tërë kujtimesh për vitet e studimeve e të qëndrimit në Francë e Belgjikë (1930-1935) dhe, ndofta më pas ato botohen (mundet më 1988)
Aktualisht ndodhemi para këtij problemi:
Për nevojat e pasurimit të fondit dokumentar arkivor:
Për nevojat e konkretizimit të periudhës 1930-1936 në Muzeun “Enver Hoxha” që po ngrihet në Tiranë: për nevojat e punës përgatitore për një film dokumentar që do të xhirohet në bazë të kujtimeve të shokut Enver për Francën etj., është e nevojëshme që nga ana e ambasadës të bëhen sondazhet e nevojëshme në disa drejtime:
1936. Të pyetet në parim me anë miqsh ose me sondazhe zyrtare se ku ruhen dokumentat e Universiteteve të Francës që i takojnë periudhës së viteve 1930-1936. Nëse dokumentet ruhen në Arkivin e Përgjithshëm (shtetëror), atëhere drejtojuni atij: nëse i ruajn Universitetet përkatëse, atëhere duhet drejtuar Universiteteve.
Konkretisht:
Të bisedohet me Universitetin e Monpeljesë dhe, në vija të përgjithëshme t’u thuhet:
“Në Universitetin tuaj, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Biologji – Kimi, ka studjuar nga tetori i 1930 gjer në mars 1933, i riu shqiptar Enver Hoxha, i cili më pas u bë udhëheqësi i popullit shqiptar, Themelues i Republikës Popullore, udhëheqës i Partisë etj., (i dini vetë)
Monpeljeja, thojuni, zë një vënd të veçantë në jetën e kujtimeve të tij. Ai është shprehur me simpati e respekt për Universitetin tuaj, popullin francez. Do të donim të na ndihmonit: ç’dokumente ruhen, ku pasqyrohet, ose përmëndet shoku Enver në atë periudhë, ndonjë regjistër, amza ndonjë punim i tij, ndonjë shënim nga profesorët për të në ato vite, etj., etj., ç’të jetë e mundur…”.
Pasi t’i gjejnë, t’u njoftojnë nëse ka.
Po e njëjta gjë duhet se në vitin 1934, mundet në tetor, në këtë Universitet është regjistruar, ndofta si student i jashtëm, në Fakultetin e Drejtësisë, i riu shqiptar Enver Hoxha…etj.
A ruhet ndonjë dokument, regjistër etj., etj.
Po e njëjta gjë duhet bërë me Universitetin e Brukselit veçse me këto preçizime:
Dimë se ai, krahas punës në Konsullatë u regjistrua edhe në Universitetin e Lirë (L’Universite Libre dy Bruxel), në faklutetin e Drejtësisë. Mundet të ketë ndodhur kjo në shtator ose tetor 1935, mundet edhe më herët. Ju lutemi, a mund të na ndihmoni me çdo lloj dokumenti ose të dhëne që flet për shokun Enver Hoxha si student në këtë Universitet etj.”
Arkivit të Ministrisë së Jashtëme të Francës:
T’i kërkohen me anë miqsh ose zyrtarisht dokumente të ndryshme për dy momente:
Në vitet 1935-1936 shoku Enver Hoxha etj., shkoi me punë në Konsullatën e Mbretërisë Shqiptare në Bruksel të Belgjikës.
Në po kërkojmë dokumente në Bruksel, por do të na interesonte shumë ndihma juaj në një aspekt tjetër:
Konsull nderi në Konsullatën shqiptare në Bruksel në periudhën kur atje punoi shoku Enver Hoxha ishte qytetari francez me origjinë hungareze, Maroth de Marthy dhe kryekonsull Albert Calmes.
Mos ndofta në arkivat tuaja ruhen dokumente e material që pasqyrojnë qënien dhe veprimtarinë e Maroth Morthyt e Albert Calmes në vitet 1935-1936 si Konsull i Mbretërisë Shqiptare në Belgjikë? Kuptohet, ne do të na interesonin shumë ato dokumente (nëse dispononi), vetëm nëse ne to flitet direkt ose indirekt për Enver Hoxhën.
Më 18 gusht 1946 shoku Enver Hoxha, tashmë kryetar i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, mbërriti në Paris për të përfaqësuar shtetin e ri shqiptar në Konferencën e Paqes që në atë kohë zhvillonte punimet në kryeqytetin francez.
Më 21 gusht 1946 shoku Enver Hoxha foli në seancën plenare të Konferencës së Paqes.
Më 24 gusht 1946 zhvilloi një konferencë shtypi me gazetarët në “Hotel du Luvre”.
Më 16 shtator 1946 në prag të nisjes për në Shqipëri bëri një deklaratë shtypi (botuar edhe në Shqipëri).
A dispononi dokumente rreth veprimtarisë së Enver Hoxhës në Konferencë?
A gjendet i plotë inçizimi i fjalës së tij në Konferencën e Paqes? Po teksti i inçizuar i Konferencës së shtypit?
A gjenden (ruhen) syzhete nga kronika filmike kur ai foli në Konferencën e Paqes? Po nga Konferenca e shtypit?
A ruhet proces-verbali i Konferencës së Paqes? Çështë shënuar në të për Enver Hoxhën dhe fjalën e tij?
Mos ndofta gjenden shënime, përshtypje etj., të pjesëmarrësve të Konferencës për Enver Hoxhën dhe veprimtarinë e tij”.
Këto, në gjuhën e përshtatëshme u kërkohen francezëve.
Por, për më tej, për dijeninë tuaj duhet të keni parasysh dhe këtë:
Gjatë periudhës 20 gusht-16 shtator 1946, shoku Enver Hoxha mori pjesë në disa pritje që organizuan në Paris, delegacioni sovjetik dhe ambasada sovjetike në Francë: delegacioni jugosllav dhe ambasada jugosllave, polakët, çekët, etj. Në këto pritje merrnin pjesë edhe gazetarët e kineastët francezë. Mos ndofta, kushedi (!) në arkivat e filmit francez ruhen kronika nga ato pritje e, mos ndofta është fiksuar dhe shoku Enver?! Ku e si mund të interesohemi për këto?! Ndofta gjejmë diçka me vlerë.
Për këto të fundit, shoku Maxhun, veproni si t’u duket më e mira, ose lëreni në heshtje nëse është e vështirë ose jo opurtune të kërkohet.
-Duhet interesuar, me anë miqsh ose zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Belgjikës për të kërkuar se ç’dokumente ruhen në arkivat e saj që kanë lidhje me:
-Çeljen e Konsullatës së Mbretërisë Shqiptare në Belgjikë dhe me veprimtarinë e saj në vitet 1934-1936.
-Rergjistrimi i Enver Hoxhës në anuarin diplomatik të Ministrisë së Jashtëme Belge.
-Gjithçka ka të bëjë me shokun Enver Hoxha në Belgjikë në vitet 1934-1936.
Në ndonjë takim ju vetë, ose shoku Arqile ose Thoma, ose kë të quani ju të arsyeshme, të bisedoni me organet përkatëse (ndofta me Ministrinë e Jashtëme të Francës ose me ndokënd tjetër ku ta mendoni ju), për një gjë të tillë. Pasi t’i flisni shkurt për shokun Enver, për vlerësimin që i ka bërë ai popullit e kulturës franceze, për vitet që ka kaluar në Francë etj.
Të gjendet mënyra të pyetet, në se do të qe e mundur të vijnë në Francë, dy – tri shokë për t’i njohur nga afër vëndet ku ka studjuar e jetuar shoku Enver, ku ka shëtitur, pikat historike të Monpeljesë e të Parisit, që ka vizituar në vitet 1930-1935, sallën e Konferencës së Paqes ku foli më 1946 etj., etj. Po ashtu a do të ishte e mundur të filmonim disa nga këto vënde e qendra historike, banesat ku ka jetuar, sallën e Konferencës së Paqes, bibliotekat e librit (botimet e viteve ’30-të) që ka frekuentuar e lexuar etj. U theksoni se ky film, i mbështetur në kujtimet e shokut Enver Hoxha për Francën, do të ishte gjithashtu dhe një vepër për miqësinë mes dy vëndeve e popujve tanë etj.
-Pra, shoku Maxhun, bëjeni me kujdes një sondazh dhe në këtë drejtim dhe na njoftoni.
-Nëse e shihni të arsyeshme e me të efektëshme, mundet t’u drejtoheni miqve të Shqipërisë në Francë e Belgjikë dhe nëpërmjet tyre të sigurojmë ato ç’na interesojnë për fondet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Jashtëme franceze e sidomos për Konferencën e Paqes. Nëse kjo mënyrë s’jep rezultatet e duhura, atëhere drejtohuni rrugës zyrtare.
-Shokët këtu kanë përgatitur listat (në frengjisht) të autorëve e të literaturës që studjonte shoku Enver në vitet ’30-’36 në Francë, të organevt të shtypit që ai lexonte, të atyre gazetave ku është shkruar për të, etj.
-Po ju bashkangjisim një kopje të këtyre listave.
Ngarkoni një nga shokët të interesohet se ku ruhen këto libra (kujdes – botimi i viteve 1920-1930, jo botime të mëvonëshme).
Pastaj le të pyesi në institutin ku ruhen libra të tilla:
A është e mundur që të sigurojmë fotokopje të kopertinave të tyre, a mundet në një moment të përshtashëm t’i fotografojmë e t’i filmojmë të gjitha bashkë e disa më vete?
Për gazetat ku shkruhet për shokun Enver (sidomos ato që pasqyrojnë veprimtarinë e tij në Konferencën e Paqes) interesohuni në se mund të gjejmë ndonjë ekzemplar origjinal.
Dokumentet që përmëndëm më sipër ne duhet të bëjmë gjithçka që t’i sigurojmë. Juve paraprakisht bëni një konsultë midis shokëve të ambasadës, shkëmbeni mendime si mund të organizohet puna për të arritur rezultate sa më të mira. Bëni një ndarje konkrete të detyrave për kontaktet që duhet të ndërrmarë secili nga shokët me miq të vëndit tonë dhe institucionet e ndryshme franceze e belge të lartëpërmëndura dhe deri nga 10 ditëshi i parë i prillit të vitit në vazhdim na njoftoni rezultatin.
Kini parasysh për gjithë punën që duhet kryer, përcaktoni qartë:
Çfarë mund të kryhet nga miqtë e shoqatat:
Çmund të sigurohet nga francezët, me ose pa pagesë, qoftë dhe në kuadrin e shkëmbimeve kulturore midis dy vëndeve
Kur duhet të vinë shokët tanë aty sikurse bëhet fjalë në faqen 5. Për problemin e fundit duhet të tregoni kujdes që të merret me kohë autorizimi i autoriteteve franceze, gjithçka të bëhet në rregull në mënyrë që në procesin e punës, sidomos të filmave nga shokët tanë, të mos dalin probleme. (Ju shihni edhe nëse ndonjë filmim ose mikrofilmim të bëhet nga francezët)
Presim sa më parë mendimet tuaja.
M I N I S T R I
(Rezi Malile)
Memorie.al