Mbretëresha e Këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 1973. Ajo u takua me dashurinë e saj më të madhe në mënyrë ilegale. Ish-ambasadori shqiptar në Beograd në të kohë, bëri realitet ëndrrën e Nexhmijes për të shkelur tokën amë.
Pa e ditur askush se ajo po vjen në Shqipëri, Pagarusha ka udhëtuar nga Kosova në Tiranë me shokun e babait të saj. Edhe pse nuk kishte shkelur kurrë në Shqipëri, Pagarusha e dinte se ne e kemi dashur shumë. Në një intervistë për Shqiptarja.com 2 vjet më parë Primadona e Melosit Popullor, rrëfen emocionet e takimit të parë më tokën amë.
Zonja Pagarusha, keni ardhur ju në vitet e diktaturës për koncerte dhe spektakle në Shqipëri?
-Kam ardhur dhe me shumë dëshirë, sepse ne ju kemi dashur shumë. Unë ju kam dashur shumë, por dhe ju më keni dashur shumë, edhe kur s’kemi mund me iu pa, edhe kur s’na kanë lejuar të takohemi, dashuria ka qenë. Po duhet një kohë e gjatë me fol për ato vite.
Më thatë se duhet një kohë e gjatë për të folur për vitet e diktaturës. Ju kuptoj drejt, le ta nisin me kujtimet e para. Si e kujtoni konkretisht ardhjen tuaj të parë në Shqipëri para viteve ‘90?
-Ah, ardhja e parë…., fakt ishte që unë ëndërroja të vija në Shqipëri dhe po rrija me shpresën se mos po më dërgon dikush nga Kosova, por nuk u bë. Ishte një ëndërr që unë e dëshiroja shumë, por… të bëhej ky udhëtim i atyre kolegëve të mi dhe imi kemi pritur shumë vjet. Ëndrra e të gjithë neve ka qenë të shkojmë në shtetin amë. Kam pasur emocione të mëdha, kue erdha herën e parë.
Për ç’vite bëhet fjalë?
-Kjo ka qenë në vitin 1973, kur ka ardhur në Kosovë një grup artistësh nga Shqipëria, kur kanë ardhur në Kosovë Sandër Prosi, Edi Luarasi dhe drejtori i filmit shqiptar. Edhe unë atë ditë kam qenë e lumtur për këtë takim. Ka qenë dita e pranverës. Unë u kam pas kënduar këngën e “Bozhureve”, një këngë që e pëlqenim shumë ne atje. Atje në Hotel, ku i pritëm ua kam pas kënduar këtë këngë.
E keni fjalën për këngën “Kur Çelin bozhuret“…, “Bozhur në fushë, bozhur në mal” të kompozuar nga Limos Dizdari?
-Po. Po. Një këngë shumë e bukur. Dhe pastaj nisa t’këndoja një këngë hebreje “Hava Nagila”e kënduar në origjinal edhe në Izrael, sepse e pëlqenin shumë në atë kohë të gjithë atë këngë. Dhe atë natë të takimit ishim të shoqëruar me Abdyrrahim Shabën, artistin tonë. Dhe më tha Abdyrrahimi: “-A ma ban një nder, me na e këndu prapë, se po vijnë prej Shqipërie…” Dhe ne, me pa dikë prej Shqipnie në atë kohë “po çmendeshim”. Dhe e këndova edhe njëherë. Ne s’guxonin të vejshim në Shqipni, por edhe ata të Shqipnisë nuk guxojshin të vijshin tek ne.
Ndërkohë vjen dhe dikush tjetër, dhe unë po kujtoja se ai ishte artist, por jo. “-Pse s’po shkon në Shqipëri dhe ti Nexhmije”,-më thotë. “Unë shumë dua me shku, por kush po më çon”, i them. “-Po a do me shku?”. “-Kush unë, si nuk po dua më shku?!”. “-Nama dorën, -thotë ai dhe ma zgjat. Ma jep dorën sepse unë të bëj të shkosh”. “-Po, -i them, -dhe i jap dorën. -Unë dua e para të shkoj.” Kjo ishte biseda dhe mësova se ai kishte kenë Ambasadori i Shqipërisë në Beograd.
Ishte shqiptar?
-Po shqiptar ishte. Ai më thotë pasi më premtoi se po don me shku, ke me shku me shokun Zef që jetonte në Durrës. Zefi ka pas qenë një shok i babës, që prej 30 vitesh ishte i vendosun në Durrës. Dhe u nisëm me frikë një fije. Dhe erdhën e mezi e gjetëm Tiranën, se kurrgja nuk njifshim. E gjetëm edhe Hotelin “Dajti”. Aty ramë me fjetë, të nesërmen u çuam dhe i thirrën kamarierit kur po vjen, se doja të rregulloja lekët shqiptare për me pasë me vete e me ble ndonjë gjë prej Shqipërie.
Ai na thërret se aty na vjen të na takojë një femër, ishte e gjatë sa unë, me flokë kaçurela, që punonte udhëheqëse e gruas në Komitet të partistë dhe në radio. “-Si paske ardhur dhe ne nuk e dime”, më thanë. “Pse?” -u thashë, çfarë ka pse ne erdhëm?” “-Por ishte mirë me na tregu se ne donin të bënim gatitjet me ju prit”, na tha ajo. Dhe unë i them: “Ne nuk kemi ardhur këtu për ftesë, s’kemi ardhur zyrtarisht, erdhëm për dëshirën tonë. Dhe po don ta bësh një gjë, unë kam ardhur thjesht për dy ditë. A po don me na lanë 15 ditë”, i thamë.
Dhe çfarë ndodhi pas këtij takimi?
-Po pastaj kaluam shumë mirë, plus që bëra edhe koncertin. Pa më thanë me ba edhe një fotografi. “Hajde me të fotografu”. Dhe unë që nuk isha veshur si duhet i them: S’munden me më fotografu, merrni pasaportën.”
Kanë qenë ata të grupit të këngëtarëve dhe më thane se nuk bën kjo fotografia e pasaportës, sepse shihet vula në të. Milto Vako ka qenë atëherë dirigjent i korit të operës dhe e kanë çuar të më thotë se nuk bën vula. “A do të dalësh në fotografi? Nejse dola. Edhe kur u bë koncerti salla ishte plot dhe kam kënduar dy këngë të mira që kurrë në jetë s’i kam me harru sesa mirë shkuan e sa mirë u pritën.