Më shumë se 40 % e pensionistëve nuk kanë mundur të marrin bonusin për festat e fundvitit deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar. Madje shumë prej tyre nuk e kanë marrë 3 mijë lekëshin as deri në fund të janarit. Ky fakt është mësuar në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë të datës 23 janar 2020.
Fjala. al ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së komisionit dhe bardh debatet mes deputetëve dhe zvendësministrit të Financave. Deputeti Artur Roshi ka kërkuar shpjegime në lidhje me vonesën e shpërndarjes së bonusit. “Zoti zëvendësministër, pyetja e parë është: pse pensionistët që i merrnin pagesat nëpërmjet llogarive bankare e kanë marrë bonusin dhe ata që i marrin nëpërmjet postës nuk e kanë marrë?E dyta: sa është numri i kontributorëve për sigurimet shoqërore dhe sa është numri i atyre që përfitojnë nga këto, ose thënë ndryshe, sa është numri i atyre që paguajnë sigurime (i punëmarrësve) dhe sa është numri i pensionistëve që përfitojnë nga sigurimet?
Ndërsa zëvendës ministri Elton Haxhi përgjigjet se “në lidhje me mospagesën apo me progresin në lidhje me pagesën e atyre që e tërheqin në zyrat e postës, është çështje e paraqitjes së personave përfitues në zyrat e postës. Pra, në momentin që ata paraqiten në zyrat e postës bëhet edhe pagesa. Ne raportuam progresin në lidhje me tërheqjen, pra jo me…”
Debati në Komisionin e Ekonomisë
Artur Roshi
Zoti zëvendësministër, pyetja e parë është: pse pensionistët që i merrnin pagesat nëpërmjet llogarive bankare e kanë marrë bonusin dhe ata që i marrin nëpërmjet postës nuk e kanë marrë? E dyta: sa është numri i kontributorëve për sigurimet shoqërore dhe sa është numri i atyre që përfitojnë nga këto, ose thënë ndryshe, sa është numri i atyre që paguajnë sigurime (i punëmarrësve) dhe sa është numri i pensionistëve që përfitojnë nga sigurimet? Faleminderit!
Milva Ekonomi
A mund t’ju bëj një pyetje, zoti Haxhi? Doni që t’i grumbulloni pyetjet e më pas të përgjigjeni, apo do të bëni pyetje-përgjigje?
Elton Haxhi
Në lidhje me mospagesën apo me progresin në lidhje me pagesën e atyre që e tërheqin nëzyrat e postës, është çështje e paraqitjes së personave përfitues në zyrat e postës. Pra, në momentin që ata paraqiten në zyrat e postës bëhet edhe pagesa. Ne raportuam progresin në lidhje me tërheqjen, pra jo me…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Artur Roshi
Koncepti i bonusit këtu bie. Ata e morën për festat me një qëllim të caktuar dhe qëllimi ishte kalimi i festave për aq sa mund t’i sjellë lumturi një 3 mijë lekësh i ri pensionistëve. Kështu që në këtë kontekst do të thosha se dhënia e bonusit e humbet qëllimin. Në qoftë se pensionisti është paraqitur te posta para dhjetorit, sepse nuk ma merr mendja se ka pensionistë që të durojë të marrë lekët pas dhjetorit, dhe në vazhdimësi, pyetja është: kur do t’u jepen këto lekë?
Elton Haxhi
Ky progres nuk ka lidhje me pamundësinë për t’i paguar. Pra ne kemi qenë gati t’i paguajmë edhe para dhjetorit, por në dijeninë tonë ka pensionistë që nuk janë paraqitur, qoftë sepse nuk kanë qenë prezentë në territorin shqiptar, qoftë për arsye të tjera. Pra, nuk ka asnjë pensionist që ka shkuar dhe nuk e ka marrë bonusin. Në lidhje me numrat, numrin e kontributorëve mund t’ua vëmë në dispozicion pas seancës, numri i përfituesve është në relacion, është 663 mijë e 227./Fjala.al/