Pse lajmet e përditshme për vdekjet nga virusi i ri që lindi në Kinë nuk duhet t’ju trembin. Masat e marra në vendin tonë për parandalimin e koronavirusit të ri dhe disa këshilla për të shmangur këtë virus
Prof. as. dr. Pëllumb Pipero, infeksionist, thotë se nuk ka vend për panik nga informacionet për përhapjen e virusit më të ri që po tremb botën, koronavirusi.
Në një videomesazh për ndjekësit e tij, dr. Pipero shprehet: “E di që shumë nga ju, në mos të gjithë, njëlloj si të gjithë qytetarët anembanë, keni shumë pyetje për situatën aktuale që po kalon bota me epideminë, në mos pandeminë e mundshme, të koronavirusit.
Në mënyrë që, të mos harxhoni kohë dhe të gjeni përgjigje për çdo pyetje që keni, jam këtu për çfarëdolloj pyetjeje, por edhe për të shuar kureshtjen. Koronavirusi është një grup i madh virusesh, burim natyror i të cilëve janë kafshët.
Disa i njohim, siç janë lakuriqët e natës, gamilet apo edhe disa zvarranikë të tjerë, të cilët ende nuk i njohim. Njeriu infektohet fare rastësisht, por koronavirusi aktualisht ka fituar aftësi jo vetëm të infektojë njeriun, por të kalojë lehtësisht edhe nga i infektuari, me apo pa shenja klinike, në persona të tjerë të shëndoshë.
Kjo është arsyeja që Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të mundësuar marrjen e masave, jo vetëm për të ulur panikun, por edhe për të ulur prekshmërinë e njerëzve nga koronavirusi, shpalli situatën e emergjencës mbarë globale. E di që shumë nga ju keni edhe pyetje lidhur me mallrat që vijnë nga Kina. Deri më tani, studimet dëshmojnë që virusi jeton disa orë mbi sipërfaqen e objekteve që prekim çdo ditë. Gjithsesi, deri më tani, nuk ka asnjë arsye për t’u alarmuar nga pakot që vijnë nga Kina”.
Sipas doktorit specialist, “bëhet fjalë për një sëmundje të re dhe shkencëtarët ende po vlerësojnë se si koronavirusi po përhapet nga personi në person. Viruse të ngjashme kanë tendencë të përhapen përmes kollës dhe pikave të teshtitjes, me të cilat mund të hasesh lehtësisht edhe nëpër vende publike.
Sidoqoftë, nëse kjo është rruga kryesore e transmetimit, varet nga sa gjatë mbijetojnë viruset në sipërfaqe-kjo mund të ndryshojë nga orë në muaj. Ekzistojnë dëshmi se virusi mund të përhapet nga njerëzit përpara se këto të fundit të shfaqin simptoma. Kjo gjë ndodh në të vërtetë me gripin, por shkalla në të cilën po ndodh kjo me koronavirusin Wuhan nuk është kuptuar ende mirë”.
Po ashtu, Pipero beson se këtij virusi nuk i ka mbetur dhe shumë kohë në dispozicion me mbarimin e dimrit. Me ardhjen e pranverës ai do të vijë duke e ulur intensitetin e shpërndarjes. “Ka shumë pak kohë për të bërë dëm të madh, se virusi që të përhapet do temperatura të ulëta. Tani dita po zgjatet dhe po vjen vera. Kjo është një nga arsyet kryesore që ky virus është bërë mediatik. Prandaj, është përhapur shumë panik. Duhet që informacioni të mos kalojë në sensin e lajmit, por të informacionit”, – tha infeksionisti në një intervistë për “Report TV”.
Pipero ka sqaruar se është lehtësisht e dallueshme për të kuptuar se kur një person është i prekur nga koronavirusi, pavarësisht nëse i ka dhënë shenjat ose jo dhe për këtë arsye askush nuk duhet të shqetësohet. Ai bëri me dije se Shqipëria e ka një kapacitet te tillë, teksa ka shpjeguar edhe periudhën 14-ditore të të qëndruarit në karantinë, pse është e nevojshme si masë parandaluese.
“Nga studimet është konfirmuar që periudha e inkubacionit zgjat nga 2-12 ditë e gjysmë. Nëse dikush ka pasur kontakt me një të sëmurë, vjen nga Kina dhe brenda 14 ditësh nuk shfaq shenja, atëherë nuk është i sëmurë. Por metodat shkencore mund ta konfirmojnë virusin të infektuar, pa shfaqur shenjat e sëmundjet mund të identifikojmë. Kjo na bën optimistë. Kemi të gjitha mundësitë që nëse e ka virusin prezent ta dallojnë që në kontaktin e parë”, – u shpreh Pipero në studion e “Report TV”.
Referuar shifrave zyrtare, 80% e viktimave janë mbi moshën 55-60 vjeç, një tregues ky, sipas Piperos, se virusi është më agresiv te persona me imunitet të dobët.
“Kanë imunitet të dobët, kjo është arsyeja përse numri i vdekjeve është në këtë grup popullatash. Fakti që qeveria kineze ka marrë masa të rrepta për ta kufizuar përhapjen e virusit, kjo na bën optimist që impakti kryesor negativ është në Kinë”, – shprehet Pipero.