Vëmendja e qytetarëve e kthyer në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe pritshmëritë për institucionin “elitë” të sistemit të ri të drejtësisë. Si prodhoi vetingu një boshllëk të madh në sistem dhe pse Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka hequr nga duart “patatet e nxehta”, si dosja “184” dhe e Bajrëve/ Flasin për gazetën “Fjala” drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj dhe avokati Jordan Daci
Nga Bardhi Quku/ “Përse nuk më ka dërguar njeri kartolinë për Vitin e Ri?”, – ishte shqetësimi i parë që ngriti njëri prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në nisjen e 2020-ës. Mund të dukej barsoletë, por në fakt është e vërtetë, kur anëtari i KLP-së, Tartar Bazaj, i drejtohej me shkresë zyrtare për këtë “shqetësim” kreut të këtij institucioni, Gentian Ibrahimi.
Ndoshta ky nuk është një tregues për seriozitetin e këtij institucioni në tërësi, por na jep një panoramë se sa seriozë janë ata që janë ngjitur në shkallët e sistemit të drejtësisë së re, kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë është edhe institucioni që përzgjodhi drejtuesin dhe anëtarët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, gjithashtu edhe përzgjedhjen e kryeprokurorit.
Sytë e qytetarëve janë drejtuar pikërisht ndaj këtij institucioni për të hetuar dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht të zyrtarëve të lartë.
Që me krijimin e SPAK-ut, drejt këtij institucioni janë lëshuar një numër i madh njerëzish, kryesisht qytetarë të zakonshëm për të denoncuar afera korruptive nga më të ndryshmet, duke bartur mbi vete shpresën e re të shqiptarëve se te SPAK do të gjejnë vërtet drejtësi. Një nga dosjet e cila u depozitua fillimisht në SPAK, ishte ajo e koncesionit të sterilizimit. Sapo Prokuroria e Posaçme e mori në dorë dosjen dhe filloi hetimin e saj, qeveria i bëri disa ndryshime të kontratës së tenderit, që dyshohej si një koncesion i korruptuar.
Midis rreth 590 dosjeve në total që duhet të hetojë SPAK, 170 janë më “të nxehta”, të cilat ky institucion do të duhet t’i hetojë seriozisht. Një prej tyre, që ka trazuar jo pak është dosja “184”, e cila nisi në vitin 2016 në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër, por ende është me rrugëtimin Dibër-Tiranë. Si pjesë e kësaj dosjeje ishin edhe audiopërgjimet e gazetës gjermane “Bild”, ku shfaqej Kryeministri Rama, ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë lokalë, që sipas opozitës, janë përfshirë në shitblerje votash.
Ashtu si në rastin e Dibrës, SPAK shpalli moskompetencë edhe për atë të Shkodrës që lidhet me dosjen “Bajri”. Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme ia lanë në dorën Prokurorisë së Shkodrës këtë çështje, e cila ka përballë një sërë të akuzuarish për grup të strukturuar kriminal si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Nëse SPAK nuk heton Bajrët dhe organizata të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme”, – reagoi dje sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Dosjet e lartpërmendura janë ndër më të rëndësishmet midis 170 të tjerave që ka në dorë SPAK. Këtë ua bëri të ditur drejtuesve të saj para pak javësh kreu i KLP-së, Gentian Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, ndoshta duhet të ishte ndjekur një tjetër mekanizëm në ngritjen e SPAK-ut dhe për të pasur një kanalizim të hetimit të dosjeve të mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Fakti është që Prokuroria jonë e Posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë. Në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar ndaj atyre funksionarëve që kanë peshë”, – tha Ibrahimi në 21 janar të këtij viti.
Gjithashtu, KLP dhe SPAK nuk janë të financuara mjaftueshëm dhe u nevojiten më shumë burime njerëzore dhe materiale për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kjo është edhe një nga pasojat në mënyrën se si u konceptua dhe u zhvillua procesi i vetingut, ku rreth 60% prokurorë dhe gjyqtarë dolën jashtë sistemit, ndërsa 20% e pjesës së konfirmuar presin vendimin përfundimtar nga Komisioni i Pavarur i Apelimit.
Kjo ndikoi te reduktimi i burimeve njerëzore dhe në ngritjen me vonesë të KLP-së dhe për rrjedhojë edhe të SPAK-ut, duke prodhuar boshllëqe në sistem. Ndërsa vendi vazhdon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale. P
Prova e radhës për SPAK-un do të jenë dosja “339”, trafikimi i 613 kg kokainë. Pyetja që po ngrihet është: A do të përfundojnë edhe ato si dosjet “184” dhe ajo “Bajri” apo do të hetohen seriozisht? Deri më tani SPAK, fatkeqësisht, e ka zbehur disi besimin e publikut, që me të drejtë pati pritshmëri të mëdha.
LEXO EDHE: Hetimi i krimit të organizuar/ Skëndaj: SPAK duhet të fuqizojë kapacitetet
Hetimi i krimit të organizuar/ Skëndaj: SPAK duhet të fuqizojë kapacitetet
LEXO EDHE: Dosja “184”/Daci: SPAK veproi gabim, shqiptarët duan të dinë të vërtetën e krimit elektoral
Dosja “184”/Daci: SPAK veproi gabim, shqiptarët duan të dinë të vërtetën e krimit elektoral