Opozita në zigzagen politike të një viti, nga djegia e mandateve në “rikthimin në sistem” për kauzën e zgjedhjeve të parakohshme. Denoncimet ndaj qeverisë dhe “mbledhja” e elektoratit të saj disa nga arritjet, por mungesa e frymës për një qeverisje ndryshe mban pezull elektoratin gri. Çfarë humbi dhe fitoi opozita në një vit betejë politike?
Nga Sebi Alla
Me një akt ekstrem politik, opozita zgjodhi muajin shkurt për të nisur një rrugëtim të gjatë, fundi i së cilës ishte dhe mbetet me shumë të panjohura, kur dogji mandatet e deputetëve dhe braktisi Parlamentin. La në tavolinën e politikës tri kërkesa “të panegociueshme”: largimin e Kryeministrit; krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Si arsye të aktit politik opozita nxori tjetërsimin e votës nëpërmjet shitblerjeve dhe përfshirjen e elementëve të krimit të organizuar me politikën qeverisëse. Kauza të drejta kur ishte fjala e kërkimit të lirisë së votës, si shtyllën kryesore të demokracisë, por rruga që zgjodhi në gjetjen e saj u kundërshtua fort nga faktori ndërkombëtar. Një vit më pas, ka kthim aty ku është nisur, por me disa fitore, gjysmëfitore dhe humbje, gjatë 12 muajve. Faktorin ndërkombëtar e pati kundër në fillim, por gjatë vijimit të kaosit politik, një pjesë e shqetësimeve të ngritura nga opozita morën trajtë zyrtare, sidomos nga nëntë kushtet e Bundestagut gjerman, që ndër të tjera kërkonte dënimin e krimit elektoral dhe legjitimitetin ose jo nga Gjykata Kushtetuese të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Gjithashtu, protestat masive të opozitës ngjallën një frymë, nga numri mjaft i lartë i pjesëmarrësve, por edhe nga vendosmëria për të protestuar për largimin e Kryeministrit. Loja ndryshoi…! Qytetarët në protestat e fundit të opozitës (që datojnë disi larg, në qershor të vitit të kaluar), u përdorën më shumë për “dekor”, pasi shpejt nisi një tjetër betejë opozitare, ajo që qytetarët pak e kuptonin, por luhet fort në korridoret e errëta që shpesh është oazi i politikës shqiptare në tërësi. Për “hir” të integrimit të vendit, opozita ndali protestat, por kjo nuk mjaftoi që të hapeshin negociatat me BE-në. Sërish opozita qëndroi pasive, për t’u shfaqur krejt papritur në tryezën e reformës zgjedhore, me përfaqësues të mazhorancës. Për një pjesë të mirë të elektoratit të djathtë, kjo u lexua si një humbje të kauzave të saj. Por nëse hartimi dhe miratimi i reformës zgjedhore deri në mars arrihet bashkë me qëllimin për zgjedhje të parakohshme, mund të konsiderohet si gjysmëfitore. Me këtë politikë mikse, të paqëndrueshme, herë agresive dhe herë shumë të butë, Basha duket se ka kundërshtarë “ideologjikë” dhe ende jo të drejtpërdrejtë edhe brenda PD-së, ku ai që e artikulon është ish-kryeministri Sali Berisha. Në një dalje të fundit publike, i pyetur se si mund të largohet Edi Rama nga pushteti, Berisha tha se opozitës i duhet të bëjë revolucion, pasi Kryeministri do t’i vjedhë gjithmonë votat. “Ai largohet me revolucion, nuk ka forcë në botë që mund t’i rezistojë. Revolucioni sot është më i mundur se kurrë. Sa më monist bëhet Edi Rama, aq më i mundshëm është revolucioni dhe fitorja e tij”, – deklaroi Berisha. Po sot fjala “revolucion” në PD nga lidershipi dhe një pjesë e mirë drejtuese është zëvendësuar me “evolucion të ngadaltë”, duke humbur disi koherencën dhe me shumë ulje-ngritje qëndrimesh, e gjitha kjo në harkun e një viti, nga shkurti në shkurt. Për elektoratin e PD-së, zgjedhjet e parakohshme, por me Ramën Kryeministër do të ishin fitore me “humbje”. Quhet sukses i përgjysmuar, sepse ende nuk po artikulohet për largimin e Kryeministrit Rama (madje duket se ka hequr dorë prej kësaj kërkese “të panegociueshme”) dhe krijimin e një qeverie teknike, para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, parlamentare dhe lokale bashkë. Teksa me faktorin ndërkombëtar ka arritur ta tërheqë në kërkesat e saj, opozita ka lënë betejën tjetër, fort të domosdoshme, e cila është për qytetarët. Më shumë se për të thithur elektoratin gri, sot opozita po mendon për të mobilizuar votuesit e saj tradicionalë dhe më shumë se një lëvizje taktike, po bën llogari të thjeshta aritmetike: PD+LSI me votat e qëmtuara një më një mund të sjellin rrotacion politik, por jo frymë ndryshe qeverisëse. Ndonëse ka premtime nga kryedemokrati Basha se qeveria e së nesërmes e drejtuar prej tij do të jetë ndryshe, ky është një refren i dëgjuar për tri dekada nga qytetarët, të cilët sot janë ende skeptikë për t’i besuar. Akte konkrete në ngjizjen e një fryme pozitive që detyrimisht të çon në rrotacion gati dërrmues politik po mungojnë, ndërsa zërat qytetarë që mendojnë: “Të gjithë janë njësoj”, po shtohen shumë e më shumë. Mund të ngjajë paksa paradoksale, por ky perceptim që vjen poshtë nga qytetarët, më tepër i shkon përshtat mazhorancës, e cila gradualisht po hyn në fundin e mandatit të dytë qeverisës, duke mbajtur edhe akuza të rënda për keqqeverisje dhe dëme serioze që i janë shkaktuar vendit.
Ekipi i munguar si “fytyrë” e qeverisjes së re
Ndërsa kërkohet frymë e re dhe ekip i ri, opozita vijon të jetë në publik me të njëjtat personalitete, ndërsa akuzat për mbylljen e partisë dhe pranimin e alternativave ndryshe shtohen gjithnjë e më shumë. Kreu demokrat, qoftë edhe për imazh, gradualisht duhet të kishte vënë në pah ekipin e tij që do të shihej edhe si një qeveri në hije. Përveç saj, afrimi i alternativave me program të shkruar dhe hapja politike duhet të ishin realizuar në kohë, duke mos iu bindur “rastësisë” në momentet e fundit. Faktet nuk kanë munguar dhe rrezikon që historia të përsëritet, duke çuar në koshin e “mbetjeve” shumë mund. Pak minuta para se të skadonte afati i dorëzimit të kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e vitit 2017, Basha deklaroi se ajo do të ishte hera e fundit që listat i bënte kryetari, duke i dhënë një “premtim” vetes se kjo nuk do të ndodhte më. “Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që këtej e tutje duhet të jetë produkt i një procesi transparent gjithëpërfshirës me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike më të mirët dhe për t’u bashkuar rreth tyre në betejë”, – deklaroi Lulzim Basha në vitin 2017. Tashmë që po artikulohen zgjedhje të parakohshme, vetëm për ndryshim të sistemit zgjedhor nuk po flitet, ndërsa listat me gjasë sërish me një marrëveshje të heshtur të liderëve politikë, do të kalojnë sërish nga zyra e kryetarit.
Ergys Mërtiri: Opozita, delegjitimoi qeverinë në kushtet e një shteti autokratik
Enton Abilekaj: Opozita e çoroditur, nuk ka koherencë, rrëzoi kauzat e 2019