Dhuratat për Shën Valentin në diktaturë, ja kush e festonte

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mitro Çela

Në vitin 1982 kësmeti trokiti dy herë në portën e shtëpisë sime.

Kësmeti i parë. U martova në moshën 35 vjeçare, pikërisht kur të gjithë menduan se i mbeta  në derë familjes. Nusja, Ezmerka, ishte vajzë e vetme. Mendja më vajti për mirë: Si shkodrane, me siguri do më bjerë një pajë me “dhjamë”.

…Një natë me hënë,  më thotë nusja, ndërsa lotët  i rridhnin çurkë mbi faqe dhe përfunduan në gjoksin tim:

-E di që më do. E di që nuk ma prish. Më vjen turp nga vetja, që si vajzë e vetme, të mos i kem afër prindërit. Ju luta mamit dhe babit, të lënë Shkodrën, rehatinë e tyre, dhe të jetojmë së bashku në Tiranë!…

-Pranuan ta bëjnë këtë sakrificë,- thashë me gjysmë zëri-, ndërsa kujtova Noda Bulkën që thoshte: “ Çdo e mirë e ka një të keqe. Më vdiq vjehrra-gjëja e mirë. Duhen bërë shpenzimet për varrim-gjëja e keq?!”

– E do një surprizë? Javën tjetër I kemi mes nesh. Do jetosh si veshka mes dhjamit?!

Qesha sepse nuk mund të qaja…

-Mitrushit të Çelajve,-  e komentoi këtë fakt Filip Çakulli,- nusja nuk i solli  një fishek në pajë, por  një bombë, domethënë  vjehrrën bashkë me vjehrrin. Hallall! Duke qenë në raport tre nga familja Shestani dhe një nga familja Çela, Mitrushi na u bë kollovar…dhe  ha-ha-ha e ku-ku-ku me Koço Devolen dhe Ceken e Beratit?! ..

Kësmeti i dyti.

Pasi “kullota” për 10 vjet si gazetar, më dhanë “nishanin” e shefit të sektorit ekonomik në gazetën “Zëri i popullit”. Në ato vite kryeredaktorit të gazetës, Arshin Xhezo, i vinin dy buletine nga ATSH-ja. I pari me lajme bajate nga vendi, qarkullonte zyrë me zyrë. I dyti, quhej “Buletin i verdhë”. Top Sekretët vetëm për udhëheqjen e partisë. Botohej me letër të veçantë, më ngjyrë të zverdhur.  Kishte artikuj të përkthyera nga gazeta franceze, italiane, angleze dhe amerikane.

Herë pas here, kryeredaktori më ftonte në zyrë dhe më jepte për të lexuar “Buletinin e Verdhë”, pasi përsëriste avazin:”Kujdes shoku Mitro! Përtypi materialet si njeri, dhe mos i ripërtyp si bagëti, për t’i treguar në pazar. Mos kuvendo as me gruan?!”

Por një natë, unë ja hapa barkun gruas. E bëra këtë mëkat, thjeshtë nga dashuria…

Ishte mes shkurti 1983. Mes “Buletinit të Verdhe” gjeta një artikull për Shën Valentini. E këndova dy herë për ta fiksuar në tru. U ktheva vonë në shtëpi. Vumë në gjumë “çiftin në pajë” dhe nisa t’i tregoj Ezmeres sime lezet me kripë:

-Në Romë, Paris a Londër, më 14 shkurt bëhet një festë e rrallë. Quhet “dita e të dashuruarve”.  Të dashuruarit i falin njeri tjetrit trëndafila të kuq.

-Trëndafila? Pse edhe në Romë dyqanet janë bosh, si në Tiranë?!

-Kush të tha që në Tiranë dyqanet janë bosh? E lexove  “Zëri i popullit” kur u botua lajmi se Meksika na dha medaljen për ushqimin bio të popullit?

Kur u futëm në krevat, vazhdova tregimin…Në Romë kanë jetuar dy Valentinë. Njeri prift. Tjetri peshkop. Prifti jetoi në shekullin e tretë. Peshkopi në shekullin e katërt. Kishin tre gjëra të përbashkëta. Emrin: Valentin. Vdekjen më 14 shkurt. U vranë në Romë, në rrugën Flamini. Të dy vendosnin kurora për martesë. Bënin “paqe” mes çifteve të “thartuar” me njeri tjetrin. Bënin dhurata për të varfrit. Në shkrimet fetare gjendet edhe një letër me këtë tekst:

“Një ditë, peshkopi  ose prifti Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit , dy të rinj  që po grindeshin. Pasi dëgjoi bisedën, njeriu i Perëndisë këputi dy trëndafil dhe doli nga kopshti. Një trëndafil ja dha djalit. Tjetrin vajzës.  Pastaj u tha disa fjalë zemre.  Kaq mjaftoi dhe vendin e sherrit e zuri dashuria…”

Lexo edhe :  Viti i betejës së SPAK-ut me pandëshkueshmërinë e politikës

Me kalimin e viteve, bëmat e priftit dhe peshkopit u shkrinë në një  legjendë… Në  vitin 498 papa Gelasio, e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve.

Zonja ime nuk foli. Ra në mendime. Pse vallë?…E nuhata…Në “Ditën e të dashuruarve” nuk dhurohen vetëm trëndafila. Lulet janë si simbol për të kujtuar Shën Valentinin. Më 14 shkurt burri i jep gruas një darkë në restorant. I blen një palë këpucë allafrënga. Ndodh që më 14 shkurt gruaja “ngjiz” një fëmijë si dhuratë për burrin e dashur…Në vendet kapitaliste dhuratë mund të jetë edhe një makinë, një vilë…

“Po prindërit, mund të quhen si dhuratë për burrin”, tha   zeshkania duke përplasur qepallat.

-Nuk të flas dot. Është nga dhuratat e rralla, që nuk ka gjetur vend në “Buletinin e Verdhë”. Por në Japoni ka diçka të veçantë. Bëhen dy festa. 14 shkurti është për vajzat e dashuruara. Ato blejnë çokollata  dhe ua dërgojnë djemve. 21 shkurti është dita e djemve të dashuruar. Quhet “Dita e bardhë”. Në se djali e dashuron vajzën që i ka dërguar një kuti me çokollata, duhet t’i bëjë një dhuratë tepër të shtrenjtë. Është ky “sebepi” që dhuratat e djemve janë më me pakicë?!

-Kam një ide,- më thotë zonja.-Nesër është e diel. A nuk shkojmë në Shkodër të hamë një tavë krapi? Ta llogaris si dhuratë për 14 shkurt…

Para se të nisesha për në Shkodër, mora në telefon Masar Zekën, shefi i seksionit të tregtisë. …Në orën 14 zumë vend në një lokal karshi “Kafes së Madhe”. U bëmë katër çifte. Mes tyre edhe Tano Banushi, miku im dhe fis me zonjën. Mbi tavolinë kishte turshi, djathë,  qepë, byrek, vishnjak. Nxora nga çanta dy shishe vere “Sheshi i Zi”. I kisha “peshqesh” nga drejtori i tregtisë në Përmet…Mbushëm gotat. “Fillojmë,- thashë unë,- sa të bëhet tava e krapit…”

Shkodranët panë njeri tjetrin në sy. Tano Banushi mori gotën dhe tha:

-Gëzuar! Krapi ka cofur. Mishi ka dek. Kuzhinës i kanë vënë drynin. Gjërat mbi tavolinë i sollëm nga shtëpia. Për qejf. Ku ka ik krapi?… Do u tregoj një histori. Në vitin 1978 erdhi për vizitë në Shkodër Mehmet Shehu. Kryeministër. I thartë si burrë shteti. Bëri një takim me peshkatarët. Plani ishte realizuar vetëm 35 për qind. Hata e madhe. Kryeministri ulëriu. Kërkonte shkaqet. Nuk  u bind. Kur mbaroi mbledhja, drejtori i peshkimit i thotë kryeministrit:

-Do dëshironi të pini një kafe?!

-Miku nuk pyetet,- tha shoku Mehmet.

-Jeni mik me huqe ju, shoku kryeministër?!

Qeshën të gjithë. Më shumë kryeministri. Duke përfituar nga gazi, mes avujve të kafesë turke, drejtori e mori përsëri fjalën:

-Shoku Mehmet! Në mbledhje më mbeti merak pa të thënë një barcaletë që tregon Shtjefën Palushi…Ndërmarrja e peshkimit duhet t’i marrë pasaportat  krapit, që peshku të mos  arratiset në Malin e Zi…

Kryeministri në fillim u zverdh. Pastaj u nxi në fytyrë. U ngrit në këmbë dhe sokolliu:

-Si guxon të tallesh me pasaportën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?!

E la kafen përgjysmë…

Një ditë më vonë erdhi fermani: Drejtori i peshkimit u shkarkua!…

Të fundit

Shqiptarët kryesojnë numrin e të burgosurve në Britaninë e Madhe

Më pak se 1 në 100 të burgosur të huaj në Angli dhe Uells u transferuan në shtetet e...

Rusia dhe Ukraina këmbejnë qindra të burgosur

Rusia dhe Ukraina njoftuan të hënën se këmbyen disa qindra të burgosur. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes një komunikate se të dy vendet...

Foshnjet e lindura në 2025 do t’i përkasin “Gjeneratës Beta”

Gjenerata Beta, grupi pas Gjeneratës Alfa (2010-2024), do të përfshijë të lindurit midis 2025 dhe 2039, sipas “New York Post”. Duke filluar zyrtarisht më 1...

Mbi 700 mijë turistë për një vit/ Gjirokastra, destinacioni i të huajve

Në këtë periudhë të festave të fundvitit Gjirokastra e gurtë është kthyer në një destinacion turistik të preferuar për turistët vendas dhe të huaj....

Nga klima, pandemitë dhe hapësira, parashikimet shkencore për vitin 2025

Çfarë mund të presim nga kërkimi shkencor dhe eksplorimi i hapësirës në vitin që do të fillojë? Faqja e internetit “Nature" ka bërë një...

Lajme të tjera

Web TV