Vizita e parë e Albin Kurtit në Tiranë si kryeministër i Kosovës shoqërohet me shumë dilema. Ku ndahen dhe bashkohen Rama dhe Kurti? Akulli që nuk u thye dhe beteja mbi konceptet e bashkëpunimit rajonal që i ndan ende një hendek i madh. Patriotizmi i propagandës me duart mbi flamur dhe 77 marrëveshje të harruara. Lufta për të “fituar” e secilit Kryeministër që shkakton “humbjen” e dy vendeve. Flasin për gazetën “Fjala” Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, dhe analisti Lorenc Vangjeli.
Nga Sebi Alla
Takimi mes Kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe “të vjetrit” të qeverisë shqiptare, Edi Rama, i zhvilluar të martën në Tiranë, ishte gati si një detyrim; i akullt; shumë protokollar dhe me një mal ndarjesh, që në nisje. Tirana dhe Prishtina zyrtare janë prej të paktën gjashtë muajsh në kufijtë e një “lufte të ftohtë”, ndonëse dy vendet i presin shumë marrëveshje të nisura me bujë, me shfaqje televizive dhe (propagandë deri në zgrip të një patriotizmi folklorik). Kreu i qeverisë së Kosovës nisi në aksion që në fillim, kur la pas lojërat e tepërta të fjalëve dhe kërkoi që 77 marrëveshjet që janë nënshkruar mes dy vendeve të vihen sa më shpejt në zbatim. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama i shmangu “vogëlsirat e marrëveshjeve dypalëshe”, duke synuar të jetë në qendrën e një politike shumë më “të madhe”, sipas tij, atë të bashkëpunimit rajonal, të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurisht duke përfshirë Serbinë. “Ishte vizita e parë si Kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, – shkroi Kurti pas vizitës në Tiranë. Kryeministri Rama tha dhe se së shpejti do të ketë një mbledhje të dy qeverive në Shkodër dhe se bashkëpunimi me Kosovën është prioriteti kryesor. “Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. Nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe më pas dhe të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të heqim kufirin mes dy shteteve”, – theksoi Rama, por duke lënë të kuptohej qartë se ky “kufi” nuk është heqje klasike, por në kuadër të një politike shumë të madhe rajonale e përtej saj, duke mbajtur si të vetmen mënyrë “Minishengenin Ballkanik…” Pikërisht kjo solli ndasinë e hapur kur Kurti i shpreh: “Para se të flitet për ‘Minishengenin Ballkanik’ duket mbajtur në vëmendje ‘Makroshengeni shqiptar’”. Reagimi i Ramës ishte i përflaktë, duke thumbuar: “Nuk ka Makroshegen Shqiptar pa Minishengen Ballkanik”. Ky është një prej hendekëve më të mëdhenj që ndan jo vetëm dy kryeministra, por po shton një kufi shumë më të madh se trau që ulet e ngrihet në doganat burokratike mes dy vendeve tona. Takimi mund të shërbente për thyerjen e akujve, por më së paku ata u lanë të ishin si më parë, duke treguar se sot Kryeministri Edi Rama nuk e ka më “luksin” që në “komunikim publik”, të ketë një rival më të dobët, sikundër e konsideronte ish-kreun e qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryeministri i ri Albin Kurti nga vizita në Tiranë të paktën nuk humbi, pasi askush prej tyre nuk mund të flasë për fitore, qoftë edhe imagjinare, ndonëse disa shenja u dhanë. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kurti arriti që me qetësinë e tij të nervozonte paksa Ramën. Fatkeqësisht, duket se ka edhe një garë fort otomane Kurti-Rama në perceptim se cili duhet të jetë “violina e parë” që e mendojnë si pjesë kryesore e “orkestrës së Vjenës”, por në fakt është një aheng ballkanik. Në nisje, të dy duhet të lëvizin njëkohësisht, por kjo garë që mund të ketë një fitues, është humbje për të dyja vendet, nëse dy protagonistët nuk shkojnë në një hap në fundin e rrugëtimit. Politikat e përbashkëta, sidomos në aspektin diplomatik dhe ekonomik, janë të nevojshme për të dyja vendet, që më shumë se “lider rajonal”, po kërkojnë politikanë që të duan vendin dhe të mendojnë në radhë të parë për zhvillimin ekonomik, integrimin në BE dhe vendosjen e shtyllave bazë të demokracisë. Rama ka një disfavor, pasi është në vitin e shtatë të qeverisjes dhe në politikën brenda vendit ka kritika të forta për korrupsionin e shtuar, mungesën e shtetit ligjor, emigrimin masiv të qytetarëve dhe një ekonomi të dobët. Nga ana tjetër, Kurti është prova e madhe për t’u zbuluar, i cili vjen në pushtet pas 23 vitesh gjithnjë në opozitë, me një stekë fort të ngritur premtimesh (që në përgjithësi opozitarizmi ta lejon), por sot është koha e aksionit dhe ditët e Albinit kanë filluar të numërohen që në momentin kur u votëbesua në Parlament, pas një telenovele të gjatë bisedimesh me aleaten bashkëqeverisëse Lidhjen Demokratike të Kosovës. Edhe pse duket gati si utopi, bashkimi Shqipëri-Kosovë më parë kalon në zhvillim ekonomik, kulturë të fortë demokratike mes dy vendesh dhe uljen e liderëve me këmbë në tokë, për të kuptuar qartë se Shqipëria dhe Kosova bëhen të mëdha jo me sulme të ndërsjella dhe përçarje inatçore personale, por në zhvillimin e gjithanshëm mes dy vendeve. “Unë isha këtu më parë, unë jam këtu tani dhe do të jem këtu sërish, sepse kam qenë këtu gjithmonë dhe kurrë s’jam larguar. Le të punojmë së bashku!”. Kështu e mbyll vizitën e tij në Tiranë Albin Kurti.
77 marrëveshje, “interesante” vetëm në letër
Mbledhja e dy qeverive, shqiptare dhe kosovare, e mbajtur në Pejë në nëntor të vitit 2018, pati gjithçka. Takime të përzemërta, “përbetim mbi flamur”, simbolikë të thekur patriotike me duar në formën e shqiponjës dhe në fund plot 77 marrëveshje, aq sa ministrat u “lodhën” duke shkarravitur firma. Marrëveshjet parashikonin lehtësime të shumta në raportet mes këtyre dy vendeve, kryesisht në fushën ekonomike dhe kulturore, duke njësuar politikat që në fund, sipas ekspertëve, duhet të përktheheshin në zhvillim të përbashkët. U la edhe një afat, që më së paku deri në qershor të vitit 2019 duhet të kishin nisur zbatimin. Po sot ku jemi? Janë 77 marrëveshje, që edhe nga numrat e përzgjedhur dukshëm ishin propagandistike që askush nuk i ka zënë me dorë, as qeveria shqiptare dhe as ajo kosovare. Kurti kërkoi që në mënyrë të menjëhershme këto projekte të nisnin zbatimin, duke synuar më shumë aksionin sesa dukjen. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka “ndryshuar plan”, duke e korporuar idenë e zhvillimit ekonomik me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa po hartohen “planet e mëdha”, sot biznesi në Shqipëri dhe Kosovë ankohet për burokracitë dhe shpenzimet në taksa dhe dogana për tregtimin e mallrave në të dyja vendet./ FJALA.al
Robelli: Kosova është më e madhe nga ç’shihet me dylbitë e kabinetit Rama