Rama ironi Francës: Ngatërroi himnin e Shqipërisë, i kërkoi falje Armenisë

Atëherë kur Presidenti Macron dha lajmin e mirë atë të një votë pro Shqipërisë për çeljen e negociatave, kryeministri Edi Rama në konferencën e sigurisë në Mynih e nisi fjalën e tij duke bërë ironi me Parisin zyrtar.

Para liderëve botërorë kryeministri Rama kujtoi incidentin e ndodhur në ndeshjen e futbollit mes Shqipërinë dhe Francës. Bëhet fjalë për ndeshjen ku organizatorët ndryshuan himnin e vendit tonë me atë të Armenisë.

Sipas deklaratës së kryeministri Rama gabimi i Parisit zyrtar u shtua kur i kërkoi falje Armenisë që i kishte vënë himnin në vendin e gabuar dhe jo Shqipërisë.

“Ndërkohë që po dëgjoja gabimet që po bëje po mendoja se ka gabime më të mëdha kur Shqipëria luajti në Paris futboll i vunë himnin e Andorës. Të gjithë u çuditën dhe pastaj francezët e kuptuan që kishin bërë gabim dhe pastaj i kërkuan ndjesë Armenisë që i kishin vënë himnin gabim. Kështu që faleminderit, por ka edhe më keq.”, tha Rama.

Më tej kryeministri shqiptar vazhdoi: “Unë isha 11 vjeç kur u krijua OSBE-ja ku Shqipëria jo vetëm ishte i vetmi vend që nuk mori pjesë, por ishte vendi që e denoncoi krijimin e OSBE-së si një përshkallëzim të degjenerimit të botës së perëndimit dhe të lindjes.

Ajo çfarë është mbresëlënëse është që vetë parimi themelues i OSBE-së është sovranitet, integritet territorial, të drejtat e njeriut dhe këto parime sot po diskutohen më tepër sesa ishin aso kohe dhe kjo është një sfidë e madhe”

Pas kësaj Edi Rama duke folur si kryetar i OSBE-së kërkoi më shumë angazhim nga vendet anëtare të kësaj organizate për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

Në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, Rama do të udhëtojë drejt Moskës me 25 shkurt për të zhvilluar takime me autoritetet vendase.