“1.15 mld euro? Kredi jepen edhe për diktatorët”, Meta: Ja pse e duartrokas Ramën

Presidenti Ilir Meta ka nisur intervistën në “Open” në Top Channel me një duartrokitje për Konferencën e Donatorëve të zhvilluar sot në Bruksel. 1.15 miliard dollarë u dhanë për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Edhe pse vlerësoi punën e Qeverisë për përpilimin e letrave dhe identifikimin e dëmeve, Meta refuzoi të pranonte se kryeministri Edi Rama ka fituar politikisht me këtë zhvillim.

“Banka Botërore jep kredi edhe për vendet diktatoriale, është biznes”, theksoi Meta.

Sipas Presidentit, mbështetja e shteteve dhe organizatave është për qytetarët shqiptarë.

Ai vuri në dukje se SHBA-të fondin e tyre do e përqëndrojnë në transparencën e investimeve që do të kryhen në Shqipëri me buxhetin e akorduar në Konferencë.

“Ajo që kam theksuar sot ka të bëjë me kapjen e të gjithë institucioneve. Zëri i Amerikës raportoi sot edhe për nivelin e korrupsionit që është thelluar krahasuar me vitet e mëparshme”, tha Ilir Meta.