Shirli Treska, piktorja ambicioze në brendi të artit mesjetar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një takim shpresëdhënës brenda mureve të Muzeut të Artit Mesjetar në Korccë që flet thekshëm për ambicien e shëndetshme të një 25-vjeçare. Shirli Treska, vajza e imët e pikturës dhe e botës së artit mesjetar.

Nga Alessia Selimi

Ndodhemi në një nga qendrat muzeore më të rëndësishme në vend, me mbi 7 mijë objekte kulti e arti; kryesisht ikona nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit të XX. Ndodhemi pikërisht në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, në Korçë,  në këtë qytet juglindor që të fton ta vizitosh në çdo stinë. Për shtëpitë karakteristike, bujtinat mikpritëse, rrugicat me kalldrëm të ngjeshur, por mbi të gjitha për historinë dhe kulturën që mbart mbi shpinë.

Këmbët marrin udhë drejt Murit të Artë, i cili mbulon dy kate me lartësinë e tij prej 9.5 m. Teksa e gjithë vëmendja rrëmbehet nga objektet e varura qindra shekullore, një vajzë e imët nuk ngurron të na shoqërojë në këtë eksperiencë me frymë bizantine. I pëlqen të flasë për çdo vepër arti. Duket se e njeh mirë rrugëtimin e lavdishëm dhe të vështirë të ikonografisë shqiptare. Të shenjuar në periudhën e komunizmit, kur rrezikohej frikshëm ekzistenca e afreskeve dhe pikturave murale.

Në këtë muze, i cili gjendet në harmoni me atmosferën e ndërtimeve tradicionale të qytetit, Shirli Treska punon prej 6 muajsh si guidë. Kur i kërkojmë të ndalet paksa tek vetja, stepet. I lexohet qartazi në sy se nuk i pëlqen të flasë për unin. E megjithatë, mundohet të ruajë një bashkëbisedim të ngrohtë. Shirli është tepër e dhënë pas pikturës. I mjafton vetëm një laps dhe një letër, për t’u distancuar nga zymtësia e përditshmërisë.

Ajo rrëfen për “Fjala” se të qenurit guidë në Muzeun e Artit Mesjetar është një zgjedhje e rastësishme, por një alternativë e mirë për t’i qëndruar pranë së bukurës. “Kam kryer studimet e larta për Histori-Gjeografi. Në një të shkuar jo shumë të largët, e mendoja veten larg qytetit të Korçës. Mirëpo, për shkak të disa problemeve familjare, ëndrrat më morën një tjetër drejtim”- tregon Shirli. “Asokohe, piktura mori trajta të tjera në mua.

Zhytesha në kombinim ngjyrash për orë të tëra”-vijon ajo, duke shtuar se më së tepërmi ndalej në portretet e të afërmve, si për t’i dhënë ndoshta një shikim më të butë, më njerëzor. “E interesuar sa më s’ka për artin mesjetar, u bëra pjesë e praktikave të ofruara nga Bashkia e Korçës. Në vazhdën e një grupi studentësh, u përzgjodha për të qenë guidë për të interesuarit vendas dhe të huaj. Fillimisht isha skeptike, për të vetmen arsye se jam paksa e ndrojtur, e stepur. Por me kalimin e kohës kuptova se kjo punë më përmbush, njësoj sikurse piktura”-shprehet Shirli, teksa ndodhet jo shumë larg muraleve magjepsëse të Onufrit.

Përpos andrrallave të moshës, kjo 25-vjeçare është mjaft ambicioze. Pikturat e saj blihen sot nga njerëz krejtësisht të panjohur, të cilët duan veçse të ndalin kohën. Në pamundësi për t’i vendosur  punët në muret dhe vitrinat e një dyqani të çfarëdoshëm, Shirli ka shfrytëzuar si kanal komunikimi dhe reklamimi “Instagram”-in, aplikacionin që ka mbërthyer prej vitesh miliona njerëz pas ekranit të telefonit. Kuptohet qartazi, piktura për të nuk është vetëm kataklizëm emocionesh, por edhe një formë për të përftuar të ardhura.

Lexo edhe :  Rama publikon videokartolinën për shqiptarët e Amerikës/ Ja çfarë shkruan

“Ndërkohë, jam duke bërë një plani biznesi, për të cilin do të më duhet të investoj shumë nga vetja”-thotë Shirli, me një qetësi të papërshkrueshme në të folur, ndërkohë që sytë i ka të drejtuara nga ikona e Kryengjëllit Mikael. Ajo synon marrjen e një granti, për të patur pikërisht një biznes të sajin, fizik, për të sjellë po ashtu suvenire origjinale. “Për hir të së vërtetës, të rinjtë e qytetit tim janë të fjetur, jo aktiv. Unë nuk dua të ngjasoj me to. Ndoshta është vet qyteti që ta imponon një qëndrim të këtillë….”-shprehet Shirli, ndonëse i mëshon fort idesë se qetësia e Korçës është padyshim një klimë e domosdoshme për të ushtruar artin e pikturës.

Shirli Treska e di fare mirë se çfarë kërkon të arrijë në një të ardhme të afërt. Ndryshe nga një pjesë e mirë e të rinjve të sotëm që enden të pasigurt, kuturu. Sa i takon së tashmes, kushdo mund ta gjejë fare lehtësisht brenda mureve të ngjyruara, zotëruese e mahnitëse të Muzeut të Artit Mesjetar. Ku rrugëtimi i një vizitori përfundon në Dhomën e Parajsës, që mban dy kryevepra të vëllezërve Zografë.

 

Të fundit

Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse pini shafran të Indisë çdo ditë!

Shafrani i Indisë është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të marrë të gjitha përfitimet e mahnitshme...

Ja cilat janë universitetet më të mira në Europë

36 nga 100 universitetet më të mira globale janë në Europë, një rritje disi e konsiderueshme në krahasim me 28 universitetet që kishte Europa...

Po afron 14 shkurti dhe ti je single? Ja 5 arsye për të festuar

14 shkurtin zakonisht çiftet e kalojnë bashkë, por kjo datë është gjithashtu dita më e mirë që ju të dashuroheni me veten. Është koha...

FOTO/ Familjarët e Loredanës ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre

Nuk ndalen familjarët e Loredanës/ Pas largimit të Jozit nga shtëpia, ata e ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre Ata kanë publikuar një imazh të saj...

Donald Trump planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën

Presidenti Donald Trump po planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën, duke shënuar herën e parë që një president...

Lajme të tjera

Web TV