Shqipëria, ja ku rrezikohet siguria kombëtare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervistë me Kolonel Pëllumb Zaimin, ish-punonjës shkencor, ish-pedagog në Akademinë Ushtarake dhe ish-shefi i kabinetit të komandantit të Forcave Ajrore.

Nga Leonard Veizi

Çfarë do të thotë siguri kombëtare? Ajo nuk ka të bëjë vetëm me cenimin e territorit, të pavarësisë. Më së shumti siguria kombëtare sot ka të bëjë me aktet e grupeve terroriste. Një shpërthim në mes të qytetit, ndotje e ujit të pijshëm apo rrezatimi i ushqimeve mund të krijojnë shumë e shumë dëme sesa një luftë frontale ku të duhet të marrësh një terren të fortifikuar.

Pas kësaj, ajo që ka të bëjë me emergjencat civile, janë fatkeqësitë natyrore. Për të gjitha këto, shteti mban në dispozicion trupa të veçanta, të cilat stërviten çdo ditë, që në një çast fatkeqësie të mund të japin kontributin e tyre maksimal në minimizimin e pasojave…

…Ushtarakët hyjnë në kategorinë e njerëzve që edhe në rrethanat më të vështira i binden shtetit dhe ligjeve të tij. Ushtarakët për shumë arsye janë shtetformues dhe kjo është provuar nga filozofët dhe doktrinarët ushtarakë të të gjithave kohërave e vendeve. Ushtarakët reagojnë fuqishëm kur rregulli në shtet është i dobët dhe sidomos kur nëpërkëmbet rregullatori kryesor i funksionimit të tij, ligji.

Pëllumb Zaimi, një ish-kuadër i lartë i ushtrisë shqiptare, tashmë me gradën e kolonelit në pension, thotë se nuk është çudi që siguria kombëtare e Shqipërisë të cenohet kurdo e në çdo anë.

Në rast fatkeqësish të mëdha, ushtria është mekanizmi më i fuqishëm që i vjen në ndihmë popullsisë civile. Në fakt, çfarë masash duheshin marrë në rast fatkeqësie natyrore, siç ishte tërmeti?

Ashtu si dhe në shumë vende të botës, në rast të fatkeqësive të mëdha, ashtu si dhe në raste të sabotazhit apo akteve të tjera terroriste, alarmi jepet edhe për ushtrinë. Madje, në shumë vende, është ushtria ajo që ka jo vetëm gatishmërinë më të lartë, por edhe mjetet më të mëdha për të përballuar çdo lloj fatkeqësie. Duhet kuptuar qartë se policia ka për detyrë të vendosë perimetrin e sigurisë dhe të ruajë rendin, por nuk disponon mjete që bëjnë të mundur të ndërhyhet për të minimizuar pasojat.

Kjo do të thotë që ushtria ka trupa të gatshme gjatë 24 orëve?

Jo vetëm kjo, por ushtria në të tilla rraste thërret me urgjencë edhe rezervistët. Pra, jo vetëm kur vendi kërcënohet nga një ushtri e një vendi të huaj, por edhe në rast të një fatkeqësie kombëtare, çdo rezervist duhet të dijë se ku duhet të paraqitet për të marrë detyrën. Të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara, që ne i marrim si model, 60 për qind të efektivit të ushtrisë e kanë të përbërë prej rezervistëve. Të gjithë e dinë se ku duhet të paraqiten në rast rreziku. Në rast të thirrjes “nën armë” askush nuk mund ta neglizhojë e të mos paraqitet, pasi pasojat bien mbi të.

A funksionojnë trupat rezerviste në Shqipëri?

Absolutisht jo. Prej shumë vitesh ato nuk janë më funksionale. Në vitin 2003 unë kam dalë si ushtarak në lirim. Prej asaj kohe e derisa kam dalë në pension quhesha “oficer në rezervë”. Asnjëherë nuk e kam ditur se ku duhet të paraqitesha në rast rreziku, pra në rast kur shteti bën thirrje për rezervistët që duhet të marrin detyrën.

Asnjëherë nuk më kanë thirrur “nën armë” për të dhënë ndihmesën time, qoftë në raste përmbytjesh, por edhe në raste tërmetesh. Kjo do të thotë që asnjë strukturë që thërret “nën armë” rezervistët, prej vitesh nuk funksionon më.

Si ka qenë e organizuar ushtria shqiptare e para viteve ‘90 sa i përket kuadrit rezervist?

Ushtria ka pasur rreth 450.000 rezervistë. Ata ishin të shpërndarë në 127 brigada si dhe në 34 regjimente. Pa dyshim ka qenë dhe Regjimenti i Mbrojtjes Civile, me të gjithë kuadrin e nevojshme dhe me mjetet logjistike për të përballuar të gjitha llojet e emergjencave. Në rast mobilizimi, secili prej tyre e dinte pikën se ku duhet të paraqitej. Pastaj atje të jepej detyra.

Po sot, si e shihni situatën e Emergjencave Civile?

Sot kemi vetëm ushtarë rrogëtarë, por nuk kemi asnjë organizim për civilët që janë rezervistë të shtetit në çdo lloj situate alarmi. Këtu nuk flitet vetëm për luftë frontale përballë një armiku të armatosur, por edhe për emergjenca civile e katastrofa.

Nëse bie një tërmet, shembet një digë apo ka përmbytje, e para që shkon në front është ushtria, sepse është ushtria ajo që nuk disponon vetëm trupa njerëzorë por ta edhe mjetet përkatëse.

Nëse shembet një urë, është ushtria ajo që në mënyrë emergjente monton një urë provizore, e cila shërben për kalimin e ngarkesave derisa të rregullohet ura e dëmtuar. Brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli”, ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por edhe tanket.

Lexo edhe :  Media britanike jehonë Shqipërisë/ Mes 12 vendeve evropiane më mahnitëse për t’u zbuluar

Si ishin parashikuar rastet e fatkeqësive natyrore?

Ushtria kishte gjithçka të mundshme që vihej në përdorim në rast lufte. Kishte bazat e furnizimit me kodin “101K”, ushqime, veshmbathje dhe karburante të parashikuara për 5 vite luftë, por që viheshin nën funksion edhe në rast të fatkeqësive natyrore.

Fjala vjen: duke iu referuar evidencave të vitit 1992, rezulton se përveç sasisë së çadrave që kishin repartet e njësitë ushtarake në përbërje të tyre, vetëm në rezerva të paprekshme kishte aq çadra të llojeve e madhësive të ndryshme sa mund të strehoheshin njëherazi deri në 350 mijë vetë. Por ushtria dispononte edhe disa spitale fushore me të gjitha pajisjet, pra salla kirurgjie dhe shtretër.

Si do të operohej më pas me ekipet e Emergjencave Civile?

Deri në vitin 2013, për sa kohë isha në detyrë si oficer aktiv i ushtrisë, kishte një strukturë për kërkim-shpëtimin. Ekipi u krijua që në rast të rrëzimit të një avioni, i ushtrisë shqiptare apo i huaj, pak rëndësi kishte kjo, ekipi të kërkonte, të gjente vendin dhe të shpëtonte të mbijetuarit.

Ky ekip stërvitej që të kishte një shpejtësi maksimale në veprim. Për këtë arsye u bënë dhe stërvitje të përbashkëta me ushtritë e Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë. Në të gjitha këto stërvitje ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit dilte shkëlqyer.

Është aktiv ky ekip tanimë?

Prej shumë vitesh unë nuk kam dëgjuar më për të. Pa dyshim që është shkrirë si strukturë. Ekipi në fjalë do të ishte shumë i vlefshëm në rastin e fatkeqësive natyrore, si në rastin e fundit të tërmetit, pasi kishte njohuritë e duhura, por edhe mjetet e duhura për kërkim-shpëtimin.

Në përbërje të ekipit ishin disa helikopterë, sepse edhe në rastit e tërmetit puna nuk pret sa të vijnë ambulancat. Duhen helikopterë për evakuimin e të dëmtuarve drejt spitalit. Ky ekip i kishte këto mundësi. Ekipi i kërkim-shpëtimit nuk u dëgjua të ndërmerrte asnjë aksion, sepse kjo strukturë për një ditë të tillë do të ishte shumë efektive. Kjo do të thotë që ky ekip nuk ekziston më.

Duke iu referuar problematikës së fundit, si e shihni rolin e ushtrisë?

Sot Shqipëria nuk ka struktura për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Edhe nëse i ka, ato janë rudimentare. Tanimë ushtria është një strukturë që nuk shërben për gjë. Po të shohësh fqinjët tanë, Serbia dhe Greqia, kanë raporte të balancuara forcash, që do të thotë se kanë ushtarë dhe mjete luftarake pak a shumë në të njëjtat kuota. Shqipëria dikur ka qenë në të njëjtat nivele, por sot është shumë larg tyre.

Mbajtja e ushtrisë me kuadër njerëzor e armatim ka një kosto shumë të lartë. Ndërkohë, ushtarakët e vjetër këmbëngulin që ushtria duhet ringritur…

Sot jemi në periudhën kur mund të përballesh me emergjenca të mëdha. Rreziqet vijnë nga grupet terrorist, por edhe nga diversioni i brendshëm dhe ai i jashtëm. Kështu, popullsia rrezikohet nga uji i pijshëm, nga ushqimi, për të mos folur më pas për portet dhe aeroportet. Informacioni mund të vijë ngado, sepse në punë janë strukturat e Shërbimit Informativ, ato të policisë dhe ushtrisë. Por kush i kombinon këto struktura? A ka një organizëm të tillë?

Nëse ndodh që një grup terrorist hedh një bombë kimike, uranium të varfëruar, është ushtria që vjen në ndihmë. Ajo ka njerëzit e specializuar për këto raste. Ndërkohë, sot nuk ka më oficerë kimistë që të ketë dhe një skuadër pas vetes, e cila duhet të merret me eliminimin e pasojave. Pra, po zhduken disa specialitete që janë shumë të nevojshme në raste të veçanta.

A na duhet një Ministri Mbrojtjeje, kur tanimë nuk kemi as avionë, as tanke dhe as anije të rënda lufte? Madje, edhe armatimi ynë ose ka shkuar për skrap, ose është shitur…

Ministri Mbrojtjeje ka çdo vend, kështu që nuk mund të themi që Ministria jonë e Mbrojtjes duhet shkrirë. Struktura e ushtrisë sot ka vetëm 8000 kuadro, nga ministri e shefi i Shtabit të Përgjithshëm e deri tek ushtari i fundit.

Natyrisht, nuk flitet për shifra të ushtrisë së viteve ‘80, kur efektivi përbëhej nga të paktën 16.500 oficerë, rreth 9000 nënoficerë, rreth 60.000 ushtarë dhe rreth 8000 civilë. Kjo ishte një shifër shumë e fryrë. Por, gjithsesi, duheshin ruajtur njësitë bazë të ushtrisë, që të mos kapeshim mat në një ditë të vështirë, siç ishte dhe rasti i fundit i një tërmeti të fuqishëm.

Të fundit

“Romancat fitojnë”/ Rikja ironizon çiftet në BBV3: S’kam ardhur këtu të bëj pllaq-plluq

Edhe në këtë edicion të tretë të “Big Brother VIP”, çiftet kanë arritur që të marrin një vëmendje të...

Fabrika false e parave i bën gjëmën bizneseve, hedh në treg shumën marramendëse

Katër burra prodhuan monedha të falsifikuara me vlerë të madhe në dollarë. Ky është një nga rastet më të mëdha të zbuluara të tridhjetë...

Artisti Ledri Vula merr dhuratë nga KFOR-i (VIDEO)

Ai është njëri nga rap-artistët më të suksesshëm në tregun muzikor shqiptar. Bëhet fjalë për Ledri Vulën, i cili tashmë shquhet për hitet që ka...

Java e pashkës katolike/ Besimtarët përgatisin vezët e kuqe

Kjo është java e shenjtë e besimtarëve katolikë që kulmon të dielën e pashkës. Kjo e enjte shënon ditë e parë të treditëshit të...

Himara me dy kryetarë në burg, prefekti Tavo: Ja si do të zgjidhet drejtuesi i Bashkisë

Me dy kryetarë bashkie në burg, Himara ka mbetur përkohësisht pa një drejtues. Një situatë e paprecedentë ku kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 14...

Lajme të tjera

Web TV