“Tokë e xanun”, në Elbasan funksion vetëm ligji i xhunglës për parkimet

Para pak vitesh në Elbasan nuk kishe asnjë problem për të parkuar makinën, por sot është totalisht kaos.

Më sa duket, në këtë qytet ka filluar të funksionojë vërtet ligji i xhunglës apo si njihet ndryshe i më të fortit. Nëse je i fortë e ke të garantuar vendin e parkimit.

Në redaksinë e Gazetës Fjala kanë ardhur disa denoncime se çfarë po ndodh me parkimet në këtë qytet.

Pikërisht, në bulevardin kryesor të qytetit, “të fortët” zënë me karrige dhe tavolina vendet e parkimit.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, bashkia e këtij qyteti ka krijuar një korsi biçikletash duke ‘fshirë’ aktualisht shumë vende parkimi.

Krijimi i korsive të biçikletave është nismë që duhet vlerësuar, por jo kur bëhet e pastudiuar dhe pa zgjidhur më parë problemet e tjera me parkimin. A ishte vërtet e nevojshme gjithë kjo korsi e madhe në bulevardin kryesor të qytetit? A është bërë një studim se sa biçikleta kalojnë në ditë përgjatë bulevardit? Dhe pse kjo urgjencë për korsi biçikletash pa u zgjidhur problemi i parkingjeve? Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm Bashkia e Elbasanit.

Aktualisht, Elbasani ka vetëm dy parkingje publike private, njëri përball stadiumit të qytetit, dhe tjetri përballë tregut të fruta-perimeve. Parkingje që nuk përmbushin aspak nevojat e qytetarëve.

Prej vitesh në Elbasan ka pasur fjalë se bashkia e atij qyteti është një kopjuese e keqe ndaj risive që sjell kryeqyteti i shqiptarëve. Rasti më i fundit është korsia e biçikletave në qendër të qytetit.

Bashkia duhet t’i japë me patjetër zgjidhje parkingjeve. Gjithashtu, të bëjë studime me specialistët e saj se cilat janë rrugët e përshtatshme se ku mund të krijohen hapësirat për korsitë e biçikletave.

Lexo edhe :  Rrëfehet ish-kapiteni i anijes “Vlora”: Si shpëtuan 20 mijë shqiptarë nga mbytja

Policia Bashkiake por dhe ajo e Shtetit nuk duhet të mbyllin sytë para “të fortëve” që zaptojnë parkingjet publike dhe jo vetëm. /Fjala.al