Katër dekada në objektivin e Bujar Kores, rrëfehet operatori i njohur i TVSH-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një rrëfim për gazetën “Fjala”, operatori i njohur i TVSH-së kthehet pas në të shkuarën dhe tregon vështirësitë dhe privilegjet e profesionit

Nga Alessia Selimi

I dhënë së tepërmi  pas gjuhës vizuale, operatori i vjetër i Televizionit Shqiptar, Bujar Kore, shihej ngado; në distanca të largëta, si dhe të afërta, në një udhëtim komod me avion, por edhe nëpër makina të larta dhe agresive të punës.

Në katër dekada, në supet e tij ka rënduar gjithnjë një kamera.  “Ariflex” me film 16 milimetra, një kamera të sistemit “Beta”, si dhe një “Soni DV Cam”. Padyshim, aparate të llojeve të ndryshme, ndonëse përmbanin në vetvete të njëjtin mision: dokumentimin, përjetimin e një çasti.

Si operator mbart mjaft të tilla, të gdhendura në memorie, jo pak të rëndësishme! Përbëjnë historinë e një vendi në udhëkryq, plot andralla.

Në një rrëfim për “Fjala”, Bujar Kore kthehet pas në të shkuarën, si dhe ndan atë çka e konsideron shqetësim,  shkak të një trishtimi, që duket se hera herës mposht arritjet profesionale.

“Kam qenë një i ri mjaft energjik, tepër i lidhur pas punës. Karriera ime si operator nisi më 1972-shin. Me një ritëm të vazhdueshëm dhe intensiv, pa shkëputur kurrsesi dëshirën për të bukurën. Nuk ishin të paktat ato raste në të cilat e shihja veten rrugëve, pa bërë dallimin e natës nga dita”-rrëfen Bujari, duke shtuar se i mungon ajo kohë.

Tanimë në pension, por 42 vite janë shumë për t’u lënë në harresë. Tingëllon akt i pamundur për autorin e filmimeve të lëvizjes së dhjetorit, rënies së monumentit të diktatorit Enver Hoxha, takimit të studentëve me Ramiz Alinë, gjyqit të Nexhmije Hoxhës dhe Fatos Nanos, si dhe ardhjes së parë të Nënë Terezës në Shqipëri.

Për më tepër kur një pjesë e mirë e punës është përvetësuar nga televizionet private, duke mos respektuar aspak të drejtat e autorit. “Trishtohem që hasem përballë një situate të këtillë, por më duhet të them se të miat xhirime janë marrë dhe shitur. Nuk gjenden më në arkivin e Televizionit Shqiptar”-pohon Bujari, duke u ndalur menjëherë më pas në atë që e konsideron si eksperiencën më të bukur të jetës së tij, në takimin me humanisten Nënë Tereza.

“Ishte e shenjtë. Përtej përshkrimeve dhe komenteve të stërbëra. Jam ndër të rrallët që ka një foto me të. Shumë vonë e kam zbuluar këtë detaj, pasi ajo nuk mund ta konceptonte shfrytëzimin e imazhit, e shihte shumë larg virtyteve dhe vlerave njerëzore. E kam takuar për të parën herë në vitin 1989, kur zbriti në aeroportin e Rinasit. Ishte vizitë historike, pavarësisht faktit se media jonë e kaloi përciptazi. Risjell në vëmendje një kohë kur feja në vend ishte e ndaluar dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi. E shoqëruar nga disa motra, shtatvogël, linte kudo që shkelte një ndriçim prarues. Një ndriçim që u injorua dukshëm nga zyrtarët e lartë të kohës”-shprehet Bujari.

Lexo edhe :  “Lufta e tarifave” të Trump mund të rrisë çmimet e ushqimeve në Shqipëri

Ky operator i vjetër nuk ngurron ta cilësojë veten të privilegjuar. “I imi profesion është shoqëruar me mjaft momente të vështira, por s’mund të mohoj përftimin e një lumturie të pashoq. Të gjithë udhëheqësit e vendit të pas Luftës së Dytë Botërore, janë filmuar nga unë.  Teksa kanë pritur dhe përcjellë delegacione në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Kësisoj, kam patur fatin të shoh shumë vende të botës, pa diskutuar që në Europë mund të kem shkuar me dhjetëra herë.”

Privilegjet shoqërohen jo rrallëherë nga vështirësitë. Nuk kanë qenë të paktat ato raste kur Bujari ka vendosur jetën në rrezik për hir të profesionit. “E kam parë veten edhe me një revole në kokë, të drejtuar nga një njeri i panjohur, në vazhdën e një turme të tërbuar, gjatë regjimit të Mbretit Zog”-tregon ai teksa rendit një sërë situatash të ngjashme, të ngjizura kryesisht në ’97-ën.

Por pavarësisht gjithçkaje, Bujari ka drejtuar të birin drejt celulozës dhe shiritit manjetik. Veçse mbart rezerva të shumta. Ai mendon se rendja pas perfeksionit, nuk gëzon më hapa të peshuar. “Dikur, ishe i detyruar të kërkoje të bukurën, njerëzit e qeshur. E kundërta nuk pranohej kurrsesi nga fryma propagandistike. Rrjedhimisht, të duhej të punoje me orë të tëra, për të qenë profesionist, gjithmonë në kornizën e mirëpërcaktuar të regjimit. Ndërsa sot, në mungesë të llogaridhënies dhe në prani të diferentizmit, produkti nuk është në nivelin e duhur”-thotë Bujari, i cili ka zgjedhur një tjetër rrugë për t’i qendruar besnik imazheve, artefakteve përshkruese të perceptimit vizual; duke përqafuar dokumentarët.

Të fundit

Suksesi ekonomik i Kroacisë maskon problemet e reformës

Kroacia, anëtarja më e re e Bashkimit Europian, ka tejkaluar me ecurinë e saj shumicën e ekonomive të tjera...

JD Vance po bëhet gati të ‘heqë qafe’ Mike Waltz

Michael Waltz, këshilltari i lartë i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, mund ta shohë veten të “zhdukur” nga kabineti i Donald Trump, pas një...

Shqipëria po “ushqehet” me mendimet e botës

Shqipëria gjithnjë e më shumë po huazon dije nga shkrimtarë të huaj. Në vitin e fundit, Shqipëria ka regjistruar një rritje të ndjeshme të...

Gati ndërtimi i urës mbi lumin Bunë- Mali i Zi miraton marrëveshjen me Shqipërinë

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar së fundmi marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë. Marrëveshja për ndërtimin...

Ushqimet e darkës që ju fryjnë pa e ditur

Darka, si vakti i fundit i ditës, luan një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punëve në organizëm jo vetëm gjatë natës. Përzgjedhja e ushqimeve...

Lajme të tjera

Web TV