Kur Partia Socialiste është në prag të mbajtjes së Kongresit, ish-funksionarë të lartë të selisë rozë, i kanë dërguar kryesocialistit Edi Rama një mocion për reformimin e thellë të partisë.
Në draftin drejtuar kryetarit Rama, ata propozojnë 10 ndryshime statutore, nga të cilat ndarja e postit të kryetari të PS-së, nga ai i kryeministrit.
Gjithashtu, ish-funksionarë të lartë të selisë rozë, propozojnë që të kufizohet deri në 2 numri i mandateve për kryetarin e PS-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm.
Letra është firmosur nga Arta Dade, Eva Teqja (Allushi), Ibrahim Sulaj, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani, Përparim Bodinaku.
Në të theksohet se “Funksionet e kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të baskisë, shkruan Panorama.
Numri i mandateve partiake të kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste kufizohet deri në dy”, thekson drafti i firmosur nga disa socialistë.
Në draft më tej kërkohet që të përjashtohen përgjithmonë nga Partia Socialiste, funksionarët apo anëtaret që urdhërojnë blerjen e votave.
Letra e personaliteteve të PS drejtuar kryetarit të Partisë
Numri i mandateve partiake të kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë kufizohet deri në dy.
Drejtuar: Përfaqësisë së Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të dt.29 shkurt, 2020
Lënda: Mocion për Reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë
– Cilido porositës dhe përfitues i manipulimit dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet brenda partisë përjashtohet përgjithmonë nga Partia.
Përshëndetje!
Jemi disa votuese dhe votues të Partisë Socialiste; midis nesh ka edhe anëtare/ë të saj. Përmes kësaj letre dëshirojmë që t’ju njohim me një mocion për reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mocioni përcakton objektivat kryesorë të reformimit dhe propozon një paketë me 10 ndryshime e plotësime themelore në Programin dhe në Statutin e partisë. Kërkojmë nga ju, paraqitjen e tij për votim në Kongresin e PS, të dt. 29 shkurt 2020.
Kjo letër do të bëhet publike me qëllim që çdo anëtare dhe anëtar i PS, çdo votuese dhe votues i PS, çdo simpatizante e simpatizant i saj, e po ashtu edhe çdo qytetare e qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë, kudo që ndodhet – në vend dhe në emigracion – të ketë mundësinë që të njihet vetë me përmbajtjen e këtij mocioni dhe të përcaktojë lirisht e me bindje të plotë qëndrimin personal ndaj tij. Ne besojmë se shumica do ta mirëkuptojë dhe do ta mbështesë këtë mocion për reformim, pasi reformimi përmirëson Partinë Socialiste e për pasojë përmirëson edhe qeverisjen që i bëhet vendit në emër të saj dhe të votueseve e votuesve të saj.
Mocion për Reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë
Vazhdimi i misionit politik afatgjatë për të cilin u krijua Partia Socialiste e Shqipërisë në vitin 1991 dhe zgjidhja e problemeve ekonomike, sociale e politike që përjeton vendi ynë në këtë periudhë zhvillimi (përfshirë edhe mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe shërimin e pasojave të tyre), kërkojnë sot një reformim të thellë cilësor të Programit politik dhe të Rregullave të funksionimit të saj.
Objektivat e mocionit
Parti me liri fjale, votim të ndershëm, vendimmarrje dhe drejtim kolegjial.
Parti me integritet, e pakapshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Parti që realizon qeverisje të majtë demokratike, që mbron dhe shërben interesat themelore të shtetasve shqiptarë, kudo që jetojnë dhe punojnë.
Paketa me ndryshime e plotësime në Program dhe në Statut
1.Partia Socialiste e Shqipërisë punon për ndërtimin e një shteti solidar me shtetasit e vet, që garanton me ligj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe krijon mundësi materiale për realizimin e tyre, duke filluar nga niveli i domosdoshëm për ushqim, veshje, strehim, shërbim shëndetësor, arsimim, punësim dhe lëvizje të lirë.
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë në institucionet shtetërore legjislativë dhe ekzekutivë, qendrore dhe vendorë, janë të detyruar politikisht që të hartojnë e të zbatojnë programe qeverisës me natyrë të majtë demokratike, si dhe të korrigjojnë çdo veprim të mëparshëm qeverisës, që nuk respekton këtë detyrim, pavarësisht se kur është kryer.
Partia Socialiste e Shqipërisë dhe grupi i saj parlamentar, do të ndërmarrin nismat e nevojshme ligjore për amendimine ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2008. Amendimet përfshijnë vendosjen e një sistemi zgjedhor që e bën Kuvendin e Shqipërisë më përfaqësues të vullnetit të popullit, fuqizon kontrollin parlamentar të ekzekutivit dhe shmang çdo përqëndrim ”de jure” e ”de facto” të pushtetit shtetëror në një institucion apo individ të vetëm.
Partia Socialiste e Shqipërisë mbështet politikisht dhe publikisht veprimtarinë e drejtësisë së reformuar dhe të institucioneve të saj, përfshirë SPAK dhe BKH, për pastrimin e klasës politike drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar. Këtu përfshihen:
(a) – Verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së të gjithë personave që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë;
(b)- Konfiskimi i pasurive të tyre të paligjëshme;
(c)- Dënimi sipas ligjit i personit abuzues, pavarësisht funksionit politik që ka patur, që ka aktualisht apo që mund të ketë në të ardhmen.
Partia Socialiste mbështet politikisht dhe publikisht ndëshkimin ligjor, politik dhe publik të manipulimit dhe vjedhjes së votave, që mund t’i bëhet çdo lloj forme të shprehjes së vullnetit të popullit (zgjedhje parlamentare e vendore, referendume, për çështje me interes publik, qendror dhe vendor).Ndëshkimi ligjor është i mundshëm pavarësisht kohës se kur provohet krimi elektoral dhe pavarësisht statusit politik të personit apo personave porositës, manipulues dhe vjedhës të votave.
6 .Kandidatët e Partisë Socialiste për deputet, kryetar bashkie dhe këshilltar vendor propozohen nga organizatat socialiste të zonës zgjedhore vendore në të cilën ato veprojnë. Kandidatët zhvillojnë fushatë parazgjedhore në parti e në komunitet dhe përzgjidhen me votim të fshehtë. Forumet partiake drejtuese, që shpallin emrat e kandidatëve zyrtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, detyrohen që të respektojnë propozimin e organizatave socialiste. Përndryshe, duhet të argumentojnë mospajtimin e vet me anëtarësinë socialiste të këtyre organizatave dhe të kërkojnë prej tyre rivotim të fshehtë; ky rivotim është vendimtar.
Cilido porositës dhe përfitues i manipulimit dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet brenda partisë përjashtohet përgjithmonë nga Partia Socialiste:
(a) -pavarësisht kohës kur e ka dhënë porosinë dhe/ose kur ka përfituar nga manipulimi dhe vjedhja e votës;
(b) – pavarësisht funksionit, që mund të ketë patur ose vazhdon të ketë në parti apo në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.
8.Funksionet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë.
9.Numri i mandateve partiake të kryetarit, sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste kufizohet deri në dy.
Në Partinë Socialiste njihet e drejta për oponencë kolektive të organizuar në forumet partiake vendimmarrëse qëndrore (Kongres, Asamble Kombëtare, Kryesi), si garanci strukturore për mbrojtjen e demokracisë së brendshme, respektimin e programit politik në qeverisje dhe shtimin e aftësive vetkorrigjuese të partisë. Oponenca kolektive merr formë të organizuar dhe funksionon vetëm pasi platforma e saj të jetë mbështetur me votim të fshehtë nga të paktën 20% e anëtarëve të partisë.
Për të siguruar arritjen e të gjithë objektivave të mocionit, paketa zbatohet e plotë. Kjo paketë është konceptuar si një strukturë unike, e përbërë nga 10 njësi në lidhje logjike mes tyre, që të gjitha të domosdoshme për të arritur reformimin e synuar. Për këtë arsye, paketa i paraqitet Kongresit për t’u votuar si një e tërë , me “Po” ose “Jo”.
Njësitë 1-5 dhe 6-10 integrohen përkatësisht në Programin dhe në Statutin e partisë. Ky integrim shoqërohet me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e tjera të nevojshme, bazuar në tekstin dhe në frymën e njësive 1-10.