Juventus mund të humbasë miliona euro në ndeshjen e Champions League

Përhapja në masë e koronavirusit në Itali ka prekur dhe ndikuar goxha në botën e futbollit. Një numër i madh ndeshjesh të Serisë A janë shtyrë, ndërsa është vendosur që çdo takim të zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa praninë e tifozëve.

Megjithatë duket se edhe ndeshja e kthimit e Champions League që do mbahet më 17 mars midis Juventusit dhe Lyon-it do të zhvillohet në të njëjtat kushte, pra pa praninë e asnjë tifozi.

Për “Zonjën e Vjetër” kjo është një sfidë tepër e rëndësishme, duke ditur se ndeshjen e parë e kanë humbur me rezultatin 1-0.

Presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin ka bërë me dije se skenari i mundshëm i këtij takimi është zhvillimi me dyer të mbyllura, vendim që nuk i ka pëlqyer aspak bardhezinjëve.

Duke bërë disa llogaritje, nëse kjo ndeshje do të zhvillohet me dyer të mbyllura atëherë Juventus do të humbiste 12-15 milion euro të ardhura nga biletat, pa përfshirë këtu shtesat e tjera./Fjala.al/