Historitë njerëzore të tre mësuesve nga Tirana e “kërkuar” në Rrëshenin e lënë pasdore. Një jetë mes arsimit dhe brezave që kanë nxjerrë. Sakrificat, gëzimi, vuajtjet dhe rrëfimet e Xhuvana Gjonit, Ismail Kaçit dhe Roza Ndrecës. Shtatë Marsi dhe mësuesit që nuk duhet të kujtohen vetëm në një ditë…!
Nga Alessia Selimi
Shtatë Marsi është dita kur figura e mësuesit ekspozohet ndaj reflektorëve të shoqërisë. 133 vjet pas çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, Shqipëria ka 37 mijë mësues në sistemin para universitar, që shërbejnë në 2710 shkolla në mbarë vendin.
“Fjala” ka udhëtuar jo shumë larg kryeqytetit, në komunën e Bërzhitës, si dhe në qytetin e vogël të Rrëshenit, për t’ju njohur pikërisht me historitë frymëzuese të tre arsimdashësve. Xhuvana Gjoni (61 vjeç), Ismail Kaçi (64 vjeç) dhe Roza Ndreca (57 vjeç). Ata vijnë në rrëfime të sinqerta, plot angështi, teksa nuk ngurrojnë të krahasojnë të shkuarën me të tashmen.
Tridhjetë e shtatë vite më parë, në një shumësi ditësh të pazbardhura, vajzës shtatlartë dhe zeshkane që sot është nënë dhe gjyshe, do t’i duhej të udhëtonte me një autobus të mbushur plot e përplot me minatorë, për të mbërritur në shkollën e një fshati të thellë të komunës së Bërzhitës, Mihajas.
Madje, kish raste kur përshkonte copë të mira rrugësh edhe hipur majë bombolave të oksigjenit, ngarkuar mbi makina të larta dhe agresive. Pak rëndësi kish dimri i acartë. Kalvarit të vuajtjeve i shtohen edhe pritjet e shtrira në harkun kohor të 60 minutave, për t’u degdisur si pasagjere në një automjet kalimtar, me një portret tërësisht të panjohur. Po ashtu edhe fjali të ashpra, të prera, që përjashtonin sakrificat e këtij lloji tek një femër.
Megjithatë, Xhuvana Gjoni donte të ishte me çdo kusht mësuese; pranë nxënësve, edhe kur këta të fundit i shfaqeshin këmbëzbathur, buzërrjepur dhe të sprovuar që në vegjëli. Ndërkohë që punonte me orë të zgjatura në kooperativë, jo më kot kreu me korrespondencë shkollën profesionale pedagogjike 17 Nëntori.
E teksa një vit e ndan nga dalja në pension, kjo grua 61-vjeçare, e cila preferon të etiketohet si e sertë, nuk e ka të vështirë të rikthehet pas në kohë. “Gjithçka e imja rrotullohej rreth misionit për të shpjeguar. Mirëpo, të qenit për gjashtë vite në një fshat të izoluar hera herës nga dëbora, ku fëmijët s’kishin ç’të hanin, zgjoi në mua përgjegjësinë dhe përkujdesin”– thotë Xhuvana, duke shtuar se nuk kanë qenë të paktat ato raste kur i është dashur të marrë dhe dhurojë këpucët e fëmijëve të së motrës, që banonte asokohe në kryeqytet.
“Kam punuar me katër klasa kolektive, të cilat përmbanin mbi 31 nxënës. Besomëni, nuk kanë qenë të paktat ato ditë kur kam shkelmuar veten. U tërhiqja vazhdimisht vëmendje mbi përgatitjen në mësim, kur ata përshkonin çdo ditë thuajse të zhveshur një përrua të papërmbajtur, të sfiduar nga një dimër i pamëshirshëm. Çfarë cinizmi!”– shprehet Xhuvana, me sy të rrudhur, thuajse të mbushur me lot.
“Fjala” komunikon me mësuese Gjoni në shkollën 8-vjeçare Selman Meta (Bërzhitë), ku ushtron profesionin e saj pothuajse prej 20 vitesh. E ulur në tryezën e saj të drunjtë, ku pikasen pirg fletoresh shumëngjyrëshe, si dhe një abetare, që u paraprin për nga madhësia, tregon se tanimë ka vetëm 9 nxënës (6 vajza dhe 3 djem) në kujdestari. Argumenton se shkak është bërë lindshmëria e ulët në fshat, si dhe vala e intensifikuar e emigrimit.
Kur ndalemi tek cilësia e teksteve shkollore, Xhuvana i mëshon idesë se përmbajtja e tyre është tepër abstrakte. “Dikur, tekstet ishin logjike, dhe jo më kot. Synohej formimi i një individi të mirëformuar”– thotë ajo, ndërkohë që valëvit një libër të klasës së parë, në bezdi e revoltë.
Diçka e shqetëson së tepërmi mësuese Xhuvanën, që, sikurse e argumenton, nuk kontribuon aspak në marrëdhënien e nxënësit me librin. Përkundrazi! “Pavarësisht se i nxis prindërit që të merren me fëmijët e tyre, për t’i orientuar drejt dijes, duket se i drejtojnë jo pak herë drejt teknologjisë dhe parasë. Padyshim, për të thjeshtuar rolin e tyre në zhvillimin dhe edukimin e të vegjëlve. Por, kështu s’mund të pretendojmë kurrsesi që të përftojmë individë me vlera”– shprehet Xhuvana.
Ismail Kaçi, 45 vite mësuesi
Me vazo lulesh të shumëllojta, mbështetur mbi prag dritaresh, një korridor jo tepër i gjatë na drejton në klasën ku ndodhet mësues Ismail Kaçi. Në dorë mbart një shkumës të bardhë. Duket se, sapo ka përfunduar një ushtrim, që konsiston në zbritjen e numrave dyshifrorë në shtyllë. Me një rregullsi të pashoq, thuajse të frikshme, dërrasa e zezë ka marrë trajtën e një fletoreje, padyshim të një nxënësi të dalluar, që nuk harron kurrsesi të bëjë anash të kuqen vizë.
Me po të njëjtën rregullsi të pashoq, për plot 45 vite, Ismaili ka veshur jo vetëm përparësen e bardhë, por edhe kostumin e prindit të dytë. Aspak të vjetruar, copëtuar. Pavarësisht angazhimit të tij nëpër fshatra të shumtë si në Ibë, Baldushk dhe Priskë, Ismailit nuk i është venitur dëshira për profesionin. Kjo dëshirë nuk u rrezikua as nga nevoja për të punuar rishtazi dy punë. Për 15 vite, babai i tre djemve ishte ditën mësues i ciklit të ulët fillor dhe në rënie të muzgut elektricist.
“Kur ushtroja profesionin e mësuesisë në Priskë, mbërrija pasditeve vonë në Bërzhitë. Dhe, ajo çka më kujtohet është se nuk kisha aspak kohë të qëndroja me familjen. Por, ishin pikërisht ato për të cilët hidhja tutje të bardhën përparëse”– thotë Ismaili.Si një arsimdashës, vetëkuptohet se për djemtë e tij dëshironte një rrugëtim drejt dijes.
Roza dhe Besarta që “eci” me të
6 marsi është një ditë e përhimë e zakonshme. Por, nesër, një ditë vetëm është për ata që na kanë mësuar. Kësisoj, vendosim të shkojmë edhe në Rrëshen, ku mbërrijmë për 1 orë e 10 minuta. Roza Ndrecën, atë duhet të takojmë, atë na sugjerojnë të gjithë.
Ajo është një mësuese që beson fort se ky profesion duhet të kultivojë jo vetëm dijen, por edhe qytetarinë; angazhimin për të zgjedhur midis të mirës dhe së keqes, pranimit dhe paragjykimeve, gjithmonë alternativën e parë. Për Rozën flet qartazi respekti që gëzojnë prindër të rinj dhe të vjetër, të cilët nuk i kursejnë aspak fjalët, apo qoftë edhe përqafimet e ëmbla, që përngjajnë dukshëm me ato të dhënat brenda një familjeje. E kur të pasurit një të tillë, është në vetvete një ëndërr utopike, Roza ofron të tjera ngjyra.
“Për mua, primarë kanë qenë gjithnjë nxënësit me probleme. Krahas detyrave që më shtrohen vazhdimisht si mësuese, më shoqëron edhe ajo e integrimit dhe formimit të tyre si individ, qytetarë të ardhshëm të komunitetit”- shprehet ajo, duke rrëfyer gjithashtu një copëz nga e kaluara, ku personazh kryesor është një nxënës i klasës së parë, i identifikuar dhe tallur nga ngjyra e lëkurës.
“Unë jam e ngjashme me të! Shihmëni lëkurën e fytyrës! Por, ju ama më doni, sikurse edhe unë ju”-citon ç’u ka thënë dy dekada më parë nxënësve, buzagaz e syqeshur. Veçse, mimika i ndryshon në fraksion sekondi.“Besniku ka emigruar larg këtij qyteti. Nuk arriti kurrë të arsimohej, për hir të rrethanave ekonomike”-shton ajo.
Roza është kujdesur jo vetëm për një numër të konsiderueshëm nxënësish. Për katër vite me radhë, në bankën e parë të një klase të ndriçuar nga dielli, shumë pranë tavolinës së saj të punës, ulur qëndronte një vajzë me aftësi të kufizuara, e cila nuk dinte se ç’ishte e qeshura, e qeshura e sinqertë dhe e ndjerë. Roza e harroi pushimin në mes të orëve mësimore, por jo Besarta, e cila e ka të pamundur të ecë. Sot ajo e takon porsa vjen në shkollë, sikurse edhe kur largohet.
“Është aftësuar tmerrësisht shumë. Mund të them pa frikë se është një ndër nxënëset më inteligjente që mund të kem patur ndër vite. Në një luftë të vazhdueshme me introvertizmin e saj, por me një kënaqësi të papërshkrueshme shpirtërore”– shprehet Roza. Kjo grua flokëshkurtër, që mban në qafë të lidhur një shall ngjyrë vjolë, nuk e ka patur të lehtë të studiojë për mësuesi.
Rrëfen se për hir të një mentaliteti mbytës, i është dashur të luftojë edhe përkundrejt familjes. Por duket se nuk është penduar aspak. Edhe pse fëmijët e saj i thonë se nuk ka qenë e pranishme si nënë. Roza e ka të qartë se kjo është e vetmja gjë çka di të bëjë më së miri në këtë jetë. Njësoj sikurse edhe Xhuvana dhe Ismaili.
Këta tre mësues na lënë të kuptojmë se bëhet fjalë në vetvete për një lloj thirrjeje të brendshme, për t’iu përkushtuar jo interesave personale, por shoqërisë, të një të ardhmeje më të mirë, për qytetarë edhe më të mirë. Na dëshmojnë gjithashtu se të jesh mësues është shumë më tepër sesa thjesht një ekzekutim i mirëmenduar i planeve mësimore. Të jesh mësues do të thotë të jesh i njerëzishëm. Ndonëse i njerëzishëm nënkupton të jesh i butë, i mençur.