E gjithë Italia në karantinë, kryeministri Conte njofton vendimin ekstrem

Në Itali nuk do të ketë më zona të kuqe, të verdhë apo jeshile pasi i gjithë vendi do të jetë një karantinë. Vendimi u konfirmua sot në mbrëmje nga kryeministri Giuseppe Conte, si përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Masa ekstreme do të qëndrojë në fuqi deri më 3 prill.

“Nuk ka kohë, numri po rritet”, tha Conte për personat e infektuar nga koronavirusi. 7908 është numri i personave të infektuar në Itali, ndërsa 436 persona kanë ndërruar jetë, shumica e tyre të moshuar mbi 70 vjeç.

(-Itali/ Një shqiptare ndërron jetë nga koronavirusi)

Kryeministri italian bëri me dije se do të ashpërsohen masat dhe se njerëzve do u kërkohet të dalin nga shtëpitë vetëm në raste emergjente.

Conte kërkoi gjithashtu pezullimin e kampionatit të futbollit, Serie A.

Dekreti i miratuar dje parashikon që autoritetet lokale të thërrasin për ndihmë edhe policinë e ushtrinë, nëse është e nevojshme, për të bërë të mundur zbatimin e masave. Pub-et dhe disco-t do të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa baret dhe restorantet do të vijojnë të hapura vetëm nëse stafi arrin të ruajë distancën prej të paktën 1 metër midis klientëve. Edhe për supermarketet funksionon i njëjti rregull, ku menaxherët duhet të shmangin krijimin e radhëve të njerëzve.

Pritet që këto masa të ashpërsohen me vendimin e marrë sot nga Qeveria italiane.

(-Ja sa ditë nevojiten për t’u shëruar nga koronavirusi)

Edhe në Shqipëri janë konfirmuar dy raste me koronavirus, ndërkohë që është marrë vendimi për anulimin e fluturimeve dhe trageteve me Italinë e veriut.