Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha nuk kanë gjetur qetësi as kur vendi është përfshirë në gjendje emergjence nga koronavirusi dhe Shqipëria shënon 10 të prekur nga virusi vdekjeprurës.
Në një kohë kur vendi kërkon mobilizim dhe menaxhimin e duhur të kësaj situate, dy liderët politikë janë përfshirë në akuza dhe kundërakuza, veçanërisht nga ana e kryedemokratit Basha.
Ky i fundit akuzoi kryeministrin se ka gënjyer për maskat që u shërbehen njerëzve, të cilat sipas tij, janë të skaduara.
Nga ana e tij, kryeministri Rama i është përgjigjur Bashës, që të heshtë pasi nuk është koha për politikë. Rama nuk i ka kursyer ironitë në një tjetër postim në “Twitter” kur i sugjeron Bashes që të varë në mur fyellin që po i bie përgjatë këtyre dy ditëve.
“Nëse ty s’të duket luftë kjo e njeriut me virusin e panjohur, quaje gjendje e jashtëzakonshme a si të duash! Po vare të paktën atë fyell në mur e kurseja Shqipërisë avazin politik, se s’është koha për politikë kjo, po ora për t’i shërbyer popullit me forcën e shembullit njerëzor! ndërroje maskën dhe orën, se kjo është një orë e rëndë për Shqipërinë dhe nuk je as ti, as partia jote halli i këtij populli sot, e s’ta ka borxh askush të të shpjegojë tre herë në ditë që s’është gabim, po është faj në mos krim të nxisësh panik me të pavërteta!”, shkruan Rama.
Nëse ty s’të duket luftë kjo e njeriut me virusin e panjohur,quaje gjendje e jashtëzakonshme a si të duash! Po vare të paktën atë fyell në mur e kurseja Shqipërisë avazin politik,se s’është koha për politikë kjo, po ora për t’i shërbyer popullit me forcën e shembullit njerëzor!
— Edi Rama (@ediramaal) March 10, 2020