Ndalohet një çift turistësh afër Athinës, rrëfimi i tyre zbulon itinerarin e kanabisit drejt Turqisë dhe më pas ngarkesën me heroinë drejt Shqipërisë dhe nga Durrësi në Italinë e Jugut!
Nga Nikoleta Kovaçi
Vazhdon trafiku i drogës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së. Është një rast që është shënuar mëngjesin e dy ditëve më parë kur një grip i antidrogës së Athinës është vënë në gjurmim të një ngarkese kanabisi që thuhej se kishte dalë nga Shqipëria dhe po i afrohej Athinës. Mjeti ishte lënë i lirë të hynte në tokën greke dhe madje edhe të pushonte mbrëmjen e 6 marsit deri me 7 mars, kur ata kanë nisur rrugëtimin. Në të gjitha postblloqet policore që janë ngritur enkas për të mbajtur nën kontroll mjetin rulotë, në të cilin udhëtonin një çift dhe që pika doganore e Qafë Botës kishte fiksuar edhe momentin kur mjeti kishte dalë nga vendi ynë. Referuar të dhënave që policia greke ka bërë me dije për mediet e vendit të vet saktësohet se ruloti është ndaluar në dalje të Igumenicës ku edhe ka kaluar natën. Sërish policia greke i ka gjurmuar ndërkohë që në të gjitha ndalesat drejtuesi i mjetit në të cilën gjendej një sasi e madhe droge, por që nuk dihej ende se sa, do të kalonte nga Greqia në drejtim të Turqisë. Policia greke pretendon se mjeti do të shkonte në Turqi dhe pas disa kohësh do të kthehej sërish për në Shqipëri pasi destinacioni përfundimtar i tyre do të ishte Italia e Jugut. Madje drejtuesi i mjetit i ka thënë policisë greke se do të vinte dhe do të kalonte nga porti i Durrësit për në Itali. Atëherë mjeti është lënë të vijojë rrugën derisa një tjetër post-bllok policor e ka ndaluar dhe i ka kërkuar që mjeti i tyre t`i nënshtrohet një kontrolli fizik. E në fakt, gjithçka është komplikuar ndërsa policia ka gjetur plot 1.2 ton kanabis të futur në mjetin luksoz me të cilin udhëtonte çifti! Sipas të dhënave të policisë çifti janë vënë në pranga dhe janë marrë në pyetje dhe më pas ata kanë reaguar me detaje gjithçka kanë mësuar mbi atë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Mësohet se një prej rrugëve më të fundit që është zbuluar nga policia greke lidhet me dërgimin e kanabisit në Greqi e Turqi e prej andej të sillet heroina që më pas të kalohet nëpër Shqipëri, Itali e në vendet e BE-së.
Operacioni
Një rulotë me 1.2 ton drogë është bllokuar nga policia greke pasi ka kaluar kufirin nga Shqipëria në zonën e Qafë Botës dhe ku janë ndaluar dy personat që po udhëtonin me mjetin ku ishte fshehur droga, një mashkull dhe një grua. Ata teksa janë marrë në pyetje kanë thënë se do të shkonin në Turqi ku sasinë e kanabisit do ta këmbenin me heroinë të cilën më pas do ta transportonin drejt Italisë. Shefi i Antidrogës së Policisë së Atikës ka thënë se disa anëtarë të rrjetit të trafikut ndodhen në Shqipëri. Madje ata kanë thënë se kjo ngarkesë e konsiderueshme droge prej 1.2 ton kanabis është zbuluar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në Qafë Botë, pasi ishte ngarkuar në një rulotë në vendin tonë. Sasia e drogës ishte e paketuar në muret e brendshme dhe shasinë e rulotit, në bordin e së cilës udhëtonin një çift turistësh, identiteti dhe shtetësia e të cilëve është mbajtur në fshehtësi të plotë nga policia. Departamenti i Antidrogës së Athinës, ka thënë se dy personat e arrestuar, kishin ngarkuar lëndën narkotike në Shqipëri, dhe sapo kaluan në doganën Qafë Botës, më 7 mars janë gjurmuar dhe mbajtur në ndjekje për më shumë se 24 orë.
Mëngjesin e të hënës, policia ndërhyri dhe sekuestroi lëndën narkotike, konkretisht, 1 ton e 145 kg marijuanë, 68 kg hashash çokollatë dhe 918 gramë vaj hashashi. Dy personat janë marrë në pyetje nga policia pas arrestimit dhe kanë pohuar se sasinë e lëndës narkotike do ta dorëzonin drogën në Turqi, ku edhe do të ngarkonin heroinë, të cilën do ta kthenin pas me qëllim dorëzimin e saj në jug të Italisë. Policia greke në një deklaratë për medien lidhur me këtë aksion, tha se ka zbardhur skemën e trafikut të drogës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të zhvillohen edhe arrestime në Shqipëri. Shefi i Antidrogës së Atikës, ka bërë me dije se anëtarët e kësaj organizate të trafikut të drogës ndodhen në Shqipëri. Gjykata greke ndërkohë ka vendosur t`i mbajë në qeli dy të arrestuarit deri në përfundim të hetimeve. Vlera me të cilën droga do të shitej në treg përllogaritet në 1.7 milion Euro!/Fjala.al