Nga Elona Shehu
Euroizim zyrtar i ekonomisë do të thotë që të hiqet dorë nga përdorimi i parasë së vendit (lek) dhe në vend të tij të përdoret monedha europiane – Euro, e cila përdoret në gjithë funksionet klasike të parasë. Zëvendësimi i monedhës ndodh kur aktivet e shprehura në monedhë të huaj përdoren si mjet pagese, ndërsa zëvendësimi i aktiveve ndodh kur aktivet e shprehura në monedhë të huaj përdoren si mjet i ruajtjes së vlerës.
Euroizimi jozyrtar është një karakteristikë e spikatur në sistemin bankar në mjaft vende kandidate për në BE, si dhe në vende të cilat aspirojnë për në BE. Në Shqipëri ekziston një nivel i lartë i euroizimit financiar, pra i preferencës së publikut për të mbajtur në monedhë të huaj një pjesë të konsiderueshme të aktiveve dhe detyrimeve të tij. Kjo shprehet në aktivet dhe detyrimet e sektorit bankar – huaja në valutë (detyrimet e publikut) dhe depozitat në valutë (aktivet e publikut) janë në vlera relativisht të larta.
Në Shqipëri është i pranishëm – euroizimi monetar & dhe ai real – kur monedha euro shërben si mjet pagese në transaksionet financiare, ose kur çmimet për disa produkte/mallra (kryesisht ato me vlera të mëdha) paguhen në euro, ose indeksohen me kursin e këmbimit të saj.
Përvoja e mjaft vendeve tregon se nivelet e larta të euroizimit (apo dollarizimit), janë pasoja të kombinimit të disa faktorëve, ku përfshihen:
- krizat ekonomike dhe financiare dhe mungesa e besimit në monedhën vendase që sjell përdorimin e një monedhë tjetër –euro – për disa funksione të parasë, midis së cilave është mbajtja e depozitave, apo dhe marrja e huave;
- Diferenca midis normës së interesit të euro-s dhe normës së interesit të leku-t, është shtysa kryesore që çon në huadhëninen në monedhë të huaj – ekziston një diferencë e konsiderueshme midis normës së interesit të huas në lek dhe asaj në euro, duke e bërë huanë në lek më të shtrenjtë – kjo diferencë ka filluar të ngushtohet nga viti 2013 e në vijim.
- Tregu i punës përbën një faktor të rëndësishëm, ku niveli lartë i papunësisë në Shqipëri ka sjellë emigrimin në vendet që përdorin euron, duke i dhënë dërgesave të emigrantëve një rëndësi të lartë si burim i të ardhurave në vend.
- Politikat e gabuara makroekonomike dhe përjetimi i periudhave me inflacion të lartë apo deflacion,
- Lidhjet e ngushta ekonomike/financiare me pole të rëndësishme ekonomike të monedhës së huaj (numri i lartë i bankave që bankën “mëmë” e kanë në një nga vendet e BE ka nxitur përdorimin e euros.
- Integrimi tregtar luan rol të rëndësishëm në përdorimin e euros në vendet kandidate për në BE.
Tendenca drejt rritjes së përdorimit të euros vë në pikëpyetje procesin e transmisionit të politikës monetare, por më tepër shton rrezikun mbi vendimmarrjen e qytetarëve lidhur me valutën në të cilën marrin kredi duke u ekspozuar ndaj ndryshimeve në kursin e këmbimit në të ardhmen. Ndaj Banka e Shqipërisë ka vendosur të veprojë nëpërmjet masave rregullative, e cilësuar si paketa e “deeuroizimit”, nëpërmjet së cilës synohet frenimi i dhënies së kredive të reja në euro të pambrojtura nga kursi i këmbimit.
Duhet studiuar programi i deeuroizimit dhe efektet që ai ka dhënë në ekonomi dhe sektorë të veçantë të ekonomisë Shqiptare. Nivel i lartë transaksionesh në euro në ekonominë tonë ka nevojë për ndërmarrje hapash jo vetem nga një institucion, siç është Banka Qendrore, por nga një grup autoritetesh dhe institucionesh të pavarura në vend në bashkëpunim me qeverinë. Vendimmarrja duhet të mos jetë e orientuar vetëm në aktivitetin bankar që kryejnë agjentët e ekonomisë, por edhe në tregje të tjera dhe aktivitete ekonomike që e lidhin veprimtarinë e tyre me valutat, kryesish me euron.
Në Shqipëri kursi i këmbimit të euros dhe lekut për gjithë vitin 2019 ishte 123 lekë nga 127.6 lekë në 2018-n, duke shënuar një nënçmim prej 4.6 lekësh, ose 3.6%. Ky nivel është afër mesatares vjetore minimale historike që kur euro ka dalë si monedhë fizike, të arritur në vitin 2008 prej 122.8 lekësh. Nëse leku ka fituar pikë në raport me euron në vitet e fundit, nuk vlerësohet se ka në prapavijë element konkurrueshmërie ose tregues të fortë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Përkundrazi, kjo vjen si pasojë e një sasie të lartë eurosh në qarkullim. Niveli i lartë i informalitetit bën që euro të zhvlerësohet dhe kjo shihet nga ekspertet si një situatë e përkohshme, edhe pse e tillë, ajo jep efekt në të gjithë ata sektor që të ardhurat i kanë në euro. Grupi i Eksportuesve, depozituesit e valutave dhe sektorët që funksionojnë në euro preken negativisht nga ky vlerësim i përkohshëm i monedhës vendase.
Shqipëria ka burime të mëdha dhe sistematike të furnizimit me valutë prej prurjeve të emigrantëve, të ardhurave nga turizmi dhe informaliteti. Prurjet nga këto burime janë në euro dhe kjo ka nxitur më së shumti prezencën e valutës në ekonominë tonë, pa veçuar këtu se Shqipëria realizon 76% të tregtisë me vendet e Bashkimit Evropian. Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 5%.Paraqitur kjo ndarje edhe në grafikun e mëposhtëm:
Për pasojë, niveli i lartë i euros në qarkullim në ekonominë reale ushtron presion tek bankat për të depozitat në valutë e për rrjedhojë edhe kreditë jepen në valutë në një raport më të larë se ato në monedhën vendase. Por për shkak të normës bazë të interesit e cila ka arritur nevelet më minimale historike, shtyn emigrantë që të ulin kursimet e tyre në bankat shqiptare për shkak të interesit të ultë dhe të priren t’i mbajnë në bankat e vendeve ku jetojnë.
Arsye kryesore zhvlerësimin e vazhdueshëm e euros në raport me lekun vlerësuar nga ekspertët e agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend mund të jetë edhe efekti psikologjik që kjo paketë e deeuroizimit e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. Rënia e vlerës së euros ndikon negativisht në aktivitetin e eksportuesve dhe stimulon më tej importet. Euro u zhvlerësua me rreth 4 pikë vitin e kaluar, ndërsa që nga muaji janar i vitit 2018 ka pësuar rënietë vazhdueshme. Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm vera e vitit 2019 ka qenë edhe periudha me zhvlerësimin më të madh të euros në raport me lekun.
Ekzistojnë disa rreziqet që euroizimit jozyrtar ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare, kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit, si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë së lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit dhe cenon efektivitetin e politikës fiskale, përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar strukturës së tij.
Në drejtim të stabilitetit financiar euroizimi jozyrtar dhe mbi të gjitha niveli i lartë i huave në monedhe të huaj, përbën rrezik. Në rastin e zhvlerësimit të kursit të këmbimit, huamarrësit e pambrojtur do e kenë të vështirë të shlyejnë huan e tyre në monedhë të huaj. Risku i kursit të këmbimit për bankat i shtohet listës së rreziqeve që shoqërojnë procesin e huadhënies, duke ndikuar kështu mbi normën e huave me probleme.
Paketa e Deeuroizimit rezulton se ka dhënë kontributin e saj në vendimmarrjen e agjentëve të ekonomisë për të ulur aktivitetin e tyre në euro, por kjo nuk ka mjaftuar pasi Euro në një masë më të vogël, edhe USD, ende qëndrojnë shumë prezentë brenda sistemit financiar dhe ekonomisë shqiptare, pasi një sasi e konsiderueshme e kursimeve, huave, investimeve dhe shpenzimeve me vlerë të lartë (pasuri të paluajtshme, makina, pushime, etj.) akordohen dhe kryhen jo në Lek por në USD dhe euro. Kjo kryesisht për ata agjentë të ekonomisë që operojnë në terren formal, pjesa tjetër e agjentëve që disponojnë euro informale nuk i intereson kostoja që mbajnë si pasojë e ndryshimit të normave të interesit dhe kurseve të këmbimit.
Prandaj, propozohet një koordinim më i mirë midis politikave dhe institucioneve për tu arritur ato objektiva të përbashkëta. Duhet të mos lejohen transaksionet në euro nga sektorë specifik që ende vazhdojnë veprimtarinë e tyre në valutë edhe pse aktivitetin kryesor e kanë brenda vendit.
Duhet të ndërmerren masa konkrete në uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi me qëllim uljen e euros në qarkullim. Këto masa bashkangjitur paketës së deeuroizimit do të çojnë në nivele më objektive të përdorimit të euros dhe një kurs këmbimi më të drejt dhe pa risk.
Transparenca e strategjive dhe raportimi mbi masat që janë marrë, efektet që kanë dhënë në ekonomi dhe në aktivitetet e grupeve të interesit është një detyrim mbi informimin publik që kanë institucionet që kanë nënshkruar memarondumin e deeurozimit.