Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku ka theksuar se të gjithë qytetarët të cilët kanë ardhur nga Italia dhe Greqia do të shoqërohen për t’u vetëkarantinuar.
Ai tha se do të ketë edhe penalitete për këta persona. Ndërsa referuar postblloqeve, ai u shpreh se janë ngritur në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“Qytetarët që kanë udhëtuar në Itali ose në Greqi, në këto zona që i quajmë të kuqe, për t’i shoqëruar ose detyruar që të vetëkarantinizohen, ose të kontaktojnë 127-tën. Të dhënat që merren evidentohet dhe futen në database-in e Policisë së Shtetit. Qytetarët që nuk vetëkarantinizohen pasi zbulohet që kanë qenë në këto 2 shtete do të ketë penalitete. Këto postblloqe do të vazhdojnë vetëm për aq sa do të jetë e nevojshme dhe kanë një shtrirje në të gjithë Shqipërinë. Janë ngritur 70 në të gjithë Shqipërinë, ku vetëm 16 janë në Tiranë.”, u shpreh shefi i shtabit.