Nga Ervin Koçi
Miq, me besoni se jo çdo e keqe vjen për keq… Po, po! Ky është një parimi im, që funksionon dhe shpesh më ka dhënë rezultate. Ua kam fjalën për këtë dreq KORONAVIRUSI ose siç njihet me emrin sexy “KOVID-19”, që na ka rëne këto ditë nëpër këmbë dhe duket sikur po na rreshket toka. Eee, në fakt bota duket se e ka pisk punën, sepse dje OBSH-ja shpalli pandeminë, dhe nëpër vendet e zhvilluara, jo si Shqipëria, situatën në dorë e merr ushtria, kimia ushtarake dhe ekspertet e virologjisë dhe bakteriologjisë militare. Pra shkurt hesapi, jemi në një tip lufte globale, por me një armik të padukshëm, ose mikroskopik, por që gjithsesi po të vuri nën shënjestër ta merr shpirtin dhe jetën. Këtë mesele që i ka rënë njerëzimit po e vuajmë edhe ne shqipot, por që siç nuk jemi të mësuar me shumë gjëra, apo siç nuk kemi qejf t’i pranojmë shumë sfida, duket se edhe këtë nuk e kemi marrë fort seriozisht. Por si gjithmonë ne asnjëherë nuk merremi me thelbin, por me fasadën e gjërave, duket se edhe në këtë rast nuk po duam t’i kuptojmë ca gjëra te thjeshta dhe fundja t’i pranojmë si janë. Mbase edhe nuk kemi edhe shume faj, si me që ne të gjorëve kohet e fundit na kanë rënë për pjesë shumë taksirate, por që ndonjëherë të këqijat për hallexhinjtë nuk paskan të sosur.
Por vëllezër dhe motra mos u mërzisni. Merreni pak këtë situate me sportivitet dhe humor, siç po bëj edhe unë. E di që pjesa juaj me e madhe e ka inatin me shtetin dhe kryeministrin, që na ka vënë mbi shpinë sa e sa probleme dhe siklete. Ka edhe nga ata qe e kanë me Zotin, për shkak te tërmetit, apo edhe me fatin… për shkak të pafatësisë. E di që shume nga ju shqiptaret e mi të dashur janë rebele ose te pabindur si natyre. Por shikoni pak me kujdes. Këtë here jemi në të njëjtin kazan me të gjithë botën. Më këtë “Luftën e Tretë Botërore Bakteriologjike” ne jemi njësoj të goditur si edhe superfuqitë, Kina, SHBA-të, Gjermania, Italia, Franca, Rusia… etj. etj. Pra në këtë lloj situate virale, jemi të integruar njësoj si në BE dhe në SHBA.
Po mos e vrisni aq shumë mendjen për gjerat e mëdha. E keqja do ta bejë të sajën, por e rëndësishme është që ne të bëjmë tonën. E di që shume prej jush miqtë e mi nuk i pëlqen ndenjja në shtëpi i mbyllur, mos shkuarja në punë, në shkolle, mos pirja e kafesë së përditshme me miqtë a me të dashurit. Madje ka edhe nga ata shqiptare që kanë tmerr, po tmerr nga “arresti i shtëpisë”… ehhh, çunat sidomos, por nuk kanë dhe faj. Po me e dhjerë akoma është kur të duhet të dalësh vetëm për arsye tepër emergjente. Edhe ne ato raste duhet te pajisesh mire me maska, me doreza, me syze, me dizinfektant. Pastaj kur vjen në shtëpi duhet te lash duart për mbi 20 sek. Po duhet të kujdesesh me shume se zakonisht për higjienën personale. Per mos të thënë pastaj që shqiptaret kjo lloj situate i privon nga shume vese, siç janë kruajtja e hundeve dhe bërja e saçmeve. Shfryrja e hundeve duke vene njërin gisht nga njëra ane e pastaj nga tjetra (që e bëjnë rregullisht shumë). Fshirja e hundeve me mëngë a me pëllëmbën e dorës dhe jo me shami. Apo sporti popullor i të hedhurit të pështymës sa më larg në distancë thjesht me një ptuuuuu të madhe… etj. etj.
Nejse, mos u mërzitni. Ju thash pak më lart se jo çdo e keqe vjen për keq. Ja tani do të jemi pak më të matur dhe pak më të kujdesshëm prej zorit. Por po ashtu do të qëndrojmë për ca ditë ose javë rehat. Ka shumë nga ju mitë e mi që shtëpia ju duket sikur ju “ha”, kur rrini brenda. Megjithatë unë ju ftoj që ta shikoni pak më me kujdes këtë të ndenjurin mbyllur në shtëpi…
Me këtë të mbyllurën në shtëpi, edhe pse mund te mos e besoni, me një gur “vret 5 a me shumë zogj”… Si nuk e besoni? Ja, po ju radhit disa: 1) i mbroheni me shumë KORONËS (jo birës por virusit), 2) kurseni me shume para pasi nuk ju duhet te uleni kafeneve, a të peripatosni me makinë kot, 3) nuk shkoni në punë dhe i thoni për ca ditë “adio” çarjes së trapit nga shefat, 4) relaksoheni duke lexuar ndonjë libër, dëgjuar muzike, pare ndonjë film, apo duke u marrë me ndonjë hobi të lenë pas dore…
Por ndenjja në shtëpi ka edhe një formule magjike që i bën mirë trupit, medjes dhe shpirtit, e quajtur bim-bum-bam ohhh…
Po ç’është kjo do të pyesni ju…?? Hidhni pak sytë rreth e rrotull shtëpisë tuaj dhe përqëndroheni shikimin tek partneri/ja juaj. Ndoshta mund ta keni lenë pak pas dore? Je keni varur pak bidonat kohët e fundit, se e kishit mendjen te puna dhe hallet që nuk mbarojnë?? Epo tani ka ardhur momenti. Jeni në shtëpi më të (për ju që e keni një të tillë) dhe hop shfrytëzoheni momentin… Fundja nuk është edhe aq keq. Provoni formulën bim-bum-bam, e cila ka edhe ajo disa të mira brenda të tipit “me një gur vras disa zogj”. 1) Ju kënaq ju, 2) kënaq partnerin/en që mendonte se ishte lënë pas dore, 3) ju mban në formë të mirë fizike dhe mendore, 4) lufton fenomenin social të ikjes dhe pakësimit të popullsisë, 5) bashkë me KOVID-19 lufton edhe fenomenin demografik të plakjes së popullsisë… dhe pastaj vini e më thoni se ndenjja në shtëpi nuk ka të mira?! Pffff…. Shqiptar, THINK POSITIV!