“Do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë”, Veliaj videomesazh qytetarëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vendi ynë prej ditësh është përfshirë në betejën kundër koronavirusit dhe janë marrë një sërë masash për t parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi. Rreth kësaj situate ka reaguar dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ai i bën thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë masat strikte të kufizimit të lëvizjes dhe të higjienës personale. Përmes një videomesazhi nga zyra e tij, kryebashkiaku thotë se ky është momenti kur të gjithë duhet të bëhemi bashkë përballë kësaj sfide sepse ky virus kërcënon me shumë se sa tërmeti.

Mesazhi i plotë i kryebashkiakut Erion Veliaj:

Të dashur bashkëqytetarë të Tiranës!

Javët në vazhdim do jenë të vështira. Për shumë prej nesh, do jenë më të vështira se çdo gjë që kemi hasur në jetën tonë. Jeta në qytetin tonë po ndryshon e do vazhdojë të ndryshojë në kushtet sfiduese të kësaj epidemie. Duhet të bashkohemi përballë kësaj sfide, ashtu siç u bashkuam për tërmetin, sepse ky virus kërcënon me shumë se sa tërmeti; as nuk e shohim, as nuk dimë ende si ta luftojmë me vaksina.

Por, mund ta mundim dhe DO TA MUNDIM!

Kryeministri Rama dhe qeveria e tij po marrin masat më të nevojshme për ta drejtuar e fituar ketë betejë. Por, as ai, as qeveria, nuk ia del dot nëse secili prej nesh nuk bën maksimumin e vet, duke bashkëpunuar si kurrë më parë me qeverinë. Për momentin, ilaçet dhe vaksinat nuk e mundin këtë sëmundje. Por, njerëzit mund ta vënë poshtë. Sot s’kemi një vaksinë apo trajtim të certifikuar. Gjer sa të vijë ajo ditë, kemi njëri-tjetrin. Zgjedhjet që bëjmë, vendimet tona, sjelljet tona – janë vendimtare.

Prioriteti më i madh në këto javë është të ruajmë qytetarët e rrezikuar më shumë dhe sistemin spitalor, i cili do punojë për trajtimin e tyre. Mos e merrni lehtë, kjo është një sëmundje e rrezikshme! Shumica e të infektuarve e kalojnë këtë sëmundje, por ajo është ekstremisht e rrezikshme për të moshuarit apo ata me probleme kronike me shëndetin. Nëse nuk jeni një prej tyre, jam i sigurt që doni fort njërin prej tyre, që mund të jetë prindi apo gjyshi juaj – ndaj, të gjithë kemi një interes madhor në këtë betejë. Edhe nëse jeni i ri apo e re dhe me risk të vogël, mund të jeni bartës për te gjyshi a prindi në moshë, të cilët i rrezikoni seriozisht.

Ndaj është JETIKE për Tiranën që të respektojë urdhrat e kryeministrit për DISTANCIMIN SOCIAL. E kuptoj që kjo tingëllon absurde për dikë si unë, që kam 5 vite që këmbëngul se ky qytet bëhet i mirë kur jemi BASHKË. Por, në këtë kontekst, BASHKË nënkupton të rrimë në shtëpi, të mbajmë higjienën dhe distancën nga kontakti me të tjerët.

Lexo edhe :  ‘Parti Enver, jemi gati kurdoherë’/ Miratohet me kaos Buxheti 2025 në Bashkinë Shkodër

Në këtë 100-vjetor të Tiranës, kjo është sfida më e madhe e këtij shekulli dhe duhet të përfshijë gjithë shoqërinë tonë. Sot lutjet e inkurajimet tona shkojnë për të gjithë mjekët në frontin e parë të punës. Por, lutjet nuk mjaftojnë! Ne mund të japim një kontribut direkt për ta: duke zbatuar masat agresive të distancimit social, u japim atyre kohë të trajtojnë pacientët në numra më të vegjël, duke mos mbingarkuar spitalet me shumë pacientë njëkohësisht, çka do të ishte sfiduese për çdo sistem shëndetësor – siç po shohim te fqinjët.

Duke reduktuar numrin e njerëzve të sëmurë në një moment të caktuar, është mënyra më e mirë për të mos kolapsuar spitalet. Kjo ndihmon jo vetëm pacientet me CoronaVirus, por këdo tjetër që kërkon trajtim në spital. Për mjekët do të kemi një transport të veçantë, në kushtet kur autobusët, si në Tiranë, janë pezulluar si vatra potenciale për virusin, të cilët edhe pse dezinfektohen, prania e mbi 50 vetëve e bën të pakontrollueshëm kontaminimin publik të pasagjerëve.

Distancimi Social dhe larja e duarve, janë gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë një kryeqytetas i Tiranës sot, për ta mundur këtë sëmundje. Ne duhet të bashkëpunojmë që të moshuarit, pensionistët, veteranët etj., të moshës së tretë në komunitetin tonë, të kontrollohen përmes telefonit për t’u siguruar që janë në gjendje të mirë gjatë kësaj beteje. Ju ftoj të gjithëve ta bëni këtë për fqinjët, gjyshërit e të afërmit tuaj.

Asnjë nga këto masa nuk funksionon pa ndihmën tënde. Disa prej jush ndoshta keni bindje të ndryshme nga të miat dhe shumica që e qeveris këtë qytet. Me disa prej jush ndoshta kemi debate të papajtueshme, por kjo nuk ka rëndësi tani. Rëndësi ka ta fitojmë këtë betejë. Pasi të mbarojë kjo, i rikthehemi debatit për teatrin, lodrat, e çdo punë tjetër që ha debat.

Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë, por duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë. Kryeministri po bën të vetën, qeveria te vetën, unë do bëj timen, e duhet që edhe ti të bësh tënden.

Ju dua të gjithëve me gjithë zemër, ndaj mbani higjienën, mbani distancën e mbani besimin se do t’ia dalim!

Të fundit

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat

Makina të shumta, njëra pas tjetrës – kjo është panorama që ka mbushur qytetin e Vlorës këtë të hënë....

Si festohet Krishtlindja në vendet e botës? Ekspertët tregojnë ushqimet tradicionale

Krishtlindjet festohen në mënyra të ndryshme në shumë vende të botës, ndërsa ushqimet tradicionale dhe kuzhina e larmishme nuk mungojnë asnjëherë në tryezat familjare. Më...

Lufra në çdo tryezë shqiptare këtë sezon festash, ja receta e Arbana Osmanit

Kompania Lufra tashmë është e qartë që mbizotëron tregun për produktet cilësore dhe të shumëllojshme që ofron. Kjo e bën atë të jetë ‘’Numri...

Tërmeti i fortë ‘shkund’ këtë vend, ja sa ishte magnituda

Thellësia fokale është vlerësuar në 11 kilometra… Një tërmet me magnitudë 4.3 ballë të shkallës Rihter ka ndodhur mbrëmjen e së martës, 24 dhjetor, në...

Trump shpreh interes për të blerë Groenlandën, reagon menjëherë Danimarka

Qeveria daneze ka njoftuar një rritje të madhe në shpenzimet e mbrojtjes për Groenlandën, disa orë pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump,...

Lajme të tjera

Web TV