Flet gazetarja e mirënjohur. Puna e gjatë në mikrofonin e radios dhe ekranin e televizionit
Nga Leonard Veizi
Zëri i saj i qetë e magjiplotë lundron i patrazuar dhe në mesin e vorbullës inatçore. Atje tej, në disa dhjetëra kilometra mbi tokë, i njëjti timbër vazhdon të jetë po aq i paqtë sa dhe në çastin që thithet prej mikrofonit për t’u shpërndarë më pas në eterin e brishtë rrethuar prej ozonit. Pas shumë vitesh të një pune sistematike, tanimë nuk mund të ketë njeri që nuk e njeh, jo aq shumë nga krehja e apo ngjyra flokëve, sesa nga zëri i veçantë që aq butësisht futët në kokën tënde për të të bërë qoftë edhe një çast të vetëm ta dëgjosh. Mund ta kesh ndjerë të njëjtin zë edhe kur ke udhëtuar i pavëmendshëm në makinë, a qoftë dhe kur je i pasionuar pas ekranit të televizorit zhytur në poltronin e kuzhinës. Ajo është Rezarta Reçi, e cila vetëm në një emision të titulluar “Arratia e peshkut të kuq” ka arritur të marrë impresionet e 750 personazheve të ndryshëm, të cilët gjithsesi kanë pasur aq për të thënë sa e meritonin një emision të dedikuar. Por llogaria është shumë më e madhe nëse kësaj armate do t’i bashkoheshin dhe disa qindra të tjerë, personazhe të ndryshëm gjithashtu, që kanë folur për mikrofonin e saj, në emisione të ndryshme, e për më tepër në radio. Dhe kjo fuqi mediatike, veç një kënaqësie të madhe i ka sjelle asaj dhe jo pak telashe. Sepse në konkurrencë e sipër, edhe pse e dashuron fort këtë profesion, është shmangur ndaj dyluftimeve të egra e ambicioze, duke braktisur në këtë mënyrë dhe një prej projekteve më jetëgjata në fushën e kulturës. Për më shumë se kaq, gjatë një interviste për gazetën FJALA, Rezarta Reçi thotë:
Radio apo televizioni, si do ta ndanit dashurinë tuaj profesinale?
Në fillim ishte magjia e papërballueshme dhe e papërsëritshme e radios. Të cilën e kisha ëndërruar që fëmijë. Mikrofon i shenjtë. Publik imagjinar. Telefonues nga çdo cep i vendit, por edhe jashtë tij. Zëri im plot drithërimë dhe emocion. Unë vetë, plot përgjegjësi për çfarë do them. Për kë do të ftoj. Për çfarë do të transmetoj dhe përçoj. Emocionet e emisioneve radiofonike të drejtpërdrejta çdo të hënë dhe të enjte në darkë nga ora 20- 24.00 janë shtresëzuar në kujtesën time si një segment rrugëtimi profesional i thellë, i fuqishëm shoqëruar nga dashuria dhe adhurimi i një publiku që u rrit nga viti në vit. Kjo magji dhe ky profesionalizëm për mua e ka emrin Radio Tirana.
Realisht më gjatë kam punuar në televizion se në radio. E dua ekranin sepse më lejoi të vazhdoja të thellohesha në atë profesion që kisha bërë në radio. Vetëm se më lejoi shfaqjen. Nga fshehtësia e radios ku evidentohesha vetëm nga zëri publiku njohu me figurë Rezin e emisioneve “Bota ime” dhe “Paralele që priten “. Më njohu, më deshi, më do si Rezi – Peshku i kuq.
Tani në këto momente rrëfimi e ndjej se i dua fort radion dhe televizionin, mikrofonin që më lidh me to, profesionin e intervistueses që më lejon të depërtoj në botën e brendshme emocionale e profesionale të bashkëbiseduesve përballë për të përftuar dritëhijet e një jete njerëzore që vlen të rrezatohet në shoqërinë shqiptare në evoluim.
Nga emisionet më jetëgjata të kulturës është “Arratia e Peshkut të Kuq”. Sa personazhe kanë kaluar përmes mikrofonit tuaj?
Arratia e Peshkut të Kuq rrugëtoi 13 vite në ekranin e News24. Ishte i përjavshëm, realizohej në formë dokumentari me një ekip modest (unë, operatori dhe montazhieri.) Pa harruar personazhin që përbënte thelbin e “Arratisë”. Një “Arrati” në lëvizje, shumëplaneshe, intensive dhe dëshmuese e vlerave profesionale dhe njerëzore të njerëzve me kontribute në shoqërinë shqiptare nga fusha e artit, kulturës, shkencës, mjekësisë, sportit etj. Janë rreth 750 personazhe që kanë pranuar të rrëfehen për mikrofonin e “Arratisë” duke dhuruar për publikun shqiptar eksperiencat e tyre të pasura jetësore dhe profesionale. Copëza të tilla rrëfimesh janë pasuria ime profesionale që strehohet në arkivin e “Arratisë” së bashku me qenien time të riformatuar dhe të ridimensionuar falë kontakteve dhe eksperiencave me personaliteteve me vlera në fusha të ndryshme.
Përse e braktisët televizionin për t’u rikthyer sërish në radio?
Realisht më braktisi televizioni mua. Jo unë atë. Pasuria intelektuale dhe shpirtërore, pasioni dhe profesionalizmi, ndershmëria dhe kontributi jo gjithmonë mjaftojnë për të mposhtur zilinë, ligësinë dhe luftën e nënrrogoztë e të pashkak të njerëzve me komplekse, por që kanë diçka të thjeshtë në dorë: të të lënë pa punë, pa të ardhura.
Shto këtu dhe mungesën e predispozitës së ekraneve televizive shqiptare për të reflektuar e rrezatuar vlerë e kulturë, aq të domosdoshme për kultivimin e një shoqërie në evoluim e transformim mendor e shpirtëror.
Tashmë jam angazhuar në emisione radiofonike dhe vlen gjithmonë për pasurimin tim profesional të gjithanshëm.
Ju jeni aktive në rrjetet sociale me komentet tuaja mëngjesore. A është kjo një parapërgatitje për t’u futur në letërsi?
Eh, e keni fjalën për mëngjeset e mia. “Mëngjeset e Rezit” lindën natyrshëm në një mëngjes gushti. Ca rreshta- impresione që përcillnin ndjeshmëri dhe pozitivitet mëngjesor pa pretendimin më të vogël për të hyrë në letërsi. Pasi kam lexuar e lexoj aq shumë dhe më mjafton letërsia që krijohet në çdo cep të globit.
Ju konsumoni vazhdimisht letërsi, kjo dhe për shkak të angazhimit tuaj me personazhet. Cila është tendenca e librit në kushtet aktuale?
Realisht lexoj vazhdimisht. Kryesisht romane, tregime, libra të zhanrit psikologjik. Ka shumë botime shqiptare dhe të huaja me cilësi të përmirësuar tashmë. Në hyrjen prezantuese që i bëj emisionit “Shtëpia e miqve të librit” në RadioTirana 3 them që do te flasim për librin, librat, bibliotekat, autoret, përkthyesit, botuesit, lexuesit, impresionet, ndjesitë, emocionet. Gjithçka që ka të bëje me librin e miqtë e tij, të cilëve nuk i ikën moda kurrë.
Pra kjo është bindja ime për librin dhe tendencën e tij. Do t’i rezistojë kohës dhe trendeve të paktën sa të jetojmë ne.
Tani, të vetizoluar në shtëpi për shkak të një virusi, a nuk e kemi zgjedhur si një mik të vyer e besnik për ta bërë vetizolimin më pak vetmitar, plot imagjinatë e të dobishëm për shëndetin tonë mendor dhe shpirtëror?