Shumë vende anembanë botës, përfshirë këtu Shqipërinë, po ndërmarrin masa të ashpra për të goditur përhapjen e koronavirusit. Janë mbyllur shkollat, tubimet masive, ashtu sikurse janë vendosur kufizime të rënda për udhëtimin ajror. Por, Mbretëria e Bashkuar ka miratuar masa kontrolli relativisht modeste.
Dallimet mund të shpjegohen pjesërisht me faktin se disa nga këto vende janë në stade më të zhvilluara të epidemisë. Megjithatë, është e qartë se Mbretëria e Bashkuar ka adoptuar një qasje strategjike;synon të menaxhojë përhapjen e virusit në mënyrë që popullata të ndërtojë imunitet, në rast se virusi kthehet në vitet pasuese.
Simulimet kompjuterike tregojnë se Mbretëria e Bashkuar është në fazat e hershme të epidemisë, që pritet të rritet ndjeshëm në katër javë, për të arritur kulmin në një periudhë prej 10-14 javësh. Këshilltari kryesor shkencor i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Patrick Vallance, thotë se është shumë shpejt për të vendosur kufizime të rënda, të cilat mund të zgjasin disa muaj dhe të rrezikojnë “lodhjen nga izolimi”.
“Të moshuarit janë veçanërisht të rrezikuar nga shfaqja e simptomave të rënda. Por shumë prej tyre tashmë janë të izoluar. Shkëputja e tyre nga komuniteti, kur rreziqet janë ende relativisht të ulëta, do të krijonte vështirësi të panevojshme për ta”-shprehet Patrick Vallance për BBC.
Vallance del gjithashtu kundër pezullimit të tubimeve masive. Simulimet kompjuterike tregojnë se kjo masë do të ishte më pak efektive dhe më shkatërruese. “Njerëzit kanë më shumë gjasa të ekspozohen ndaj virusit Covid-19 nga një anëtar i familjes ose një mik, diku në një hapësirë të vogël sesa në një hapësirë të madhe (siç është një stadium sportiv)”-thotë ai.
Mbretëria e Bashkuar nuk i ka mbyllur ende shkollat, nën argumentin se Covid-19 i prek më pak fëmijët. Megjithatë, ekziston ende një rrezik, se ata mund ta transmetojnë virusin tek prindërit dhe gjyshërit. Për më tepër, mbyllja e shkollave do të largonte shumë persona nga Shërbimi Kombëtar i Kujdesit (NHS), për t’u kujdesur pikërisht për fëmijët e tyre.
Vallance thekson se strategjia është hartuar dhe bazuar në prova dhe informacione nga shumë shkencëtarë dhe mjekë kryesorë në botë, shumë prej të cilëve janë përfshirë po ashtu në kontrollin e përhapjes së virusit në Kinë dhe Singapor. (Vihet re se asnjë epidemiolog në Mbretërinë e Bashkuar, specialist në përhapjen e sëmundjeve infektive, nuk ka folur në mediat kryesore kundër qasjes së qeverisë britanike.)
Fjala.al