Në të njëjtën kohë dhe ditë, qeveritë e dy vendeve, e jona qeveria shqiptare dhe ajo italiane, kanë nxjerrë urdhrat për masat që do ndërmerren për përballimin e situatës së krijuar nga virusi Covid-19.
Për një armik të përbashkët, qeveritë kanë nxjerrë strategji të ndryshme, të cilat dallojnë shumë nga njëra tjetra. Qeveria jonë në urdhrin normativ ka vetëm masa shtrënguese, ndaj biznesit dhe popullatës.
Ndërsa qeveria Italiane ka menduar të veprojë krejtësisht ndryshe, duke futur në aktin normativ vetëm masa lehtësuese ndaj biznesit dhe popullatës. Ndryshim shumë i madh, në mendim, perceptim, veprim.
Qeveria italiane i jep garanci, biznesit dhe pupullatës, lufton njëkohësisht, virusin dhe mbron biznesin. Në vendin fqinjë, Covid-19 luftën e ka te verbër si çdo virus, jo me Italinë, jo të ndarë me qeverinë dhe popullin italian më vete… Qeveria jonë, i shpalli luftë sot zyrtarisht Covid-19 me një akt normativ të nxjerrë me masat shtrënguese.
Luftë me qeverinë tonë nuk do të ketë vetëm virusi por edhe ata që do të bashkëpunojnë me të. Ndryshe nga masat e qeverisë Italiane, kjo e jona nuk e konsideron akoma që biznesi dhe popullata mund të kenë nevojë për masa lehtësuese.
Jam shumë dakord me disa nga masat e marra nga qeveria për ta kontrolluar dhe parandaluar sado pak situatën. Por nuk duhet vetëm masa shtrënguese, janë të nevojshme dhe ato lehtësuese, ndihmuese, për ata që kanë nevojë. Nuk është luftë vetëm e qeverisë dhe e kryeministrit tonë, i cili drejton luftën nga shtëpia.
U futëm në karantinë, i respektuam urdhrat. Sa do qëndrojmë? Për sa kohë ka mundësi shoqëria jonë, të qëndrojë në karantinë? Shqipëria numëron më shumë familje në nevojë se sa në gjendje të mirë ekonomike. Qeveria jonë nga që nuk ka asnjë eksperiencë në luftra, si psh në luftën kundra trafiqeve, në luftën kundër korrupsionit, mendon se do e fitojë duke u bërë e ashpër me qytetarët.
Të vetmen luftë ka bërë me opozitën një vitë më parë. Kur i boshatiste sheshet me gaz-lotësjellës. Lufta nuk fitohet vetëm me forcën e barutit të policëve dhe ushtarëve, të cilët këto ditë kanë patrulluar rrugët e boshatisura. Kërkon aftësitë dhe humanizmin e mjekëve, specialistëve të ekonomisë.
Familjet shqiptare të sforcuara, mund të përballojnë një fundjavë, por jo një javë të tërë. Bizneset e mbyllura, kanë punëtorë për të paguar, qira ambienti, drita, ujë, taksa, kanë humbje. Ku është shteti për ata, të cilët e mbajnë këtë shtet me taksa.
Ok, biznesi e mbylli derën nga situata emergjente por a do e hapi dot më? Punëtorët, a do paguhen? Si do të përballohet kjo situatë? A do të kemi plan masash lehtësuese nga qeveria jonë të njëjtë me atë të qeverisë italiane. Qeveria Italiane ka trajtuar dhe menduar me kujdes të gjitha shtresat në aktin normativ që do të nxjerri sot, ka vendosur për pezullimin e afateve tatimore, pezullimi e pagesave të kësteve të kredive që kanë individët dhe bizneset, ndihma për qiratë ndaj individëve dhe bizneseve, ulja e faturave të shërbimeve, kasë integrimi me rroga për punëtoret, dëmshpërblimi për personat e vetëpunësuar, pushimi për prinderit e fëmijëve nën 12 vjeç.
Ndërsa nga sot në vendin tonë hyjnë në fuqi akti normativ me këto masa shtrënguese:
Subjektet që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për kryerjen e këtij aktiviteti, dënohen me gjobë në masën 500.000 Lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore. Në rast përsëritjeje, masave
të mësipërme iu shtohet edhe ndalimi i eksportit të barnave/pajisjeve mjekësore, deri në 6 muaj.
Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 500.000 Lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit.
Hyrja e shoqëruesve dhe/ose e familjarëve të pacientëve në ambientet e shërbimit të urgjencës mjekësore, institucionet e kujdesit shëndetësor, ambientet e shërbimit spitalor ku janë duke marrë trajtim spitalor pacientët, vetëm me përjashtim të rasteve kur një kërkesë e tillë vjen nga drejtoria spitalore, dënohen me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për shoqëruesin dhe/ose familjarin e pacientit si dhe për personin përgjegjës që ka për detyrë zbatimin e këtij rregulli.
Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë:
a) Shtetasi, i cili hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk deklaron ardhjen e tij nga zonat e prekura nga infeksioni COVID-19, të deklaruar nga organet kompetente, vendase ose të huaja apo ndërkombëtare;
b) Shtetasi,i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetë karantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19;
c) Shtetasi, i cili vjen nga zonat e prekura dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm.
Nuk ka nevojë të shpiki qeveria jonë, thjesht të marrë përvojën e qeverisë italiane dhe jo te virusit në Itali, që të fitojë njeriu…