Në rrjetet sociale është duke qarkulluar një foto e një treni mbi të cilin shkruhet “COVID-19”, emërtesa që përdoret për koronavirusin e kthyer në pandemi botërore. Kaq ka mjaftuar që foto të bëhet pjesë e listës me teoritë konspirative që janë ngritur mbi këtë virus.
Por sa e vërtetë është kjo foto?
Sipas të dhënave, Shoqata e Hekurudhave në SHBA i emërton trenat nëpërmjet një formule, e cila përbëhet nga dy deri në katër shkronja dhe nga një shifër që përmban deri në gjashtë numra. Kodi tregon pronësinë e mjetit.
Pra, “COVID-19” nuk plotëson kriteret e përcaktuara nga autoritetet amerikane për të qenë kod për trenat. Çdo tren duhet të jetë i pajisur me një kod për të lëvizur.
Në foton e plotë ku lexohet një tjetër kod mësohet se treni i përket kompanisë GATX Corporation, e cila vepron në Amerikën e Veriut. Nga krahasimet me trena të tjerë të kompanisë rezulton se, “treni covid-19” është modifikuar ‘online’ me shenja që nuk përfaqësojnë kompaninë.
Pra në këtë rast kemi të bëjmë me photoshop.